Ndërlidhjet

SLLOVAKIA VAZHDON TA MBËSHTESË NJË ZGJIDHJE KOMPROMISI PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi

Sllovakia mbështet vazhdimin e negociatave për statusin e Kosovës deri në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për palët në bisedime dhe nuk e përkrah ndonjë vendim të njëanshëm, ka thënë sot në Prishtinë, ministri i jashtëm sllovak, Jan Kubis. Këto qëndrime të Qeverisë sllovake, Kubis ua ka transmetuar sot, në Prishtinë, presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Kubis tha se status quo-ja nuk është e pranueshme, por as vendimet e njëanshme të Kosovës nuk mund të përkrahen nga Qeveria sllovake, e cila, sipas tij, e mbështet zgjidhjen që do të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit. “Ne ende besojmë se mënyra më e mirë është që të kemi zgjidhje të negociuar kompromisi dhe ne gjithmonë jemi shprehur kundër akteve të njëanshme”, tha Kubis. Ministri sllovak u angazhua që Rezoluta 1244 të respektohet në Kosovë, përderisa ajo të jetë në fuqi. Ndërkohë, ai tha se ka ende vend për diskutime deri në arritjen e marrëveshjes për statusin e Kosovës. Kubis tha se pozicioni final i Sllovakisë në raport me statusin e Kosovës do të jetë në harmoni me pozicionin e Bashkimit Evropian dhe në këtë aspekt, ai tha se pret që BE-ja ta marrë një rol shumë më aktiv në Kosovë. Kubis tha se vendi i tij e mbështet misionin e ardhshëm civil ndërkombëtar në Kosovë, si dhe premtoi mbetjen dhe shtimin e trupave sllovake në kuadër të KFOR-it. Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se bisedimet Prishtinë – Beograd i kanë shterur të gjitha mundësitë e arritjes së kompromisit. Ai tha se Prishtina pret tani që Treshja t’ia paraqesë edhe raportin final Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe më pas, sipas tij, Parlamenti i Kosovës do ta marrë vendimin e duhur për statusin. “Qëndrimi jonë është që nuk duam bisedime dhe nuk pranojmë bisedime të tjera. Natyrisht se do të ecet në një lëvizje të përbashkët pas raportit të Treshes, apo të koordinuar, në një moment të duhur, për marrjen e vendimit nga ana e Parlamentit të Kosovës”, theksoi presidenti Sejdiu. Ai tha se pret që Bashkimi Evropian të marrë një pozicion të qartë për statusin e Kosovës, ndërkaq Prishtina, sipas tij, do t’i koordinojë hapat e ardhshëm me Brukselin, përderisa ministri Kubis tha se do të ketë diskutime të gjata, pasi që nuk është vetëm Sllovakia, sipas tij, ajo që ka rezerva lidhur me deklarimin e njëanshëm të pavarësisë së Kosovës. Kubis rikujtoi se BE-ja duhet të ketë qëndrim të qartë për Kosovën, duke pasur parasysh edhe misionin e ardhshëm civil ndërkombëtar, që mendon ta instalojë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG