Ndërlidhjet

THAÇI MERR MIRATIMIN NË PARIM TË LDK-SË PËR KOALICION QEVERISËS


Zijadin Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar në parim që të përfshihet në qeverinë e mandatarit Hashim Thaçi. Kryesia e LDK-së ka dhënë pëlqimin që LDK-ja të jetë pjesë e ndërtimit të institucioneve dhe tash varet nga marrëveshja politike me partinë fituese të zgjedhjeve dhe mandatarin Hashim Thaçi, që kjo parti politike të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm. Formula qeverisëse ndërmjet PDK-së me LDK-në dhe pakicat mbetet si më e përfolura ndër të gjitha opsionet tjera. Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka konfirmuar se Kryesia e LDK-së ka dhënë pëlqimin në parim, që kjo parti të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Kryeziu tha se ai vetë nuk ishte shumë ithtar i një vendimi të tillë, por kështu ka vendosur shumica, u shpreh ai. “Do të shkohet me konkretizimin e çështjeve. Ka dominuar ky opinion, edhe pse kishte edhe rezerva, njëri prej tyre kam qenë edhe unë personalisht. Mirëpo, ka dominuar ky opsion dhe tanimë nuk ka ndonjë kontradiktë ndërmjet anëtarëve të Kryesisë së LDK-së, dhe ne vetëm presim që të përshpejtohen këto punë për hir të gjendjes në Kosovë”, thotë Kryeziu. Në anën tjetër, zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se mandatari Thaçi ka zhvilluar disa raunde takimesh me partitë politike, si dhe takime të realizuara në nivele tjera politike. Tash, sipas Çitakut, është çështje e ditëve kur Thaçi do ta shpallë formulën e qeverisë së tij. “Ne kemi biseduar me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike. Më pas, bisedimet kanë vazhduar në nivel ekspertësh dhe tash jemi në fazën përfundimtare. Brenda dy-tri ditësh presim që të kristalizohet formula, e cila do të qeverisë me Kosovën”, thekson Çitaku. Ndërkohë, kërkesa e LDK-së për mandatarin Thaçi dhe PDK-në është që të marrë afërsisht numër të barabartë të ministrive si edhe PDK-ja, si dhe të mos preket posti i presidentit të Kosovës, i cili, në bazë të Kornizës Kushtetuese, ka mandat deri në shkurt të vitit 2009. Eqrem Kryeziu thotë se posti i presidentit mund të sfidohet vetëm në Kuvend, nëse paraprakisht PDK-ja dhe LDK-ja dështojnë të arrijnë marrëveshje politike për qeverinë e re. “Kryetari i Kosovës e ka mandatin 3 vjeçar, do të thotë mandat që interpretohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, UNMIK-u. Në qoftë se bëhet marrëveshja politike LDK-PDK, atëherë kjo çështje nuk është thelbësore, e në qoftë se nuk bëhet kjo marrëveshje, unë politikisht ia njoh të drejtën PDK-së që ta atakojë. Në qoftë se nuk ia njoh të drejtën juridikisht, ajo është çështje tjetër, por politikisht ia njoh të drejtën ta atakojë postin e kryetarit të Kosovës”, thotë Kryeziu. Sidoqoftë, marrëveshja për formimin e qeverisë ka marrë më shumë kohë, sesa që në fillim pati paralajmëruar mandatari Thaçi dhe PDK-ja, si fituese e zgjedhjeve. Tani po shqyrtohet edhe mundësia tjetër, që në rast se marrëveshja për qeverinë nuk arrihet gjatë kësaj jave, atëherë të thirret të paktën seanca konstituive e Kuvendit, pasi që Korniza Kushtetuese parasheh se nuk duhet të ketë vonesa më gjatë se një muaj pas certifikimit të rezultatit zgjedhor në mbledhjen e Kuvendit të ri. Ndërkaq, formimi i qeverisë mund të marrë kohë edhe më shumë, pasi që kjo çështje nuk është e përcaktuar me Kornizën Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG