Ndërlidhjet

BRUKSEL


Liderët e Bashkimit Evropian që marrin pjesë në samitin në Bruksel, u zotuan sot të farkojnë një kornizë të përbashkët për njohjen e Kosovës, ndërsa ajo po shkon drejt pavarësimit nga Serbia.
Para takimit, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel tha se aspekti më i rëndësishëm është se Evropa bashkë po hapëron. "Ne duam një zgjidhje të arsyeshme. Ne gjithashtu duam t'i dërgojmë sinjal Serbisë se na duhet një Serbi stabile", tha Merkel.
Kryeministri i Danimarkës tha se "është e rëndësishme të krijohet një kornizë e përbashkët evropiane për njohjen e pavarësisë" së Kosovës. "Ne duhet t'i dërgojmë dy sinjale: që Evropa do të sigurojë paqe dhe stabilitet në Ballkan, dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të qartë drejtë BE-së", tha Anders Fogh Rasmussen para fillimit të samitit.
Mbrëmë, kryeministri i Suedisë tha se do të ishte më së miri që pavarësia e Kosovës të pritet të pranohet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi. "Gjëja më e rëndësishme është që të qëndrojmë së bashku dhe ndoshta, të presim për zgjedhjet presidenciale të Serbisë", tha Fredrik Reinfeldt.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Andrus Ansip tha sot se gjëja kryesore është koordinimi i veprimeve brenda BE-së, dhe shtoi se "Serbia duhet të ketë perspektivë konkrete për anëtarësim në Bashkimin Evropian".
Lidhur me qëndrimin e Qipros, kryetari i Parlamentit të Evropës Hans-Gert Poettering tha: "Mbetetm të shihet se çfarë do të bëjë presidenti qiprot, por nuk mund ta imagjinoj se ai vetë do ta pengojë Evropën që të flasë me një zë". Presidenti i Qipros Tassos Papadopoulos nuk bëri asnjë deklaratë para takimit.
Në propozim deklaratën e samitit kërkohet që "të ecet përpara me zgjidhjen e statusit të Kosovës" sepse "gjendja aktuale është e paqëndrueshme". Në tekst shprehet vendosmëria e unionit për t'i ndihmuar Kosovës në arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm, përfshirë përgatitjet për dërgimin e misionit të BE-së. Në tekstin, i cili mund të ndryshojë gjatë debatit, thuhet se zgjidhja e statusit të Kosovës është "e rëndësishme për stabilitetin rajonal".
Propozim deklarata gjithashtu thotë se Serbisë do t'i ofrohet mënyrë e përshpejtuar për kandidaturën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG