Ndërlidhjet

BROVINA:”SHPALLJA E PAVARËSISË - DETYRA E PARË E INSTITUCIONEVE TË REJA”


Flora BROVINA, Partia Demokratike e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Brovina, bisedimet Prishtinë-Beograd kanë përfunduar pa asnjë marrëveshje. Cilat janë pritjet e juaja dhe çfarë mendoni se duhet të ndërmerret në Prishtinë për hapat në vijim, lidhur me statusin e Kosovës?

FLORA BROVINA
Gjithë opinioni në Kosovë, por edhe ai botëror që ka përcjellë bisedimet dhe ngjarjet që po ndodhin rreth Kosovës, e kanë ditur që në fillim se këto bisedime të Treshes me palën serbe dhe me palën shqiptare të Kosovës, nuk do të kenë sukses. Është parë në fillim që palët kanë qenë në kahe të kundërta, por edhe opinioni ndërkombëtar, duke marrë Rusinë sidomos që ka bërë mjaft trysni te Treshja, vetvetiu ka treguar se nuk do të jenë të suksesshme. Në anën tjetër, bisedimet nuk u bënë për suksesin, por u bënë për një kohë që i duhej Evropës për t’u konsoliduar dhe për të marrë një qëndrim sa më të përafërt me SHBA-të dhe ta marrin përgjegjësinë e vendosjes së statusit përfundimtar, që është pavarësia e Kosovës. Kosova që në vitin 1998 e di se ç’do të bëjë, është vendim i gjithë popullit, ajo duhet ta shpallë pavarësinë. Natyrisht, ne presim që pavarësinë ta mbështesin të gjithë ata që e kanë përkrahur Kosovën gjatë luftës dhe pas luftës. Prandaj, kjo pritje duhet të korret me sukses, sepse është vendim i popullit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një dilemë që shtrohet në vazhdimësi është se sa do të ketë mbështetje të nevojshme ndërkombëtare Kuvendi i Kosovës për deklarimin e pavarësisë. Sa prisni se mund të ketë komplikime, ditëve të ardhshme, për shpalljen e pavarësisë?

FLORA BROVINA
Kosova duhet ta ketë një qëndrim të vetin shumë më konkret, ta përpilojë planin konkret të fazave të shpalljes, domethënë datën e shpalljes, përgatitjen rreth shpalljes dhe natyrisht thirrjen e gjithë aleatëve që të na bashkohen sa më parë për pranimin e pavarësisë së Kosovës. A do të ndodhë që të gjitha shtetet të na përkrahin në moment? Natyrisht që jo, kështu nuk ka ndodhur në asnjë shtet të pavarur. Prandaj, presim që ato një nga një t’u bashkohen të gjitha shteteve aleate dhe normalisht atyre që e dinë se Kosova ndryshe as nuk mund të jetë. Mendoj se çdo moment i humbur është humbje edhe për ne si Kosovë, por edhe për forcat demokratike në Evropë dhe në SHBA. Ne nuk kemi asnjë minutë kohë për të pritur.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni edhe anëtare dhe me siguri edhe deputete e ardhshme e partisë që ka fituar më së shumti vota në Parlamentin e Kosovës. Andaj, cilat konsideroni se duhet të jenë hapat e parë që ju dhe kolegët tuaj do t’i ndërmerrni në këtë parlament?

FLORA BROVINA
Hapat konkretë që do të bëhen, do të jetë konstituimi i institucioneve që fituan votën. Në këtë rast, barra i takon partisë të cilën edhe e përfaqësoj, kryesisë së kësaj partie, që të vendosë pra konstituimin e parlamentit në bazë të votës dhe vullnetit të qytetarëve, zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, pastaj konstituimin e kryesisë dhe organeve të parlamentit dhe zgjedhjen e kryeministrit që do të jetë zoti Hashim Thaçi, i cili merr obligim që sa më parë ta konstituojë edhe qeverinë. Tash, si do të jetë ajo qeveri? Sigurisht, e spektrit të gjerë. Pas një diskutimi që do të bëhet në kryesinë e partisë, do të vendosim që sa më mirë, sa më përshtatshëm për zgjedhësit, të konstituohet kjo qeveri. Pastaj, këto organe kanë obligim që t’i bëjnë përgatitjet e duhura për shpalljen e pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, a besoni se kjo shpallje do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm?

FLORA BROVINA
Natyrisht se janë shumë rrethana që nuk e bëjnë të mundshme që ajo të shpallet më datën 10 dhjetor, kur përfundon procedura rreth ‘pazareve të pavarësisë’. Dhe, procedura kalon në Këshillin e Sigurimit, të cilët njëherë dështuan dhe nuk besoj se do të lejojnë dështime të tjera dhe lojëra të Rusisë, por do ta japin sinjalin që të nisin procedurën dhe ta shënojnë datën e shpalljes së pavarësisë. Kjo, në rend të parë, nuk është një ‘kapricio’ e politikanëve dhe e popullit të Kosovës, por është një çështje jetike, sepse tërë zhvillimi ekonomik, kulturor te lëvizja e popullatës, marrja frymë, nëse për një shtet mund të thuhet se ka frymëmarrje, varet nga kjo pavarësi, se Kosova, gjatë këtyre tetë vjetëve, nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, në vend se të zhvillohet, ajo ka stagnuar për shumë vite pas.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG