Ndërlidhjet

ÇEKU: S’BESOJ SE DIKUSH E DI DATËN E PAVARËSISË


Albana Isufi

Kryeministri në largim, Agim Çeku, ka deklaruar sot se nuk e di datën e saktë të pavarësisë, përderisa ka kërkuar që shpallja të bëhet sa më shpejt, meqë, sipas tij, sfidat për njohjen e saj do të ekzistojnë si tash, si më vonë. “Unë e di se Kosova do të pavarësohet, por datën e saktë nuk e di dhe nuk besoj se dikush e di”, tha Çeku. Mandatari për krijimin e qeverisë së re, Hashim Thaçi, është duke thënë tash sa kohë se ai e di datën e pavarësisë bashkë me Brukselin e Uashingtonin. Sidoqoftë, kryeministri aktual, Agim Çeku, i ka sugjeruar qeverisë së re që të bëjë presion mbi komunitetin ndërkombëtar, që ta shpejtojë zgjidhjen e statuti final të Kosovës. “Shumë vende të BE-së, gjithsesi SHBA-të, e kanë marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Tani është duke u koordinuar data dhe momenti se si kjo pavarësi të njihet me sa më pak sfida që parashihen. Unë besoj se jemi shumë afër pavarësisë. Uroj që qeveria e re të bëjë presion pozitiv në bashkësinë ndërkombëtare dhe besoj se do ta bëjë këtë, që të mos hezitojë dhe të mos ketë sfida apo zëra që mund ta dekurajojnë bashkësinë ndërkombëtare, që të lëvizë drejt njohjes së pavarësisë. Sfidat do të jenë qoftë nëse shpallet sot, qoftë më vonë. Me ato sfida duhet të ballafaqohemi edhe ne, edhe bashkësia ndërkombëtare”, tha Agim Çeku, i cili kishte bërë thirrje që pavarësia të shpallej më 28 nëntor të këtij viti, por një veprim i tillë nuk qe përkrahur nga anëtarët e tjerë të Ekipit Negociator. Ndryshe, komentet e sotme, kryeministri Çeku i bëri pas një takimi që pati me veteranët e luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët i përgëzoi për, siç tha ai, qëndrimin e matur gjatë tërë procesit të statusit. “Kanë qenë një zë i fuqishëm, kanë qenë një zë i arsyeshëm dhe kanë qenë pjesë e zgjidhjes. Kështu që unë vazhdimisht kam dëgjuar zërin e tyre, jam konsultuar me ta, i kam njoftuar për ecurinë e procesit”, tha Çeku. Në anën tjetër, përfaqësuesi i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faik Fazliu, ka kërkuar zgjidhje sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. “Për veteranët e luftës së UÇK-së, çdo ditë që kalon për njohjen e vullnetit të qytetarëve dhe për njohjen e asaj që është vulosur me gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, është e papranueshme. Kështu që presim nga të gjitha institucionet e Kosovës që shumë shpejt të dalin me deklaratën që do të jetë realizimi i vullnetit të popullit”, u shpreh Fazliu. Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, ka thënë para dy ditsh se pavarësia e Kosovës është çështje javësh, përderisa diplomatë të Bashkimit Evropian preferojnë që shpallja e pavarësisë të bëhet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, raundi i dytë eventual i të cilave përfundon më 3 shkurt.
XS
SM
MD
LG