Ndërlidhjet

PDK E LDK SHTYJNË SHPALLJEN E MARRËVESHJES PËR NJË DITË


Zijadin Gashi

Marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është shtyrë për nesër, kanë kumtuar zyrtarë nga këto dy parti politike. Bisedimet ndërmjet mandatarit për formimin e qeverisë, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, kanë vazhduar sot nën dyer të mbyllura dhe në fund, PDK-ja doli me sqarimin se LDK-së i duhet edhe një ditë shtesë, për t’i sqaruar edhe disa çështje të brendshme. Ky informacion konfirmohet nga zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku. “Jemi shumë afër kristalizimit të formulës, e cila do të qeverisë në Kosovë, në mandatin e ardhshëm. Kryetari Thaçi është duke biseduar me kryetarin e LDK-së, zotin Sejdiu dhe me kërkesë të LDK-së, për shkak se ata kanë nevojë t’i qartësojnë disa gjëra në strukturat e tyre, marrëveshja është shtyrë për nesër”, thotë Çitaku. Burime nga partitë në bisedime thonë se në LDK ka pakënaqësi me ministritë që i janë ndarë LDK-së në bazë të marrëveshjes me PDK-në. Mirëpo, zyrtari i lartë i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se LDK-ja e mbështet presidentin Sejdiu në negociatat për formimin e qeverisë dhe, sipas tij, LDK-ja nuk po e zvarrit procesin e shpalljes së marrëveshjes. Sidoqoftë, Haziri pranon se janë të nevojshme konsultimet shtesë që po zhvillohen ndërmjet Sejdiut e Thaçit në njërën anë dhe konsultimet partiake në anën tjetër. “E mërkura është përmendur si ditë e zyrtarizmit të marrëveshjes, por shumëçka është e varur nga bisedimet ndërmjet partnerëve të koalicionit. Pasi që kemi mbështetur koalicionin me PDK-në, tash bisedimet po zhvillohen në nivelin më të lartë ndërmjet Sejdiut e Thaçit, ku përfshihen negociatat në ndarjen e resorëve, në përcaktimin e emrave të ministrave e tjera”, tha Haziri. Bazuar në marrëveshjen në parim ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, partia fituese, PDK-ja, përveç postit të kryeministrit, merr nën udhëheqje shtatë ministri, si dhe udhëheq me Kuvendin e Kosovës, ku e ka shumicën. Ndërkaq, LDK-ja merr nën drejtimin e saj pesë ministri, duke e ruajtur postin e presidentit të Kosovës. Bazuar në Kornizën Kushtetuese, pjesë e qeverisë llogariten edhe pakicat, të cilat marrin nën udhëheqje tri ministri. Shpallja e marrëveshjes për koalicionin qeveritar tani paralajmërohet për nesër. Sipas afatit ligjor, Kuvendi do të duhej të mblidhej para 5 janarit, nga i cili organ do të zgjidhet edhe Qeveria e re e Kosovës.



XS
SM
MD
LG