Ndërlidhjet

ANDERSON: ME EMBARGON PËR KOSOVËN, MË SHUMË HUMB VETË SERBIA


Albana Isufi

Vënia e sanksioneve ekonomike, të energjisë si dhe të lëvizjes së lirë për Kosovën, në rast se ajo shpall pavarësinë, sipas ekspertëve, do t’i bëjë më shumë dëm ekonomisë së Serbisë, sesa asaj kosovare. Aleks Anderson, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, mendon se fillimisht embargoja do të ketë ndikim negativ për të dy vendet. “Aktualisht, rreth 15 për qind e tregtisë legale bëhet me Serbinë, por ndoshta ka shumë më shumë shkëmbim tregtar që vjen përmes kufijve Kosovë-Serbi, pra mall që kontrabandohet. Ka dallim të madh rreth TVSH-së së aplikuar për mallrat kosovare në Serbi dhe anasjelltas dhe është në interes të serbëve në veri që ta mbajnë këtë tregti. Madje, edhe pse ka një interes të fuqishëm biznesi në Beograd dhe të liderëve radikalë në veri, që janë shumë të afërt me Partinë Demokratike të Koshtunicës, të dyja palët do të kenë interes për ta vazhduar këtë lloj tregtie. Megjithatë, është e mundur që të shohim embargo tregtare dhe kufizime tjera nga Serbia, në atë pjesë që e lidh Kosovën me vendbanimet e banuara me shqiptarë, pra me Luginën e Preshevës”, tha Anderson. Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin Riinvest, Alban Hashani, thotë se embargoja ekonomike ndaj Kosovës do të shkaktojë pengesa në një plan afatshkurtër, por, sipas tij, Kosova në planin afatgjatë do të gjejë alternativa tjera. “Kërcënimi që u bë nga Beogradi, është pak i mbivlerësuar dhe Beogradi e mbivlerëson rolin e tij për embargon për Kosovën. Sidoqoftë, një embargo e tillë në periudhën afatshkurtre do kishte ndikim, pasi është kjo periudhë kur ne do të tentonim të gjenim tregje të reja. Por, sa i përket periudhave afatgjata, Kosova do të gjejë burime tjera alternative dhe kjo do të kishte implikime afatgjate për ekonominë e Serbisë, sepse ajo do ta humbë tregun e Kosovës, i cili deri në atë kohë do t’i gjejë burimet alternative”, tha Hashani. Por, Anderson mendon se pavarësisht se është thënë se do të vendoset embargoja, në realitet nuk do të jetë lehtë për Serbinë që ta bëjë një hap të tillë. “Nuk mendoj se në realitet vendosja e embargos do të jetë gjë e lehtë për Serbinë. Ka shumë lobim politik në Serbi dhe veri që të vendoset një embargo e tillë. Por, kemi Maqedoninë dhe Malin e Zi, që mund të përdoren për ta shmangur një embargo të tillë. Për më tepër, shumë kompani dhe biznesmenë kosovarë kanë përdorur furnizimet e Serbisë, pasi ka qenë e lehtë për ta që ta bëjnë këtë, ka pasur furnizime tradicionale, është gjuha e përbashkët, meqë shumica e shqiptarëve flasin gjuhën serbe dhe ka qenë relativisht lehtë për ta. Sidoqoftë, nëse Serbia vendos embargo, do të shkaktojë vështirësi në planin afatshkurtër, por duke e bërë këtë, duke e lëvizur tregun kosovar në vendet tjera, më duket se vendoset logjika e njëjtë, sikurse pas bombardimit të NATO-s, kur biznesmenët serbë nuk donin ta furnizonin tregun kosovar”, u shpreh Anderson. Ndryshe, edhe Alban Hashani thotë se në rast të një embargoje të tillë, Kosova do të orientohej nga tregjet tjera rajonale dhe të Bashkimit Evropian. “Në periudhë afatgjate, kjo do mund të rikuperohej, pasi ne do të riorientoheshim kah vendet tjera të rajonit dhe të BE-së dhe kjo të ishte në favor të Kosovës, pasi embargoja për Kosovën nuk do të kishte implikim për Kosovën, por edhe për rajonin - Maqedoninë, Shqipërinë e Greqinë. Dhe, një gjë e tillë do ta shtonte presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë, për të mos ardhur deri te një embargo e tillë ekonomike”, theksoi Hashani. Ndërkohë, edhe për pengesat në furnizimin me energjinë elektrike, zyrtarët kosovarë janë shprehur të bindur se ‘askush nuk mund ta lë Kosovën në terr’. Në anën tjetër, Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se tashmë ka nisur përgatitjet, që në rast të një embargoje të tillë, furnizimi me mallra të mos ndalohet nga vendet tjera të rajonit.

XS
SM
MD
LG