Ndërlidhjet

SEJDIU: SERBIA NUK VENDOS PËR FATIN E KOSOVËS


Albana Isufi

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar si të parëndësishëm dhe si veprim që nuk mund të ndikojë në pavarësinë e vendit, miratimin e rezolutës së Kuvendit të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Kuvendi serb mbrëmë miratoi rezolutën, me të cilën mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Serbisë. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se bëhet fjalë për një vendim që nuk është as në interes të Serbisë, e as në interes të rajonit. “Serbia s’është ajo që vendos për fatin e Kosovës dhe realisht kjo politikë, që Serbia udhëheq edhe tash në vazhdimësi, fatkeqësisht për qasjen që ka, ka sjellë në konfrontet që i kemi pasur, në tragjiken e popullit të Kosovës dhe të popujve tjerë. Nëse ata vazhdojnë me një qasje të tillë, mendoj se nuk është në interesin e tyre në radhë të parë dhe në stabilitetin rajonal”, tha presidenti Sejdiu. Me rezolutë parashihet që mbrojtja e Kosovës si pjesë integrale e Serbisë paraqet prioritet të organeve shtetërore. Sipas presidentit të Kosovës, çfarëdo kërcënimi që bëhet, madje edhe ushtarak, nuk është real, pasi që në Kosovë gjenden forcat e NATO-s. “Nëse ata kanë zgjedhur rrugën e intervenimit ushtarak, apo formave tjera që ata i quajnë me ndërhyrjet që sjellin konflikt të ri, natyrisht se kanë më kë të përballen. Në Kosovë ekziston një protektim i gjithë qytetarëve të saj, integritetit të saj nga bashkësia ndërkombëtare, nga trupat e NATO-s, por edhe nga qytetarët e Kosovës. Prandaj, ne nuk jemi për luftë dhe konfronte”, tha Sejdiu. Në anën tjetër, vetë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se rezoluta nuk paraqet kurrfarë obligimi ligjor karshi komunitetit ndërkombëtar dhe për këtë arsye nuk do të ndikojë në zgjidhjen e statusit. Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe për Kosovën, thotë se bëhet fjalë për një vendim që i shërben politikës së brendshme. “Mendoj se kjo rezolutë është për konsum të brendshëm, tani kur janë paralajmëruar zgjedhjet presidenciale, kur edhe praktikisht struktura qeverisëse në Beograd duhet të arrijë një lloj konsensusi”, tha Nojkiq, i cili kritikon shumë pika të rezolutës. “Ndërlidhja e statusit të Kosovës me hyrjen e Serbisë në BE dhe në NATO, mendoj se është e paarsyeshme, sepse pozicioni ynë në mbrojtje të Kosovës, duke pasur përkrahjen e BE-së dhe NATO-s, do të bëhej më domethënës dhe më i fuqishëm”, u shpreh Nojkiq. Në anën tjetër, analisti politik Ilir Dugolli thotë se rezoluta e Kuvendit të Serbisë paraqet përpjekjet e fundit të Serbisë, që përmes kërcënimeve të pengojë pavarësimin e Kosovës. “Në këto çaste vendimtare, unë e shoh këtë si një ndër përpjekjet e fundit, për të kërcënuar si bashkësinë ndërkombëtare, ashtu edhe Kosovën, kur priten hapat drejt shpalljes së pavarësisë. Këto janë qëndrime të Serbisë, që synojnë të luhatin vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe përkrahjen e saj karshi pavarësisë së Kosovës. Dhe, në fund të fundit, janë po ato lëvizje që ka kohë që i kemi parë nga Serbia dhe që nuk sjellin ndonjë risi shumë të madhe”, theksoi Dugolli. Në rezolutën e miratuar mbrëmë thuhet se marrëveshjet me palën ndërkombëtare, duke përfshirë edhe atë të stabilizim-asociimit me BE-në, duhet të jenë në funksion të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Në rezolutë thuhet gjithashtu se Serbia duhet t’i rishqyrtojë lidhjet diplomatike me shtetet, që njohin pavarësinë e Kosovës. Por, Ilir Dugolli mendon se edhe vetë politikanët serbë e dinë se nga prishja e marrëdhënieve diplomatike me vendet që njohin pavarësinë, do të pësojë më shumë vetë Serbia. “S’besoj se mund të shkojnë shumë larg në prishjen e marrëdhënieve me botën; madje nëse shikohet fjalimi i kryetarit Tadiq, ai ka theksuar se Serbia do të angazhohet dhe të luftojë për Kosovën, por, në të njëjtën kohë, e ka theksuar përkushtimin për orientim në BE dhe ka thënë se këto dy gjëra shkojnë bashkërisht, i ka eliminuar dhunën dhe luftën si mjete të mundshme, që do të mund t’i përdorin serbët, jo ndoshta pse janë të përkushtuar aq për paqe, por se e dinë se nuk kanë mundësi realisht që edhe njëherë të zhvillojnë luftë në Kosovë. Prandaj, janë kërcënime kryesisht për konsum të brendshëm”, tha Dugolli. Sidoqoftë, ai thotë se rezoluta në fjalë nuk duhet të hasë në veshë të shurdhër në qarqet kosovare. Ai thotë se politikanët duhet t’i krijojnë sa më shpejt institucionet, të cilat do t’i hartonin planet e reagimit në çdo rast, meqë, sipas Dugollit, ditët në vijim mund të sjellin provokime për ta destabilizuar situatën e sigurisë.

XS
SM
MD
LG