Ndërlidhjet

SHPALLJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRBALLË STRUKTURAVE PARALELE SERBE


Albana Isufi

Analistët kosovarë konsiderojnë se ashtu edhe siç e ka thënë, Beogradi zyrtar do t’i përforcojë strukturat paralele në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci, mendon se deklarimi publik i zyrtarëve serbë për këtë çështje, përveç se është provokues, është synim për ndarjen e Kosovës. Peci nuk mendon se strukturat paralele do të shpërbëhen me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Ato nuk do të zhduken brenda natës, do të kemi probleme fillestare, por gjendja në veriun e Kosovës dhe në pjesën qendrore do të ndryshojë me të madhe. Kjo, sepse pjesa veriore do të jetë në një formë e shkëputur, në atë pjesë do të ketë qasje KFOR-i, deri diku zyra e Unionit Evropian për veriun, që do të jetë një zyrë e posaçme me qendër në Mitrovicë”, tha Peci. Edhe ligjëruesi i së drejtës ndërkombëtare, Qerim Qerimi, thotë se forcimi i strukturave paralele në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është një gjë e pritshme. “Është qëndrim i natyrshëm, meqë Beogradi zyrtar, në mënyrë konsistence deri më sot, ka ndjekur këtë politikë të forcimit të strukturave paralele brenda Kosovës dhe në planin faktik janë krijuar institucionet, që funksionojnë në mënyrë autonome brenda Kosovës. Është diçka e pritshme, që shkon në harmoni me qëndrimet që i ka mbajtur deri tash Beogradi zyrtar”, pohoi Qerimi. Por, në anën tjetër, Dukagjin Gorani, këshilltar për siguri i mandatarit për kryeministër të Kosovës, Hashim Thaçit, thotë se presioni i Beogradit do të vazhdojë, por, sipas tij, qeveria e ardhshme do ta fillojë betejën për ta fituar besimin e qytetarëve serbë të Kosovës, për ta kuptuar Kosovën si një vendlindje të tyre. “Këtu do të bëhet çmos që të mund të krijohet besimi te popullata serbe, që të krijohet partneriteti, një platformë e gjithë shoqërisë, e qytetarëve të të gjitha komuniteteve, e veçanërisht atyre serbë, që Kosova të kuptohet si shtet i prosperitetit dhe vendlindje e tyre autentike, që realisht ofron kushte për një zhvillim maksimal. Kjo do të jetë mundësia e vetme dhe beteja më e madhe që udhëheqja e ardhshme politike shqiptare do ta bëjë karshi komunitetit serb”, tha Gorani. Përderisa liderët shqiptarë po synojnë një shpallje të koordinuar të pavarësisë me komunitetin ndërkombëtar, dilema mbetet se sa do të jetë e zbatueshme pavarësia në tërë territorin e Kosovës. Disa përfaqësues kanë thënë se nuk do ta shohin Prishtinën si qendër, ndërsa institucionet e Beogradit zyrtar do të vazhdojnë ushtrimin e funksioneve të tyre jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në enklavat tjera serbe në Kosovën qendrore. Qerim Qerimi shpreh dyshimin se institucionet e reja të Kosovës do të jenë në gjendje që të ushtrojnë kontroll efektiv në tërë territorin e Kosovës. “Duket pak problematike që ato pjesë të kontrollohen në mënyrë efektive; kjo deri në një masë garantohet me planin e presidentit Ahtisaari, që i jep pushtet të madh zonave të mbrojtura dhe këto lloj pushtetesh ua japin atyre edhe një mundësi më të madhe që t’i forcojnë këto lloj idesh të kontrollit faktik të pjesëve të caktuara të territorit të Kosovës”, tha Qerimi. Por, Dukagjin Gorani është i bindur se pavarësia do të jetë e zbatueshme në tërë territorin e Kosovës. “Garantimi i tërësisë territoriale të Kosovës nuk është ekskluzivisht çështje e një vendimi dhe dëshire vendore. Pra, statusi i Kosovës dhe tërësisë territoriale do të jenë çështje e një vendimi ndërkombëtar dhe angazhimi ndërkombëtar”, theksoi Gorani. Por, për këtë çështje nuk është shumë i bindur Lulzim Peci, i cili mendon se sa i përket veriut të Kosovës, ajo që do të jetë tregues i shkëputjes apo mbetjes në Kosovë, do të jetë funksionimi në këtë pjesë i SHPK-së dhe i Shërbimit Doganor të Kosovës. “Nëse këto mbesin, atëherë ka shpresë se situata dalëngadalë do të rregullohet, por nëse pamundësohet funksionimi i SHPK-së dhe i doganave, atëherë pjesa e veriut do të shndërrohet në një zonë të konfliktit të ngrirë të tipit të Transvestrisë”, tha Peci. Ndryshe, Dukagjin Gorani thekson se Beogradi zyrtar deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, do t’i rrisë edhe më tej kërcënimet dhe provokimet. Së fundi, Qeveria serbe ka hapur një zyrë ministrore në veri të Kosovës, e cila ka nxitur reagimin e administratës ndërkombëtare dhe të institucioneve të Kosovës, duke e konsideruar këtë akt si provokim të hapur dhe shkelje të Rezolutës 1244.

XS
SM
MD
LG