Ndërlidhjet

FITZGERALD: KFOR-I I PËRGATITUR PËR ÇDO SITUATË


Arton Konushevci

“Kam marrë besimin e plotë nga udhëheqësit ndërkombëtarë dhe ata të Kosovës për situatën e sigurisë”, ka thënë komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Mark Fitzgerald, në vizitën e tij të dytë në Kosovë, ku ka folur për gjendjen e sigurisë. “Kjo është vizita ime e dytë që i bëj Kosovës në këto dy javët e fundit, prej se kam marrë komandën. E kisha rastin që të njihesha nga PSSP-ja dhe komandanti i KFOR-it, rreth situatës së sigurisë. Kam besimin e plotë në zotësinë e tyre për të vazhduar me ofrimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, për të gjithë qytetarët e Kosovës. KFOR-i dhe Policia e UNMIK-ut janë të përgatitura për çfarëdo situate”, ka thënë Fitzgerald. Ai, gjatë një takimi me gazetarë, ka thënë se ka takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, ku, siç tha ai, kanë biseduar për situatën e sigurisë dhe kanë rënë dakord që të punohet së bashku për ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt, për të gjithë qytetarët e Kosovës. Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli ka ftuar qytetarët që të përmbahen nga çdo veprim provokues. “Kosova është duke hyrë në një periudhë të ndjeshme të historisë së saj. Është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët ta ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga veprimet provokuese“, tha ai. Ndërsa, komandanti i trupave të KFOR-it në Kosovë, Xavier De Marnac, ka thënë se numri i pjesëtarëve të KFOR-it do të rritet, nëse është e nevojshme. “NATO-ja është e gatshme ta mbështesë KFOR-in me forca shtesë, nëse është e nevojshme. Por, për momentin, nuk nevojitet një gjë e tillë”, ka theksuar De Marnac. Admirali Fitzgerald ka pasur vizita nëpër disa qytete në Kosovë, ku ka pasur mundësi të njihet me shqetësimet e banorëve të këtyre vendeve.
XS
SM
MD
LG