Ndërlidhjet

RUECKER CERTIFIKON REZULTATIN E ZGJEDHJEVE DHE INKURAJON NJË QEVERI KOALICIONI TË GJERË


Zijadin Gashi

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker, ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve të 17 nëntorit. Njëkohësisht, Ruecker ka marrë vendim edhe në lidhje me kuvendet komunale dhe kryetarët e komunave me shumicë serbe apo me popullatë të përzier, ku pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ishte shumë e ulët. Në një konferencë për media, shefi i UNMIK-ut tha se kishte pranuar raportet e OSBE-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionit për Ankesa e Parashtresa dhe bazuar në këto raporte, kishte konkluduar rregullsinë e zgjedhjeve dhe rezultatit. “Unë e kam certifikuar dhe nënshkruar rezultatin e zgjedhjeve”, ka konfirmuar Ruecker. Me certifikimin e rezultatit, Ruecker i ka hapur rrugën edhe formimit të qeverisë së re. Shefi i UNMIK-ut tha se ai do të inkurajonte një koalicion qeverisës të gjerë dhe të qëndrueshëm. Çështja e dytë që Ruecker ka potencuar, ishte marrja e vendimeve për 5 komunat, në të cilat bashkësia serbe përbën shumicën apo jeton në një numër të konsiderueshëm. Ai ka bërë një ndarje mes dy komunave në pjesën qendrore të Kosovës dhe tri komunave në veri, ku shumicën absolute e përbëjnë serbët. “Për tri komunat në veri, unë nuk do t’i certifikoj rezultatet e zgjedhjeve si për kuvendin komunal, ashtu edhe për kryetarët e komunave”, tha Ruecker. Moscertifikimi i rezultatit në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, sipas tij, arsyetohet me faktin se atje kishte një dalje shumë të ulët në votim. Kështu që duke u thirrur në autorizimet e tij dhe në precedentin e vitit 2000, Ruecker ka marrë vendim që atje t’i emërojë përfaqësuesit serbë në kuvendin komunal dhe kryetarët e këtyre tri komunave. Në fakt, ky emërim u tha se është i përkohshëm për gjashtë muajt e ardhshëm dhe ka të bëjë me zgjatjen e mandatit të ish-zyrtarëve të deritashëm në këto komuna. Ndërkaq, sa u përket Novobërdës dhe Shtërpcës, edhe aty shefi i UNMIK-ut ka emëruar për gjashtë muaj përfaqësuesit serbë në kuvendet komunale, duke rikompozuar asambletë komunale edhe me këshilltarët shqiptarë, që janë zgjedhur më 17 nëntor. Mirëpo, për kryetarët e komunave, shefi i UNMIK-ut ka vendosur që në Shtërpcë, bazuar në shumicën e banorëve, për kryetar të komunës të emërojë një serb, ndërkaq në Novobërdë, ku popullata ka një përqindje të barabartë, zgjidhet kryetari shqiptar, në bazë të rezultatit zgjedhor. Ruecker tha se nuk mund ta parashikojë qysh tash se çfarë vendimi do të pasojë pas 6 muajsh nëpër këto komuna, ku ai ka emëruar përfaqësuesit serbë. Pas gjashtë muajsh, sipas tij, me siguri se kjo çështje do t’i takojë Kosovës, pasi që deri atëherë, ai tha se pret që statusi të jetë i zgjidhur. Ruecker tha se i kupton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe frustrimet e tyre se statusi duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur pas datës 10 dhjetor, kur Treshja përfundon mandatin me dorëzimin e raportit te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. “Pres që Grupi i Kontaktit të dalë me konkluzione dhe pres që edhe Bashkimi Evropian të dalë me konkluzione për statusin, sepse kjo është shumë e rëndësishme”, tha Ruecker. Ndërkaq, në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, Ruecker tha se UNMIK-u do të kërkojë instruksione nga Nju Jorku, se si të veprohet. Sidoqoftë, Ruecker tha se beson që kosovarët e kanë kuptuar procesin dhe do t’i përkrahin institucionet dhe përfaqësuesit e zgjedhur, që ta çojnë procesin deri në fund.

XS
SM
MD
LG