Ndërlidhjet

LYON:"PAS SHPALLJES SË PAVARËSISË, BEOGRADI DO TË KUNDËRPËRGJIGJET"


James LYON, Grupi Ndërkombëtar i Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet për statusin e Kosovës kanë dështuar. Shqiptarët thonë se do të shpallin pavarësinë, ndërsa pala serbe pohon se do ta anuloj ate. Në këto rrethana a ka rrezik nga shpërthimi i dhunës?

JAMES LYON
Aktualisht kërcënimi më i madh nuk vjen nga lëvizja e ushtrisë së Serbisë drejt Kosovës. Në fakt ka rrezik nga mundësia e një rebelimi të nivelit të ulët ose nga përpjekja e shqiptarëve për të bërë pastrim etnik të serbëve. Ka shqetësime nëse kjo mund të ketë efekte në pjesën veriore të Maqedonisë, në rradhët e popullatës shqiptare, dhe në Luginën e Preshevës ku ka një shumicë shqiptare dhe pastaj nëse këto zhvillime do të barten edhe në Bosnjë. Në të gjitha këto raste nuk jam duke folur për lëvizje klasike dhe masovike ushtarake, por për një nivel të ulët të rebelimit, të organizatave paramilitare që kanë dalur nga organizatat ish guerile.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të ndodhë konkretisht një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

JAMES LYON
Beogradi sipas të gjitha gjasave do të përgjigjet duke ndërmarrë veprime kundër pjesës shqiptare të Kosovës. Supozoj se Beogradi do të deklaroi se pjesa shqiptare e Kosovës ka shkelur rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe se janë shkëputur nga shteti sovran i Serbisë. Ky zhvillim do të fokusoj çështjen e coptimit të Kosovës që tashmë ekziston në Kosovë, me ç'rast pjesa veriore do tlë thirrej në rezolutën 1244 dhe në sovranitetin e Serbisë, ndërsa pjesa me shumicën shqiptare do të thotë se është shtet i pavarur. Në këto rrethana Serbia mund të ndërmarrë edhe disa veprime tjera që tash për tash nuk mund të saktësohen siç është ndërprerja e lidhjeve telefonike, ndërprerja e e furnizimit me energjinë që kalon përmes Serbisë deri në Kosovë, dhe mbase mund të provojnë të mbyllin edhe kufinjët. Shtrohet edhe pyetja tjetër se si do të reagoj Beogradi ndaj vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës? Do të tërheqë ambasadorët nga këto vende dhe do të ndërprejë marrëdhënjet diplomatike me këto vende? Do të ftoj qytetarët e Serbisë për të bojkotuar mallrat e këtyre vendeve? Nuk dihet se si do të veproj në ato rrethana Beogradi, por gjithsesi do të reagohet me zemrim dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të nënçmoj gatishmërinë e Beogradit për t'u kundërpërgjegjur.

RADIO EVROPA E LIRË
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të njohin pavarësinë e Kosovës. Edhe sa kohë mendoni se duhet pritur për këtë lëvizje?

JAMES LYON
Presë që Shtetet e Bashkuara të njohin pavarësinë e Kosovës në një formë të shpejtë bashk me Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Pas kësaj pjesa tjetër e vendeve të Bashkimit Evropian gradualisht do të bëjë të njejtën gjë me përjashtim të Qipros, Greqisë, Rumanisë dhe ndoshta Bullgarisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra ju nuk pritni një veprim të Bashkimit Evropian si një trup unik në njohjen e pavarësisë së Kosovës, por njohje individuale nga ana e vendeve të caktuara?

JAMES LYON
Bashkimi Evropian nuk do të jetë i aftë, që si një trup të njohë pavarësinë e Kosovës, sepse mungon uniteti në rradhët e vendeve anëtare. Ata punojnë mbi bazën e koncenzusit. Megjithate shumica e vendeve të Bashkimit Evropian do të njohin Kosovën mbi baza bilaterale.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat është ballafaquar Kosova, sa do të jetë i qëndrueshëm shteti i pavarur i Kosovës?

JAMES LYON
Kosova ka rrugë të gjatë për të bërë. Institucionet e Kosovës tash mund të karakterizohen deri diku funksionale, por me elemente të disfunksionalitetit. Nuk shohim ende shenja të vënjes së shtetit ligjor dhe as shenja që institucionet e Kosovës në një të ardhme të afërt të do të jenë në nivelin për të lëvizuar përpara drejt Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju veproni në Beograd. Cili është disponimi atje tash para 10 dhjetorit?

JAMES LYON
Ka një ndjenjë nervozizmi. Mendoj se shumica e serbëve janë të lodhur me çështjen e Kosovës, ata dëshirojnë ta heqin qafe. Nga viti 1987 ata nuk dëgjojnë asgjë tjetër pos për Kosovën që dominon debatet dhe dialogjet e tyre. Kosova ka monopolizuar çdo gjë në Serbi dhe ka eksploatuar gjithë energjinë politike. Rrjedhimisht, besoj se shumë serbë do të dëshironin që kjo çështje të zgjidhet në një ose formën tjetër. Megjithate është shumë e mundur që në një periudhë Beogradi të vendos vetë – izolimit gjithnjë derisa të kuptoj se çfarë ka ndodhur. Efektet në Serbi do të jenë shumë më serioze se në Kosovë. Përderisa Kosova e ka të qartë idenë se nga dëshiron të shkoj, Beogradi në këtë fazë nuk e di këtë gjë.

Intervistoi: Heather MAHER
XS
SM
MD
LG