Ndërlidhjet

MALIQI:”KOALICIONI I GJERË – ZGJIDHJE QË IMPONON MOMENTI”


Shkëlzen MALIQI, Partia Reformiste Ora

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maliqi, që nga shpallja e pjesshme e rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, janë përfolur formula të ndryshme të koalicioneve; ndër të tjera, edhe mundësia që Partia Reformiste Ora të jetë pjesë e qeverisë, normalisht nëse e kalon pragun elektoral. Si i shihni ju të gjitha këto kalkulime?

SHKËLZEN MALIQI
Ende janë të hershme, sepse nuk dihet saktë se si do të ndahet mandati. Është pyetje se a do ta kalojë Ora pragun apo jo; ato janë 5 ose 6 mandate. Nëse jo, atëherë sigurisht edhe PDK-ja, edhe disa parti tjera, do të jenë përfituese që ta rrisin pjesëmarrjen. Këto janë ende më shumë spekulime paraprake sidomos të subjekteve të mëdha, para së gjithash, të Hashim Thaçit dhe PDK-së, që ka dalë fituese.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, sa janë gjasat që të ketë një koalicion, siç po përflitet shumë, në mes të dy partive më të mëdha, PDK-së dhe LDK-së?

SHKËLZEN MALIQI
Nuk e di. Varet se si e vlerësojnë udhëheqësit e LDK-së. Ata janë sigurisht pak si të shokuar me këtë rezultat, me përfundimin e këtyre zgjedhjeve dhe duhet të sqarojnë së pari mes vete se çfarë duan. Mirëpo, vetë momenti, në njëfarë dore, imponon si më të logjikshëm një koalicion të gjerë. A do të ndodhë kjo apo jo, varet para së gjithash nga vetë LDK-ja, por edhe nga ndikimi i zyrave përfaqësuese të fuqive të mëdha këtu në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët për nevojën e një koalicioni më të gjerë... Duke pasur parasysh periudhën e ndjeshme, në të cilën ka hyrë Kosova përballë statusit të saj politik, cila formulë mendoni se do të ishte më e duhura për Kosovën aktualisht?

SHKËLZEN MALIQI
Sa i përket situatës së brendshme, do të ishte normale që PDK-ja t’i përzgjedhë partitë favorite që i ka; të bëhet, për herë të parë, një koalicion programor. Por, meqë situata është e tillë çfarë është, gjendemi para definimit të statusit, para vendimeve të mëdha, duhet të përcaktohemi se kur dhe si do të shpallet pavarësia dhe për këtë nevojitet një konsensus i gjerë. Tash, a mund të përdoret sërish ajo formula që të kemi në Parlament një platformë të unitetit sa i përket çështjes së njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe nga ana tjetër të kemi një Parlament me pozitë dhe opozitë, kjo është çështje tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqetësimi për pjesëmarrjen e ulët të votuesve në zgjedhjet e 17 nëntorit është i pranishëm që nga zgjedhjet. Përderisa shumë kanë përmendur arsye të ndryshme për këtë apati, ju keni argumentuar se pjesëmarrja mund të ketë qenë deri në 60 për qind. A po i sfidoni në këtë mënyrë rezultatet e KQZ-së dhe të OSBE-së?

SHKËLZEN MALIQI
Jo, nuk po i sfidoj, por po e marr një shifër reale të votuesve që kanë qenë në gjendje të votojnë. Mendoj se edhe më herët është nënvlerësuar trupi zgjedhor i Kosovës; mendoj se herëve tjera, ndoshta pjesëmarrja ka qenë edhe 70 për qind prej atyre që kanë mundur të votojnë efektivisht. Listat zgjedhore të Kosovës kanë shumë emra të atyre që janë regjistruar në Kosovë edhe nga diaspora. Domethënë, mund të jenë 300 mijë e ndoshta edhe më shumë persona. Nga ky regjistër, edhe OSBE-ja, edhe KQZ-ja merr regjistrin e votuesve. Madje, në ndërkohë, për tetë vjet, nuk janë shlyer nga listat zgjedhore personat që kanë vdekur. Kështu që shifra që ka dhënë KQZ-ja fillimisht, se numri i votuesve në Kosovë është gati një milion e gjysmë, efektivisht nuk është e tillë. Unë mendoj se jo të drejtë vote, por mundësi vote kanë pasur rreth një milion veta; nëse kanë votuar rreth 600 mijë, atëherë kjo është 60 për qind.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia Reformiste Ora, anëtar i së cilës jeni edhe ju, ka pësuar rënie nga zgjedhjet e kaluara. Cilët ishin faktorët që shkaktuan që Ora të mos renditet më lart në skenën politike?

SHKËLZEN MALIQI
Ora në zgjedhjet e kaluara ka pasur 43 mijë vota dhe kryesisht kanë qenë nëpër qendra të mëdha. Diku rreth 65 për qind të votave i ka marrë në katër qendrat kryesore, 25 për qind në disa qytete tjera, kurse në 18 komuna ka pasur vetëm 12 për qind. Ora është përqendruar në këtë fushatë që të zgjerohet, ta zgjerojë elektoratin në ato komuna ku ka pasur pak përqindje herën e kaluar. Por, më duket se kjo strategji ka dështuar ose nuk ka dhënë rezultate.

RADIO EVROPA E LIRË
Kalojmë në një çështje tjetër. Edhe sot, në Baden të Austrisë, po vazhdojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, ku gjasat për t’u arritur një marrëveshje duket se janë shumë të vogla apo pothuajse nuk ka gjasa fare. Çfarë parashihni ju pas përfundimit të këtij raundi të fundit të negociatave, posaçërisht pas 10 dhjetorit?

SHKËLZEN MALIQI
Është ditur që nga fillimi se për vazhdimin e bisedave ka pasur pak shpresa që të merren vesh Beogradi dhe Prishtina. Vazhdimi ka qenë për arsye se fuqitë e mëdha, anëtarët e Grupit të Kontaktit kanë dashur ta bindin Rusinë se nuk ka zgjidhje tjetër. Rusia ka kërkuar vazhdimin e bisedave. Tash, megjithatë, mbetet që fuqitë e mëdha ta gjejnë një solucion. Një arsye tjetër ka qenë se Evropa, para katër muajve, nuk ka qenë plotësisht e bindur se mund të shkojë me variantin B, domethënë të injorohet Këshilli i Sigurimit dhe të përkrahet pavarësia e Kosovës. Tash, mendoj se Bashkimi Evropian ka pasur mjaft kohë që të bindet për këtë; tash janë pjekur kushtet që edhe Rusia, përfundimisht, të bindet se nuk mund të shkojë kundër SHBA-ve, BE-së dhe do të kemi një variant B, i cili po ashtu bazohet në planin e Ahtisaarit, por do të ketë disa modifikime. Çështja e vetme e hapur mbetet se a do të gjendet një solucion përmes Këshillit të Sigurimit apo, megjithatë, do të kërkohet ndonjë variant tjetër.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG