Ndërlidhjet

KËRCËNIMI SERB ME SANKSIONE EKONOMIKE KA PAK GJASË


Nadie Ahmeti

Mbi 200 milionë euro në vit do të jenë humbjet e prodhuesve serbë, nëse Qeveria e Serbisë vendos embargo ekonomike, në rast të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, pohon se kjo çështje duhet të jetë shqetësuese për autoritetet dhe prodhuesit serbë, ndërkaq kosovarët nuk duhet të shqetësohen aspak për këtë, sepse ekzistojnë alternativa të shumta për zëvendësimin e produkteve serbe. Ai thotë se Serbia me këtë embargo godet më tepër prodhuesit serbë, pasi mbi 40 për qind e tregut kosovar mbulohet nga produktet serbe. “Deri në muajin tetor 2007, janë importuar 170 milionë euro, ndërkaq janë eksportuar afër 16.5 milionë euro, që realisht tregon se ne kemi një mbyllje të eksportit me importin afër 10 për qind”, pohoi Beqaj. Ai përmend produktet kryesore, që aktualisht importohen nga Serbia për në Kosovë. “Produktet që importohen janë: gruri, mazuti, energjia, plehrat, plastika, produktet e miellit, pijet e gazuara e alkoolike dhe barnat. Këto janë ato tetë produktet kryesore, të cilat evidentohen si top-produktet, që importohen nga Serbia”, tha Beqaj. Sipas tij, humbjet në Kosovë, nga të hyrat në kufi të këtyre mallrave, do të jenë minimale, pasi, siç thotë ai, mallrat që kanë origjinë nga Serbia, nuk paguajnë fare doganë. “Është çështje e tyre, por të trajtohet hollësisht, për ne do të jetë më mirë, sepse evazioni fiskal në të ardhmen do të kontrollohet. Ne, kryesisht, evazionin fiskal e kemi pasur nëpër pikat kufitare me Serbinë, ku kemi pasur kufi administrativ dhe jo kufi të kontrolluar plotësisht”, u shpreh Beqaj. Nëse Serbia vendos embargo ekonomike në rast të pavarësisë së Kosovës, atëherë një vendim i këtillë është kundër interesave të prodhuesve serbë, thotë Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP. Megjithatë, ai pohon se pavarësisht se është thënë se do të vendoset embargoja, në realitet nuk do të jetë lehtë për Serbinë që ta bëjë një hap të tillë, sepse një gjë e tillë, thotë ai, do të kundërshtohet edhe nga vetë prodhuesit serbë. “Serbia, nuk është hera e parë që ka vendosur të bëjë diçka kundër interesave të prodhuesve të saj. Prandaj, ne themi se nuk pritet të ndodhë kjo, për shkak të presionit të prodhuesve serbë drejt qeverisë së tyre. Asgjë nuk duhet të jetë surprizë dhe në këtë rast, autoritet dhe bizneset tona duhet të përgatiten për çfarëdo skenari, duhet të përgatiten edhe për skenarin e mbylljes së kufijve”, tha Ahmeti. Edhe Besim Beqaj mendon se gjasat për sanksione ekonomike janë të pakta. “Asnjë lloj qeverie normale dhe asnjë qeveri serioze nuk do t’ia kishte bërë biznesit të vet. Kjo është më shumë goditje për ekonominë e Serbisë, sesa për ekonominë e Kosovës“, vlerësoi Beqaj. Shumica e mallrave që importohen nga Serbia janë të zëvendësueshme, thotë Shpend Ahmeti, duke shtuar se vetëm gruri është një produkt strategjik, që nevojitet për ushqim të njerëzve. Por, sipas tij, prodhuesit kosovarë tashmë kanë gjetur rrugë tjera alternative, për ta siguruar këtë produkt. “Edhe për produktet strategjike, siç janë gruri dhe misri, tashmë kanë filluar të gjenden alternativa të tjera. Ngritje të vogla të çmimeve mund të ketë në produktet që vijnë nga shtetet tjera, që vijnë përmes Serbisë. Por, në aspektin ekonomik, edhe në aspektin afatmesëm e afatgjatë, kjo nuk do të shkaktojë ndonjë problem të madh”, tha Ahmeti. Oda Ekonomike e Kosovës tashmë ka filluar përgatitjet, që në rast të një embargoje ekonomike, menjëherë të fillojë me furnizimin me mallra nga vendet tjera të rajonit, siç është Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, por edhe nga vende të ndryshme të Evropës.
XS
SM
MD
LG