Ndërlidhjet

KRASNIQI:”VONESA E KRIJIMIT TË INSTITUCIONEVE NUK ËSHTË E ARSYESHME”


Jakup KRASNIQI, sekretar i përgjithshëm i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, marrëveshja e koalicionit në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është thënë nga zyrtarët e partisë suaj se do të nënshkruhet sot. A do të ndodhë një gjë e tillë?

JAKUP KRASNIQI
Varet shumë se cili do të jetë vendimi i LDK-së, e cila do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës me PDK-në dhe realisht kjo do të duhej të përmbyllej sot, ndoshta duke krijuar shansin që Parlamenti i Kosovës të mbante seancën e parë konstituive brenda kësaj jave. Përndryshe, nëse sot nuk kemi përgjigje, atëherë seanca konstituive e Parlamentit pritet të mbahet në ditët e para të vitit 2008.

RADIO EVROPA E LIRË
Tash për tash, ku janë ngecjet në nënshkrimin e marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së?

JAKUP KRASNIQI
PDK-ja me shkrim ia ka dorëzuar kërkesën e saj LDK-së. LDK-ja është dashur dje, sipas marrëveshjes, që të përgjigjej në kërkesën e PDK-së. Ata kanë kërkuar edhe një ditë shtesë dhe realisht do të duhej që sot ta jepnin përgjigjen e tyre. Kërkesa e PDK-së është që LDK-ja t’i ketë pesë ministri dhe kandidatët për këto ministri nga LDK-ja të jenë personalitete të asaj partie që nuk ka qenë në qeverisje as në nivelin lokal, as në nivelin qendror. Qëllimi është që njerëzit që vijnë nga LDK-ja në këtë mandat qeverisës, të jenë njerëzit që nuk janë përfolur për keqqeverisjen e viteve të shkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Konkretisht, çka i është ofruar LDK-së?

JAKUP KRASNIQI
Unë e di çka do të ruajë për vete PDK-ja. PDK-ja, mbi bazën e programit që ka ofruar dhe mbi bazën e këtij programi që ka fituar zgjedhjet, kërkon që Ministria e Financave, Ministria e Transportit, Ministria e Energjetikës, Ministria e Rendit dhe Ministria e Arsimit, të drejtohen nga njerëzit e PDK-së, që PDK-ja t’i ketë mundësitë që t’i realizojë projektet e saj, që i ka ofruar para qytetarëve. Kurse, ministritë tjera natyrisht do të ndahen në mes PDK-së dhe LDK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë është përmendur në media se ju do të jeni kryetar i Kuvendit të Kosovës. A do të jetë kështu?

JAKUP KRASNIQI
Në PDK-është folur, në organet e saj, drejtuesit kryesorë të saj kanë biseduar për këtë çështje; natyrisht propozimi për mua ka qenë një ndër propozimet më serioze. Por, organet e PDK-së ende nuk kanë sjellë vendim për këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju është thënë nga kryetari i PDK-së, zoti Thaçi, se ju do të jeni kryetar i Kuvendit të Kosovës?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj se kjo do të vendoset në një mbledhje të Kryesisë së PDK-së. Ai vendim do të jetë valid edhe për Parlamentin, por edhe për kabinetin qeveritar. Do të shohim, unë nuk do të flas me emra. Unë e di që më së shumti është folur për emrin tim, por ka pasur edhe emra të tjerë. Megjithatë, ne do të kemi parasysh shumë faktorë, do të kemi edhe angazhimet në kuadër të PDK-së, edhe angazhimet në Grupin Parlamentar të PDK-së, por edhe përvojat dhe angazhimet tjera që i kemi pasur në PDK.

RADIO EVROPA E LIRË
A është e arsyeshme gjithë kjo vonesë në formimin e institucioneve të reja të Kosovës?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj se nuk ka shumë arsye. Unë do të kisha dëshiruar që veprimet të jenë më të shpejta. Mirëpo, kur kihet parasysh ligji në fuqi, që partia fituese nuk mund ta bëjë vetë qeverisjen dhe konstituimin e organeve, atëherë bisedimet për koalicionin janë paksa të vështira, sepse secila parti tenton të marrë një hise më të madhe të kulaçit.

RADIO EVROPA E LIRË
Takimi i Këshillit të Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, i mbajtur në Nju Jork, nuk solli diçka konkrete për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ata të Bashkimit Evropian thanë se zgjidhja e statusit të Kosovës i kalon BE-së. Cili është mendimi juaj për këtë?

JAKUP KRASNIQI
Në mbledhjen e fundit ishte edhe zëri i Kosovës dhe mendoj se kjo ka qenë një rëndësi e veçantë e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. E rëndësishme është që edhe në Këshillin e Sigurimit ka dominuar bindja se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur e sovran dhe se ky është vullneti i shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe kjo ka gjetur mbështetje të fuqishme në Këshillin e Sigurimit. Dihet se vendimi në Këshillin e Sigurimit nuk ka mundur të merret për shkak të ndikimit edhe të vetos ruse. Prandaj, kjo çështje i ka kaluar BE-së dhe unë kam bindjen se në muajt e parë të vitit 2008, BE-ja, SHBA-të dhe administrata ndërkombëtare që është e instaluar në Kosovë, do t’i marrin vendimet që janë në përputhje me interesat dhe vullnetin e qytetarëve shumicë të Kosovës, do të thotë, do të njihet shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG