Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR FUNDIN E NEGOCIATAVE MBI STATUSIN


Raportet midis Moskës dhe Perëndimit kanë qenë të brishta kohët e
fundit, por ato pritet të dobësohen edhe më shumë gjatë këtij muaji, me përfundimin e përpëlitjeve diplomatike rreth pavarësisë së Kosovës. Kështu shkruan në numrin e sotëm e përditshmja "Wall Street Journal", duke rikujtuar se mospajtimet rreth Kosovës janë në kuadër të disa kundërshtimeve diplomatike midis Moskës dhe Perëndimit, që radhiten nga trysnia që duhet ushtruar mbi Iranin për programin e tij
bërthamor, zgjerimi i Aleancës Veri-atlantike e deri tek vendosja e
mbrojtjeve raketore në ish-vendet komuniste të Evropës. Gazeta shkruan se të mërkurën hyn në fuqi edhe vendimi i Moskës për të pezulluar pjesëmarrjen në Traktatin për Armët Konvencionale në Evropë, me të cilën janë kufizuar lëvizjet dhe ndërtimi i armatimit të rëndë që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Diplomatët perëndimorë thonë se ky vendim është simbolik, por sinjalizon rritjen e tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimit, rreth mospajtimeve territoriale nga Ballkani deri në Kaukaz. Pas përfundimit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe numri dërrmues i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian duan ta imponojnë planin origjinal të Kombeve të Bashkuara, për një pavarësi të mbikëqyrur në Kosovë, shkruan "Wall Street Journal". Por, Moska dëshiron që bisedimet të vazhdojnë derisa të dyja palët të mos arrijnë ndonjë marrëveshje mbi statusin. Brenda në Kosovë, shkruan gazeta, Moska ka dhënë shenja se do ta bllokojë zgjatjen e mandatit të OSBE-së dhe me një vendim të këtillë do të largohej një sistem që ndihmon në mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, kryesisht asaj serbe në Kosovë. Edhe vendimi për vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian duhet të presë deri në janar. Bashkimi Evropian është duke llogaritur në një letër, me të cilën Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, do ta ftojë bllokun evropian të marrë përsipër misionin në Kosovë, për të shmangur kësisoj veton ruse në çfarëdo rezolute të re të Këshillit të
Sigurimit mbi Kosovën, shkruan në fund "Wall Street Journal".
E përditshmja tjetër "New York Times" shkruan se Kosova po i afrohet
shpalljes së pavarësisë, por ndërkohë shqetësimet janë shtuar mbi
hapat që Serbia dhe serbët në veri të Kosovës do të mund t'i
ndërmarrin si kundërpërgjigje, nëse Kosova shpall pavarësinë. Zyrtarë
të Kombeve të Bashkuara thonë se shkëputja e marrëdhënieve tregtare me Serbinë nuk do të ishte edhe aq e dëmshme për Kosovën, meqë ajo
tregtinë e realizon me Maqedoninë. Por, këta zyrtarë janë më shumë të
shqetësuar mbi mundësinë që Serbia ka për ta penguar furnizimin me
rrymë, gjë që do të shkaktonte probleme të mëdha në ekonominë e
Kosovës, e cila edhe tash radhitet në mesin e vendeve më të varfra
të Evropës. "New York Times" shkruan se edhe më alarmuese se kjo, për zyrtarët e Kombeve të Bashkuara, është mundësia që pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës të shkëputen nga kjo forcë policore dhe t’i adoptojnë uniformat serbe, hap ky i cili do të mund ta provokonte reagimin e dhunshëm të shqiptarëve. "New York Times" citon zëvendësin e parë të shefit të administratës ndërkombëtare, Steven Schook, të ketë thënë se "nuk ka informacione nëse një gjë e këtillë do të ndodhë", por, megjithatë, ka thënë ai, "do të ishte e papërgjegjshme që kjo çështje të mos adresohet".
XS
SM
MD
LG