Ndërlidhjet

WISNER: SHBA-TË SHPEJT DO VENDOSIN PËR ZBATIMIN E PAVARËSISË SË MBIKQYRUR


Frank Wisner, i dërguari i SHBA-ve për statusin

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador Wisner a mund të themi me siguri, së paku nga këndvështrimi amerikan, se procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar?

FRANK WISNER
Po, kështu është. Mund të themi se nga pikëpamja amerikane pas dy vite negociatash që rezultuan me një propozim të thelluar të ish presidentit Marti Ahtisari dhe pas 120 ditë bisedimesh intensive me ndërmjetësimin e treshes amerikano, evropiane, ruse kemi arritur në përfundimin se asnjë negociatë shtesë nuk do ndryshonte situatën. Të dyja palët i kanë mbetur besnike qëndrimeve të veta, Serbia për autonomi dhe Kosova për pavarësi të plotë. Asnjë bisedim shtesë nuk do ta ndryshonte situatën. Tani i takon qeverive të marrin vendimin se si do ta menaxhojnë përfundimin e bisedimeve. Por bisedimet shtesë nuk kanë më kuptim.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur bashkësia ndërkombëtare vendosi për bisedime shtesë, kjo u interpretua si kompromis ndaj Serbisë dhe Rusisë. A ishte i vlefshëm një vendim i tillë dhe pse?

FRANK WISNER
Nuk do ta përcaktoja vendimin plotësisht si ju. Unë do të thosha se 120 ditët i ofruan Serbisë dhe Kosovës që të shohin tek të gjitha mundësitë që do të conin në një zgjidhje kompromisi. Atyre iu dha kjo mundësi. Por dhe bota, përfshi Bashkimin Evropian pati mundësi të shikonte dhe diskutonte. Sot pas 120 ditësh është më se e qartë se nuk ka mundësi për kompromis, dhe palët duan të qëndrojnë tek pozicionet e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas 10 dhjetorit përfaqësuesi rus në treshen ndërmjetësuese tha se Moska do kërkojë nga Këshilli i Sigurimit të anullojë cdo vendim për pavarësi të marrë nga Prishtina. Në kushte të tilla, a ka qenë i vështirë bashkëpunimi në treshe kur secili ka pasur qasje të ndryshme?

FRANK WISNER
Nuk ishte e vështirë të punonim së bashku. Ne ishim të bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët dhe kjo ishte t'i jepnim palëve mundësinë maksimale të gjenin kompromisin. Kur kjo nuk ndodhi dhe të tre ishim të zhgënjyer.
Në këtë pikë Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndrime të ndryshme për të ardhmen.
Ne mendojmë se vazhdimi i bisedimeve është i pakuptimtë dhe se është koha të marrim një vendim. Ky vendim do merret ndërmjet Shteteteve të Bashkuara dhe miqve e aleatëve tanë në bashkësinë ndërkombëtare gjatë javëve në vazhdim. Pres që më në fund statusi përfundimtar të zgjidhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian nuk ka ende një qëndrim unik për statusin e Kosovës, megjithë përparimin e arritur në takimin e fundit. A besoni se vendet anëtare do arrijnë t'i tejkalojnë dallimet dhe Bashkimi Evropian do jetë unik ndaj Kosovës?

FRANK WISNER
Kjo është shpresa ime dhe e Shteteve të Bashkuara. Por do të thoja se Bashkimi Evropian dhe shumë zëra në të e kanë kuptuar rëndësinë e këtyre 120 ditëve. Ishte një mundësi për palët të gjenin një qëndrim të përbashkët, c'ka nuk qe e mundur. Tashmë është e qartë për evropianët, ashtu sic është dhe për SHBA-të se nuk do ketë një zgjidhje kompromisi. Prandaj duhet marrë vendimi për statusin pasi status quo-ja nuk është e qëndrueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se varet nga qeveritë të vendosin mbi statusin e Kosovës. Por kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurimit më 19 Dhjetor ku do diskutohet raporti i treshes. Nga pikëpamja ligjore i takon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara apo ndonjë strukture tjetër të vendosë si do procedohet përpara?

FRANK WISNER
19 dhjetori është një datë e rëndësishme për KS-në dhe debatin e tij. Kosova është nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ndaj ky i fundit duhet të thotë fjalën e vetë në këtë cështje.
Njëherësh qeveritë e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe ato që nuk janë pjesë e këtij Këshilli duhet të marrin vendime. Shpresojmë që kjo të ndodhë. Kjo do ndodhë nga ana amerikane dhe vendimi do merret bazuar në planin Ahtisaari për pavarësi të mbikqyrur. Dhe vendimi nuk do vonojë që të vijë.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti serb deklaroi se do ta cojë cështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare. Nëse kjo ndodh a mund të ketë ndikim në kohën e vendimmarrjes?

FRANK WISNER
Serbia ka të drejtën e saj sovrane që ta cojë cështjen në gjykatën botërore apo kudo tjetër që mendon. Kjo është plotësisht e kuptueshme dhe nuk kemi ndonjë kundërshtim. Ne mendojmë se është koha e duhur për ta zgjidhur cështjen, pasi ka qenë e hapur për shumë kohë. Për tetë vjet Kosova ka qenë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara që e kanë bërë punën e tyre. Status quo-ja nuk mund të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se është koha për vendime. Sipas jush cila do jenë afatet kohore kur do shohim vendimin?

FRANK WISNER
Mendoj se kjo cështje do zgjidhet në ditët dhe javët në vazhdim. Nuk ka afate të caktuara, qeveritë duhet ta ndajnë mendjen. Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare gjithë këto muaj që të përmbyllet kjo cështje. Kjo cështje duhet të zgjidhet. Sic e përsërita dy herë më sipër status quoja nuk mund të vazhdojë dhe është koha për vendimmarrje.

Bisedoi: Ilirjana A. BAJO

XS
SM
MD
LG