Ndërlidhjet

REZULTATET FINALE TË ZGJEDHJEVE PËR KUVEND


Albana Isufi

Rezultatet e zgjedhjeve të 17 nëntorit, të shpallura sot nga Komisioni Qendror Zgjedhor, tregojnë se Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 37 vende në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës 25, Aleanca Kosova e Re 13, koalicioni Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Partia Shqiptare Demokristiane 11, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 10, si dhe 24 vende kanë fituar komunitetet pakicë serbe dhe jo serbe. Partia Reformiste Ora me 4.1 për qind të votave të fituara nuk ka mundur ta kalojë pragun zgjedhor për të hyrë në Parlament. Certifikimi i këtyre rezultateve nuk mund të bëhet nesër (4 dhjetor), siç pati paralajmëruar shefi i UNMIK-ut. “Nuk mund të certifikohen nesër, pasi që nga publikimi i këtyre rezultateve nevojitet një periudhë 48 orëshe për ankesa nga subjektet politike, para së cilës nuk mund të certifikohen. I katërti është nesër dhe rezultatet nuk mund të certifikohen nesër”, tha zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Marku Lamanen. Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar sot vetëm rezultatet për Kuvendin e Kosovës, por jo edhe të zgjedhjeve komunale. Rrjedhimisht, edhe 8 dhjetori, i caktuar si datë kur do të duhej të mbahej balotazhi për kryetarë të komunave, nuk është i sigurt. “Nuk e dimë sot se kur do t’i kemi rezultatet finale për kryetarë të komunave dhe për kuvendin komunal. Mund të shpallen për 1 deri në 3 ditë, por nuk mund ta jap datën sot. Kështu që kjo bën që të mos dimë nëse do ta kemi raundin e zgjedhjeve për kryetarët e komunave të shtunën. Ndoshta po, e ndoshta jo, por unë nuk mund të jap asnjë garanci në emrin tim”, tha Marku Lamanen. Në zgjedhjet e 17 nëntorit, sipas rezultateve të KQZ-së, kanë votuar 40.10 për qind prej 1 milion e 500 mijë personave me të drejtë vote. Mbi 34 mijë vota janë shpallur të pavlefshme. Ndërsa, rezultatet nga 31 vendvotime ku ka pasur manipulime, nuk janë marrë fare parasysh. Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, theksoi sot se në ato vendvotime nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve. “Të gjitha ato vendvotime që KQZ-ja i ka anuluar, gjithnjë edhe në bazë të vendimit të KZAP-it, janë përjashtuar nga rezultatet përfundimtare; nuk do të ketë rinumërim e as përsëritje të zgjedhjeve atje”, tha Baraliu. Në anën tjetër, shefi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Norbert Koster, ka thënë sot se parregullsitë që janë shënuar në këto vendvotime, kanë qenë manipulime të qëllimta. “Kanë qenë diku 100 ankesa për shkelje të kodit të sjelljes në vendvotime dhe manipulime nga anëtarët e komisioneve. I kemi pasur dy lloje të ankesave; e para, votuesve u është lejuar që të votojnë pa u nënshkruar, duke u mundësuar atyre që të votojnë nga disa herë, apo edhe më e keqja, anëtarët e komisionit kanë mbushur vetë fletëvotimet. E dyta, ka qenë zhvleftësimi i fletëvotimeve gjatë procesit të numërimit. Njerëzit që kanë numëruar votat, i kanë zhvleftësuar ato me lapsat kimikë që kanë mbajtur në duar”, ka thënë Koster, duke shtuar se tashmë kanë filluar edhe hetimet për t’i identifikuar personat që kanë manipuluar votat e qytetarëve. “Kemi indikacione se cilët njerëz kanë qenë të përfshirë. Ne do t’i dërgojmë këto raste në Zyrën e Prokurorisë. Paralelisht, ne kemi kompetenca që t’i gjobisim subjektet politike që i kanë nominuar ata njerëz. Nëse do të kemi rezultate të qarta gjatë hetimit përveç gjobave për partitë, kemi fuqinë që t’i pengojmë këta njerëz të jenë pjesë e zgjedhjeve për 6 vjetët e ardhshëm”, tha Koster. Megjithatë, Koster thotë se vendvotimet e anuluara përbëjnë vetëm 1.3 për qind të të gjitha vendvotimeve dhe mosnumërimi i këtyre votave nuk ndryshon rezultatin final.
XS
SM
MD
LG