Ndërlidhjet

KOSOVARËT: S’KA SHTEG TJETËR PËRVEÇ SHPALLJES SË PAVARËSISË


Albana Isufi

Fundi pa sukses edhe i negociatave shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga Treshja e Grupit të Kontaktit, sipas zyrtarëve kosovarë, nuk ka qenë befasi, meqë vetë qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve kanë pamundësuar arritjen e ndonjë marrëveshjeje për statusin. Shpallja e pavarësisë, sipas zyrtarëve kosovarë, mbetet tani opsioni më real. Këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se tani është hapur rruga edhe për zbatimin e planit të Ahtisaarit, i cili ofron pavarësi të mbikëqyrur. “Kjo përpjekje nuk rezultoi me ndonjë gjë konkrete. Me përfundimin e këtij procesi, është hapur rruga që të shkohet më tutje me zbatimin konkret të planit të Ahtisaarit, duke përfshirë edhe pjesët që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës”, u shpreh Qirezi. Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se pas raportimit të Treshes para Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, institucionet e Kosovës duhet ta ndërmarrin hapin për shpalljen e pavarësisë. Krasniqi mendon se koha më e përshtatshme për ta bërë këtë është fillimi i vitit 2008. “Unë mendoj se duhet të konsolidohen institucionet e reja, parlamenti, qeveria dhe trupat tjerë. Menjëherë pasi që të bëhet ky konsolidim, mendoj se ndoshta më së miri do të ishte që në fillim të vitit 2008, Parlamenti i Kosovës ta bënte deklaratën e tij, ta kërkonte njohjen e pavarësisë dhe menjëherë pas kësaj ta miratonte Kushtetutën e re te Kosovës”, tha Krasniqi. Ndërkaq, Ramë Manaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se tërë kjo periudhë 4 mujore ka qenë vetëm një blerje kohe nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Sipas tij, tani Kosova duhet ta presë epilogun e raportimit të Treshes para Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, e mandej ta bëjë shpalljen e njëanshme të pavarësisë. “Varësisht nga përmbajtja e raportit dhe varësisht nga reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, do të shihet se sa do të jetë e nevojshme të harmonizohen qëndrimet për shpallje të pavarësisë së Kosovës nga Parlamenti i Kosovës, pasi për t’u njohur pavarësia e vendit, ajo duhet të shpallet. Por, të gjitha veprimet e mëtutjeshme do të bëhen në akordim me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Manaj. Mirëpo, shpallja e pavarësisë së Kosovës, sipas përfaqësuesve serbë, do të sjellë pasojat e saj. Politikani serb, Dragisha Kërstoviq, thotë se kundërpërgjigjja e serbëve të Kosovës është shpallja e pavarësisë së veriut të banuar me shumicë serbe. “Një hap i tillë i serbëve të veriut jo vetëm që është i mundur, por ai ka filluar dje, me mbajtjen e një takimi të asociacionit të komunave dhe vendbanimeve serbe, ku është aprovuar një deklaratë, e cila hedh poshtë mundësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku shprehen ato që janë qëndrimet e Beogradit zyrtar”, tha Kërstoviq. Megjithatë, ndryshe nga ç’kanë deklaruar disa herë zyrtarët e Beogradit, Kërstoviq nuk beson se do të ketë konflikt apo intervenim të armatosur të Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ramë Manaj po ashtu hedh poshtë një mundësi të tillë. “Koha e konflikteve ka mbetur pas. Pavarësia e Kosovës është e paevitueshme, pavarësia është zgjidhja e vetme e qëndrueshme, madje zgjidhje kompromisi”, theksoi Manaj. Ndërkohë, Jakup Krasniqi, partia e të cilit si fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit pritet ta formojë qeverinë e re, thotë se shtjerja e mundësisë për arritjen e marrëveshjeve përmes bisedimeve nuk ka lënë shteg tjetër, përveç shpalljes së pavarësisë. “Shpallja e pavarësisë dhe natyrisht fillimi i miratimit të ligjeve, që i parasheh dokumenti i presidentit Ahtisaari; ne jemi të bindur se edhe ky është një kompromis i madh që kanë bërë shqiptarët, por kompromis që ua hap perspektivat qytetarëve të Kosovës”, pohoi Krasniqi. Sido që të jetë, edhe nëse zgjidhja për Kosovën nuk do të arrihet përmes Këshillit të Sigurimit dhe bëhet shpallja e pavarësisë, zyrtarët kosovarë thonë se nuk do të heqin dorë nga zbatimi i pakos së Ahtisaarit, pavarësisht se edhe atë e shohin si një kompromis të dhimbshëm.

XS
SM
MD
LG