Ndërlidhjet

PËRPJEKJA E FUNDIT E TRESHES


“Financial Times”

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia sot i fillojnë përpjekjet e fundit për të mundësuar arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Duke përjashtuar ndonjë befasi të çastit të fundit, diplomtatët evropianë janë pothuajse të sigurtë se bisedimet treditëshe në Austri do të dështojnë dhe në këtë mënyrë do të hapet rruga për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në javët e ardhshme.
Diplomatë të lartë evropianë besojnë se do të ishte një tragjedi për të dyja palët nëse ato dështojnë të arrijnë një marrëveshje deri të mëkurën. Në këtë kuadër, diplomatët janë të mendimit se mbi serbët dhe shqiptarët nuk është ushtruar edhe trysni aq e madhe nga fuqitë perëndimore për t’i shtyrë ata që të arrijnë një marrëveshje. “Rusia thjesht ka vendosur që të mos bëjë asgjë për të ushtruar trysni mbi Serbinë për ta bindur atë që të arrijë marrëveshje”, ka thënë një diplomat evropian, i cili gjithashtu ka folur edhe për zotimin e kahmotshëm të Washingtonit për ta njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, gjë që, sipas këtij diplomati, ka qenë gjithnjë në mendjen e kosovarëve.
Nëse raundi i fundit i bisedimeve që mbahen këtë javë dështon, atëherë Kosova mbase do të shpallë pavarësinë e saj pas prezantimit të raportit të treshes ndërkombëtare në Kombet e Bashkuara më 10 dhjetor. Megjithatë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian shpresojnë që qeveria kosovare të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare para se ta bëjë një hap të këtillë. Në këtë mënyrë, edhe NATO-ja do të kishte kohë për të sforcuar 15 mijë forcat paqerujatëse në terren. Një shpallje e koordinuar e pavarësisë gjithashtu do t’i jipte kohë misionit të ri evropian, civil dhe gjyqësor, që të marrë përsipër përgjegjësitë nga administrata aktuale e Kombeve të Bashkuara. Mbi të gjitha, një shpallje e pavarësisë, nëse është e koordinuar, do të siguronte që shumica dërmuese e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ta përkrahë një veprim të këtillë.
Në cilindo rast, diplomatët evropianë besojnë se një nga përfitimet e bisedimeve pesëmuajshe të zhvilluara nga treshja ndërkombëtare ka të bëjë me një qëndrim më të përbashkët të Bashkimit Evropian mbi hapin e ardhshëm të Kosovës.
”Po ta shpallte Kosova pavarësinë në qershor, Bashkimi Evropian do të ishte ndarë thellësisht mbi përprahjen e kësaj pavarësie”, ka thënë një diplomat evropian. Sipas tij, “vendet anëtare të bllokut evropian tani mund ta shohin se është bërë çdo gjë që ka qenë e mundur për të arritur deri tek një marrëveshje midis të dyja palëve. Edhe nëse bisedimet dështojnë, secili mund ta shohë se ka pak kuptim që të zhvillohet edhe një raund tjetër negociatash”, ka thënë në fund diplomati evropian.
XS
SM
MD
LG