Ndërlidhjet

2007: SHTIMI I TRUPAVE AMERIKANE PËRMIRËSOI SIGURINË NË IRAK, POR MBETËN DALLIMET POLITIKE


Ron Synovitz

Gjatë vitit 2007 u shënua progres në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për ta stabilizuar gjendjen e sigurisë në Irak. Kjo kryesisht ishte pasojë e planit të administratës së presidentit, George Bush, për ta reduktuar terrorizmin dhe dhunën sektare. Por, analistët thonë se progresi i arritur është i paqëndrueshëm, përderisa politikanët shiitë dhe sunitë në Bagdad nuk do t'i tejkalojnë dallimet e tyre. Në fillim të vitit, kur presidenti Bush i shpalli ndryshimet në strategjinë politike dhe ushtarake, dhuna sektare në Irak e shtynte vendin drejt luftës civile. Por, me dërgimin e 30 mijë trupave shtesë, ushtria amerikane i intensifikoi operacionet në Bagdad dhe provincën sunite Anbar në perëndim të vendit. Për pasojë, Iraku tash nuk ndodhet në prag të luftës civile. Në janar u vranë 2.076 civilë, ndërsa në nëntor 700. Pentagoni tha se 39 ushtarë amerikanë u vranë në tetor dhe 34 në nëntor, që është numri më i vogël prej marsit 2003. Gjendja e krijuar bëri që mijëra refugjatë të kthehen në shtëpitë e tyre. Joost Hiltermann, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se shtimi i trupave ishte sukses taktik, por tash duhet bërë më shumë në frontin politik. "Në vitin 2007 pamë progres në stabilizimin e Irakut përmes shtimit të trupave. Por, ky progres nuk është i qëndrueshëm nëse nuk përcillet me veprime politike në planin kombëtar", thotë Hiltermann. Ai thekson se amerikanët duhet t'u bëjnë më shumë trysni liderëve sunitë dhe shiitë në Bagdad, që t'i zgjidhin dallimet. "Administrata e Bushit më në fund e kuptoi se situata po dilte nga kontrolli dhe duhej qasje tjetër. Ata e bënë këtë në frontin ushtarak, por duhet ta bëjnë edhe në atë politik. Sfidë për administratën Bush tash do të jetë që të ndërmarrë nisma politike", thotë Hiltermann. James Denselow është ekspert për çështjet e Irakut në Institutin Chatham House në Londër. Sipas tij, fakti që 700 civilët e vrarë në një muaj shihen si sukses, tregon se gjendja ishte përkeqësuar shumë. "Situata në Irak sot është më e keqe për irakianët në shumë mënyra, por fokusimi aktual në luftën kundër terrorizmit është më i mirë për amerikanët. Ata ia dolën që shumë grupe kryengritësish t'i kthejnë kundër luftëtarëve të huaj dhe elementeve të Al Qaeda-s, fuqia e të cilëve ra pas vrasjes së liderit të tyre, Abu Musab al-Zarqawi, në qershor 2006", thotë Denselow. Ai thotë se politikat në Irak tash janë larg centralizmit autoritar të Saddam Husseinit dhe karakterizohen me përpjekje për të dominuar në pjesë të ndryshme të vendit. Denselow gjithashtu thotë se zhvendosja e trupave britanike nga Basra pati ndikim direkt në zvogëlimin e dhunës në qytet. "Mendoj se britanikët e kuptuan se më shumë ishin pjesë e problemit, sesa e zgjidhjes. 90% e sulmeve ishin drejtuar kundër tyre. Në Basra ka milici të ndryshme, që duke i sulmuar britanikët përpiqeshin të legjitimonin fuqinë e tyre", thotë Denselow. Ligjvënësi amerikan, Louie Gohmert, republikan nga Teksasi, i tha REL se ende mund të arrihet qëllimi fillestar i Uashingtonit, që Iraku të shndërrohet në një demokraci të përparuar. "Kjo është ajo që ndjej për Irakun. Kishte rënie dhe ngritje, por shoh se dielli po lind. Është shumë me rëndësi t'u ndihmohet irakianëve që të forcohen dhe të mund të vetëqeverisin. Nëse u krijojmë siguri të mjaftueshme që të zhvillohen dhe të prosperojnë, atëherë kemi bërë një punë të mirë", thotë republikani Gohmert. Por, edhe optimistët më të mëdhenj nuk presin që ndarjet politike në Irak të normalizohen brenda një viti. Gohmert thotë se irakianët dhe amerikanët duhet të kuptojnë se lufta në Irak është shumë më tepër, sesa një betejë që po zgjat disa vite. Ai thotë se kjo është një ‘mundësi historike’, për ta përmirësuar gjendjen për gjeneratat e ardhshme të irakianëve.


XS
SM
MD
LG