Ndërlidhjet

NË VITIN 2007 (S’) KA PASUR ZHVILLIM EKONOMIK


Nadie Ahmeti

Ekspertë për çështje ekonomike dhe zyrtarë qeveritarë japin mendime të kundërta rreth zhvillimit ekonomik gjatë vitit 2007. Ekspertët pohojnë se edhe gjatë këtij viti që po e lëmë pas, nuk është vërejtur ndonjë rritje ekonomike, apo ndonjë përmirësim në ndonjë sektor të caktuar. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se edhe ky vit po përmbyllet me një gjendje jashtëzkonisht të rëndë ekonomike, duke e quajtur madje edhe alarmante. Ai thotë kështu sepse në mungesë të një zhvillimi ekonomik, Kosova edhe këtë vit është ballafaquar me rritje të numrit të të papunëve, ndërkaq investimet e huaja në këtë fushë, Gërxhaliu thotë se kanë qenë minimale. ”Importi mbulohet nga 7 për qind me eksport dhe kjo e dëshmon faktin tjetër, që Kosova është një vend që eksporton para të gatshme. Të gjitha këto, nëse analizohen në mënyrë dubioze, tregojnë më së miri zhvillimin e mjerë ekonomik në Kosovë. Mirëpo, gjithmonë alibi për një diçka të tillë ka qenë statusi. Një situatë të tillë më së miri e shijon shtresa e gjerë e popullatës dhe vërtet është shqetësuese dhe alarmante”, tha Gërxhaliu. Zhvillimi ekonomik është shumëdimensional, thotë Edmond Hajrizi, udhëheqës i Universitetit për Biznes dhe Teknologji. Ai pohon se në aspketin legjislativ ka pasur një përmirësim të vogël, ndërkaq në aspketin e përgjithshëm ekonomik nuk mund të vërehet ndonjë lëvizje pozitive. Por, megjithatë, ai thotë se pengesë për këtë ka qenë moszgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës. “...që ka ndikuar që të mos ketë zhvillim të hovshëm dhe të qartë në aspketin ekonomik. Unë kisha veçuar si pozitive atë që Kosova, megjithatë, ka punuar në aspketin legjislativ dhe në një krijim të një koncepti më modern të zhvillimit ekonomik në përgjithësi”, u shpreh Hajrizi. Ndryshe, zyartarë në Qeverinë e Kosovës e vlerësojnë të sukseshëm këtë vit, sa i përket zhvillimit ekonomik. Jusuf Prelvukaj, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se me gjithë vështirësitë e paraqitura në këtë këtë fushë, është arritur një zhvillim ekonomik. “Ekspertë ndërkombëtarë dhe ekspertë të brendshëm këtu tregojnë se ka rritje ekonomike dhe zhvillim, jo në masë të madhe, por për çdo vit kemi një rritje të limituar, duke u bazuar në vështirësitë që i ka Kosova”, tha Prelvukaj. Ai pohon se një ndër sukseset e arritura në këtë vit është nënshkrimi i marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Juglindore, që njihet me emrin CEFTA. Kjo marrëveshje, e cila është nënshkruar në muajin korrik, mundëson qasje të çliruar nga ngarkesat tatimore në tregun prej 30 milionë konsumatorësh të vendeve anëtare të CEFTA-s, tha Prelvukaj. “E vërtetë se ne kemi qenë partnerë të barabartë me të gjitha shtetet. Ne kemi qenë një ndër shtetet që e kemi nënskhruar këtë marrëveshje. Do të thotë, të gjitha shtetet që tashmë janë në Bashkimin Evropian, kanë kaluar nëpër CEFTA. Dhe, është një e mirë këtu, se ligjet që janë këtu, janë më të avancuara, sesa ligjet e rajonit”, theksoi Prelvukaj. Por, lidhur me këtë, Safet Gërxhaliu thotë: “Mund të bisedohet më shumë në aspektin e integrimeve. Mirëpo, nëse i analizojmë krejt këto parametra, ne mund t’i marrim dy tela të çiftelisë dhe ta jehojmë realitetin e hidhur. Por, përballë të vërtetës qëndron vetë e vërteta dhe duke pasur parasysh që sot në fund të vitit, Kosova ballafaqohet me mungesë të energjisë, Kosova ballafaqohet me mungesë të ujit dhe të ngrohjes, atëherë çfarë komenti ka nevojë të jepet më tepër”, thotë Gërxhaliu. I vetmi sukses në aspketin ekonomik, sipas tij, është përpjekja e sektorit privat për të mbijetuar. “Duhet pranuar një diçka tjetër, se nëse dikush e meriton epitetin e heroit në Kosovën e pasluftës sa i përket zhvillimeve ekonomike, është sektori privat, i cili jo vetëm që nuk ka përkrahje institucionale, por pengohet në çdo mënyrë përmes barrierave të ndryshme, por prapë mbijeton, prapë krijon vende të reja të punës”, tha Gërxhaliu. Edhe Edmond Hajrizi thotë se sektori privat ka pasur një rritje të vogël ekonomike. “Sektori privat ka pasur një rritje të vogël, shumë të vogël, me forcat vetanake, që është pozitive, pasi nuk është gjithmonë e varur nga jashtë, por, megjithatë, ka pak a shumë një zhvillim”, shprehet Hajrizi. Megjithatë, viti në të cilin po hyjmë është viti i fundit që institucionet vendore duhet t’i kushtojnë rëndësi më tepër zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, thotë Hajrizi. “Viti 2008, unë mendoj se është momenti i fundit që të gjitha elementet të harmonizohen, të krijohet një koncept i qartë, se ku është Kosova dhe ku do të shkojë, cilat janë potencialet e saj, cka mund të bëjë kundrejt rajonit, kundrejt globalizimit, statusit dhe kapaciteteve të veta që ka. Dhe, në bazë të asaj, të dalë me një strategji reale dhe të punojë, ta zhvillojë vendin, sepse mendoj se parametrat nuk janë të kënaqshëm”, tha Hajrizi. Sidoqoftë, të dyja palët pajtohen se zhvillimi ekonomik në Kosovë vazhdon të mbetet një nga sfidat më të rënda përballë institucioneve vendore, që shpresojnë se me zgjidhjen e statusit politik, do të zgjidhen edhe shumë pengesa të tjera në aspektin ekonomik.

XS
SM
MD
LG