Ndërlidhjet

REAGIME PAS ZGJEDHJES SË INSTITUCIONEVE


Albana Isufi

Menjëherë pas zgjedhjes së institucioneve të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit, shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker ka theksuar se seanca e sotme e Kuvendit i ka kontribuar demokracisë në Kosovë.
“Kjo ka qenë një ditë tjetër e mirë për demokracinë në Kosovë, që tregoi se kemi inst të pjekura, tani kemi qeveri stabile, kemi qeveri me bazë të mirë, kemi pasur një debat të mirë sot dhe, kishim rikonfirmimin e presidentit për mandat të ri dhe mendoj se njerëzit e Kosovës do të duhej të ishin krenarë me këtë demokraci”, i tha Ruecker Radios Evropa e Lirë.
Ndërkaq, presidenti i rizgjedhur i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas votimit të kabinetit Thaci ka uruar që programi i kësaj qeverisjeje të zbatohet në praktikë.
“Dëshiroj që projekti i prezantuar të jetë projekt i realizuar në praktikë, do të ketë ndihmën e institucioneve tjera dhe një falënderim për institucionet dhe mundin e tyre që kanë bërë deri tash”, tha Sejdiu.
Kryeministri i sapozgjedhur Hashim Thaci përveçse është zotuar për zbatimin e programit të tij, pas përfundimit të seancës konstituive ka premtuar se shpallja e pavarësisë do të bëhet brenda pak javëve.
“Mund të siguroj se brenda pak javësh do të shpallet, pavarësia tashmë është punë kryer, vetëm duhet të shpallet, zyrtarizohet dhe njihet ndërkombëtarisht”, tha Thaci.
Në anën tjetër, subjektet opozitare, kanë përshëndetur krijimin e institucioneve, por sërish kanë shprehur dyshimin e tyre se koalicioni PDK-LDK do të sjellë rezultate pozitive. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, ka vlerësuar faktin se Kosova tashmë ka institucionet e saj dhe është thyer vakumi institucional. AKR edhe pse ka hedhur kritika të ashpra, megjithatë ka votuar për qeverinë e re. Makolli shpjegon:
“Pavarësisht se ne kemi pasur kritika parimore sa i përket koalicionit qeverisës PDK-LDK, megjithatë kemi vlerësuar si opozitë se pavarësisht të gjitha atyre, tashmë ne kemi nevojë për një qeveri, e cila do të jetë qeveri e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm e dy subjekteve politike”, tha Makolli.
Më kritike edhe pas përfundimit të seancës konstituive ka qenë nënkryetarja e LDD-së Besa Gaxherri, e cila konsideron se institucionet janë zgjedhur në bazë të votimit demokratik, por demokraci sipas saj nuk ka brenda Kuvendit.
“Numerikisht apo matematikisht, tashmë ata i kanë numrat edhe ndonjëherë kur bëhet shkelja edhe rregulloret, apo ligjet në fuqi edhe mosrespektimi, qoftë edhe i opozitës në këtë radhë, me shumicë votash (mund të krijohen institucionet) në këtë lloj demokracie tonë të Kosovës. Kosova ka shumë probleme, së pari me statusin e pazgjidhur, prandaj Lidhja Demokratike e Dardanisë në këtë aspekt do të jetë shumë konstruktive dhe do të jetë edhe bashkëpunuese, por, në aspektet e tjera ne do të jemi një opozitë mendojë unë shumë e fuqishme”, tha Gaxherri.
Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Naim Maloku, i cili edhe ishte kundërkandidat i Sejdiut në garën për kryetar, ka vlerësuar se sot ishte një ditë e madhe për Kosovën, meqë sipas tij u zgjodhën në mënyrë demokratike institucionet e Kosovës. Por, ai sërish ka kritikuar lidhjen e koalicionit mes PDK-se dhe LDK-së.
“Secila palë ka qenë për tetë vite, 9-10 p.sh. adresë e të gjitha të këqijave për palën tjetër, që e ka drejtuar gishtin te njëri- tjetri, ata duhet të merren me vetveten, duhet t’iu ndihmojë shumë faktori ndërkombëtar këtu”, tha Maloku.
Opozita shqiptare e përbërë nga AKR, LDD dhe AAK, së bashku numërojnë 34 nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës, për këtë arsye edhe kanë kritikuar lidhjen e koalicionit të dy partive të mëdha, duke vlerësuar se nuk është lënë vend për një pozitë dhe opozitë të mirëfilltë.

XS
SM
MD
LG