Ndërlidhjet

PJESËMARRJE E ULTË NË VOTIMET PËR BALOTAZH


Albana Isufi

Numri i votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, deri në orët e pasdites, ka qenë i ultë, gjë që ka bërë që edhe zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor të shprehin pakënaqësi. Kreu i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se numër relativisht i vogël vërehet pothuaj në të gjitha vendvotimet. “Përgjigja e votuesve nuk ka qenë e dëshirueshme deri në orët e tanishme, ndonëse, ku më shumë, e ku më pak, por relativisht e ultë. Nuk jemi të kënaqur me pjesëmarrjen, por shpresojmë se në orët e mëvonshme do të kemi më shumë votues, që do t’i kryejnë punët ditore dhe do t’i përkushtohen procesit të votimit”, tha Baraliu. Në anën tjetër, edhe Ilir Dugolli, nga koalicioni ‘Demokracia në Veprim’, koalicion ky që po vëzhgon zgjedhjet në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, thotë se numri i votuesve është dukshëm më i vogël se në zgjedhjet e 17 nëntorit. “Problem mbetet numri i vogël i votuesve që kanë dalë deri tani dhe kjo është e pranishme në të gjitha rajonet e Kosovës”, pohoi Dugolli. Zyrtarë të KQZ-së thonë se procesi i votimit është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt. Megjithatë, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, ka njoftuar për një incident në Carrallukë të Malishevës, si pasojë e të cilit vendvotimi është mbyllur për 30 minuta. “Kemi të bëjmë me prishje të rendit dhe të qetësisë publike. Katër personat që kanë qenë të përfshirë në këtë rast, janë identifikuar dhe po intervistohen nga policia”, tha Elshani. Ndryshe, ai tha se procesi i votimit, në të cilin po ndihmojnë edhe rreth 7 mijë pjesëtarë të SHPK-së, në përgjithësi është duke kaluar qetë. Ndërkaq, Ilir Dugolli tha se është shqetësues fakti se ngjyra që u vihet votuesve në gisht, para se të votojnë, në disa rajone është lehtë e shlyeshme, gjë që mund t’i shtojë gjasat për votime të shumëfishta. “Një gjë shqetësuese që vjen nga shumë rajone, se masat e ndërmarra për ta parandaluar votimin për më shumë se një herë, nuk duken të jenë në nivel aq të lartë dhe kjo ka të bëjë me ngjyrën që është përdorur në gishta. Kjo vërehet në rajonin e Gjilanit, Pejës, Prizrenit, Gjakovës. Ka indikacione se ngjyra hiqet shumë lehtë dhe nuk detektohet më pas. Kështu që teorikisht kjo lejon mundësinë që një person të votojë disa herë”, tha Dugolli. Por, Mazllum Baraliu ka siguruar se nuk mund të ketë manipulime me këtë çështje. ”Ajo është ngjyrë, e cila jo vetëm që nuk shlyhet, por mbetet fare; edhe kur nuk duket, ajo mund të detektohet. Ai që e ka ngjyrën në gisht, nuk mund të votojë për herë të dytë, pasi ajo zgjat tri ditë”, theksoi Baraliu. Ndryshe, vendvotimet janë hapur edhe në rajonet serbe, të cilat janë pjesë e komunave ku garohet për kryetarë komunash, por Dugolli thotë se nuk ka pasur të interesuar për të votuar. Gara për balotazh zhvillohet në 23 komuna, në të cilat do të garojnë dy kandidatë, që në rrethin e parë nuk kanë marrë numrin e nevojshëm të votave për ta marrë postin e kryetarit të komunës. Të drejtë vote kanë mbi 1 milion qytetarë të Kosovës, përderisa procesi zgjedhor po monitorohet nga 26 mijë vëzhgues vendës dhe ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG