Ndërlidhjet

VJENË


Sot në Baden afër Vjenës përfundoi takimi i parë i Treshes ndërmjetësuese të Grupit të Kontaktit me delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit. Pas takimit, zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skender Hyseni tha se në fillim të bisedimeve treditëshe, palët i paraqitën qëndrimet e njohura për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
"Të dyja palët nuk prezantuan asgjë të re. Beogradi foli për autonominë substanciale, ndërsa pala kosovare edhe një herë e paraqiti në mënyrë të detajuar vizionin e saj për partneritetin e Kosovës dhe Serbisë si shtete sovrane, partneritet që do rezultojë me bashkëpunim të ngushtë në gjitha fushat", tha ai.
Ata "vazhduan të flasin për autonominë substanciale, si ajo e Hong Kongut apo ishujve Aland", tha Hyseni.
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç tha se bisedimet duhet të vazhdojnë deri sa të arrihet një marrëveshje, sepse asgjë tjetër nuk do të sjellë paqe dhe stabilitet. Jeremiç tha se kompromisi është i nevojshëm "jo vetëm që të mbeten të paprekur kufijtë në Ballkan", por edhe për shkak të "prosperitetit të qytetarëve të Ballaknit perëndimor".
Para takimeve të sotme, përfaqësuesi i BE-së në Treshen Wolfgang Ischinger, tha se bisedimet janë "mundësia e fundit" për kompromis. "Shpresoj se të dyja palët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi", tha Ischinger, i cili theksoi se mandati i Treshes përmbyllet më 10 dhjetor.
"Ky është takimi ynë i fundit, pas dy vjet bisedimesh. Ne mund të negociojmë 100 vjet me Serbinë, por për pavarësinë e Kosovës s'mund të kemi kompromis", tha para takimit kryetari i PDK, Hashim Thaçi. "Jemi të gatshëm të marrim vendimin tonë, dhe shpresojmë se shumë shpejt pas kësaj do të na njohin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian", ka thënë Thaçi.
Presidenti Fatmir Sejdiu tha se pala kosovare hyn në këto bisedime me qëndrim të pandryshuar. "Qëllimi ynë kryesor është pavarësia e Kosovës", tha Sejdiu.
Para takimit, kryeministri serb Vojisllav Koshtunica tha se Serbia është shtet sovan, i lirë dhe demokratik. "Serbia nuk do të lejojë t'i hiqet asnjë pëllëmbë nga territori i saj", tha Koshtunica. Presidenti Boris Tadiq tha se shpreson se palët do të arrijnë marrëveshje. "Përndryshe, do të kemi jostabilitet në gjithë rajonin. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që ta shmangim këtë skenar", tha Tadiq.
Takimi në Baden është i fundit që do të mbahet deri më 10 dhjetor, kur Treshja duhet t'i raportojë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon.
XS
SM
MD
LG