Ndërlidhjet

KAIDANOW PËRGËZON SHKOLLIMIN E KOSOVARËVE NË SHBA


Arton Konushevci

Qytetarë kosovarë që kanë përfituar bursa të ndryshme për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që kanë studiuar atje, kanë themeluar sot në Prishtinë shoqatën ‘Alumnitë Kosovarë në Shtetet e Bashkuara’. Ata po ashtu kanë mbajtur edhe asamblenë e parë. E pranishme në këtë ceremoni ka qenë edhe shefja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow, e cila edhe vetë është pjesë e këtij rrjeti. Ajo ka thënë se qytetarët, të cilët janë pjesë të kësaj shoqate, do të jenë njerëzit më me ndikim në zhvillimin e së ardhmes së Kosovës. “Ju jeni një grup shumë i rëndësishëm, për të cilin ne shpresojmë se do të ketë një ndikim shumë të madh në zhvillimin e së ardhmes së Kosovës. Ju keni sfond të ndryshëm, si në art, biznes, shoqëri civile dhe qeverisje. Nuk e di nëse ka ndonjë grup tjetër që sjell së bashku kaq shumë diversitet dhe njerëz inteligjentë”, u shpreh Kaidanow. Ajo u ka thënë pjesëmarrësve se ata mund t’i shkëmbejnë përvojat e tyre me qytetarë të ndryshëm të rajoneve të ndryshme, sikurse që mund të përfitojnë edhe në të ardhmen prej programeve të sponsorizuara nga SHBA-të. Zonja Kaidanow ka përmendur edhe personalitete të njohura, që janë pjesë e një rrjeti të tillë, siç është shoqata që u formua sot. "Në një grup të tillë janë Nelson Mandella, Toni Bler, Margaret Theqer e shumë e shumë të tjerë. Po ashtu, shpresojmë se ky rrjet do t’ju lidhë me Zyrën Amerikane në Prishtinë dhe me Qeverinë amerikane në SHBA”, ka thënë Kaidanow. Shoqata ‘Alumnitë Kosovarë në Shtetet e Bashkuara’ financohet nga Zyra Amerikane në Prishtinë, ndërsa Mimoza Kusari Lila është zgjedhur kryetare e kësaj shoqate.
XS
SM
MD
LG