Ndërlidhjet

JONUZ MUSLIU: KËRKOJMË TËRHEQJEN E USHTRISË NGA LUGINA E PRESHEVËS


Intervistë me Jonuz Musliun, lider politik nga Lugina e Preshevës

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni kërkuar tërheqjen e forcave ushtarake të Serbisë nga Lugina e Preshevës. Si e arsyetoni këtë kërkesë?

JONUZ MUSLIU
Ne, Lëvizja e Progresit Demokratik, ditëve të fundit, i jemi drejtuar Këshillit të Sigurimit, NATO-s dhe OSBE-së, ku kemi pasur takim edhe me ambasadorët që janë të akredituar në Beograd. U deklaruam për shqetësimet tona, për forcat që janë të stacionuara në Luginë të Preshevës. Duke u nisur nga proceset e dala nga Marrëveshja e Paqes së Konçulit të vitit 2001, konform referendumit të vitit 1992, platformës së këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve, kemi kërkuar demilitarizimin e rajonit në suaza të paqes, për krijimin e ambientit të qetë dhe stabil për gjithë qytetarët në këtë rajon, implementimin e marrëveshjes së paqes, krijimin e kushteve për kthimin e të zhvendosurve dhe kompensimin e dëmeve materiale, të shkaktuara gjatë periudhës së luftës, integrimin e shqiptarëve në mënyrë proporcionale në sektorët shtetërorë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa po respektohen kërkesat e juaja dhe cili është numri i forcave ushtarake që janë në Luginë të Preshevës deri tani?

JONUZ MUSLIU
Ne nuk kemi ndonjë numër të saktë. Më së miri e dinë ministritë që dërgojnë forca shtesë. Ata u prononcuan për 700 trupa shtesë. Sa më afër që vjen zgjidhja e statusit të Kosovës, aq më shumë po shtojnë forca në Luginë të Preshevës. Ne e dimë se Serbia nuk mund të hyjë në Kosovë, pasi që është KFOR-i, UNMIK-u, që bëjnë paqen, bëjnë sigurimin e kufijve të Kosovës. Por, qëllimi kryesor është te shpërngulja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës; për këtë jemi të shqetësuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju mendoni se jeni viktimë e problemit të Kosovës dhe ka spastrim etnik?

JONUZ MUSLIU
Jo, nuk mendoj se jemi viktimë, por, megjithatë, mund të ndodhë diçka, sepse çdo gjë është në këtë kontekst.

RADIO EVROPA E LIRË
Si vërehen në jetën normale të një qytetari të Luginës së Preshevës këto probleme? Si e vëreni ju se ka numër shtesë të forcave policore?

JONUZ MUSLIU
Në çdo hap mund të haset në lëvizje, në makina transportuese, e mos të flas në male, në Karadakun e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, se ka shumë forca të shtuara, e posaçërisht natën lëvizin më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni të shqetësuar për gjendjen aktuale në Luginë të Preshevës?

JONUZ MUSLIU
Mu për këtë shqetësim, kemi kërkuar nga faktori ndërkombëtar që sa më urgjentisht të vijë një forcë fizike e armatosur, për ta ndërtuar paqen në Luginën e Preshevës, për ta bërë sigurinë, edhe për serbët, edhe për shqiptarët, edhe për romët.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju kërkoni paqe për Luginën e Preshevës dhe asnjë kërkesë tjetër?

JONUZ MUSLIU
Po, natyrisht, edhe kërkesat tjera, ta shohim si do të shkojnë, në çfarë rruge do të ecin proceset. Ne kemi marrëveshjen e paqes, kemi kërkuar çdoherë të zgjidhet problemi politik i Luginës së Preshevës dhe është koha e zgjidhjes së problemit politik.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka reagime nga Qeveria e Serbisë lidhur me kërkesat e juaja?

JONUZ MUSLIU
Me shkrim, ende asgjë, përveç deklaratave, të cilat nxjerrin në gazeta; nuk janë tërhequr këto forca nga Lugina e Preshevës, përkundër reagimeve që kemi bërë.
Intervistoi: Idriz Seferi
XS
SM
MD
LG