Ndërlidhjet

TËRMKOLLI:”LDK-JA KA NEVOJË PËR NDRYSHIME RADIKALE”


Melihate TËRMKOLLI, deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tërmkolli, Lidhja Demokratike e Kosovës, parti së cilës ju i takoni, ka lidhur koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës. Ju keni votuar kundër këtij koalicioni. Pse?

MELIHATE TËRMKOLLI
Është e vërtetë që unë edhe në ditën e votimit, por edhe më herët, kam shprehur bindjet e mia. Në ditën e votimit, është e vërtetë, kam votuar kundër koalicionit me PDK-në, për arsye shumë parimore, që nuk lidhen absolutisht as me emrat e anëtarëve të kabinetit qeveritar etj. Por, për arsye parimore të LDK-së, duke u bazuar në politikën dhe filozofinë politike që ka zhvilluar dhe duhet ta zhvillojë LDK-ja, si një parti që ka bartur barrën kryesore gjatë 20 vjetëve të fundit, tashmë mund të themi lirisht, për lirinë dhe pavarësinë e vendit, në një koncept shumë të qartë kombëtar dhe politik. Në këtë drejtim, kujtoj që veprimi, të cilin e kam bërë, është në harmoni të plotë me këtë filozofi politike, e natyrisht edhe me bindjen që LDK-ja duhet ta ketë gjithmonë këmbënguljen e vet të plotë në këto parime, e cila fatkeqësisht ka munguar me këtë lidership aktual, të cilin e ka LDK-ja. Dhe, kujtoj se mënyra e lidhjes së këtij koalicioni, në njëfarë mënyre, sikur nënkupton fillimin e shkrirjes së LDK-së në PDK, së paku kështu janë shenjat, kur kemi parasysh mënyrën se si është bërë koalicioni, nëse është e qartë se edhe në koalicione, partnerët merren vesh për parime, për çfarëdo koalicioni që do të duhej bërë. Ndërsa, në këtë rast, parimet i ka vënë PDK-ja, i ka vënë zoti Thaçi dhe në mënyrën më të lehtë të mundshme i ka pranuar lidershipi i LDK-së, duke cenuar rëndë dhe duke devalvuar në fakt parimet e LDK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka pasur edhe njerëz të tjerë brenda LDK-së kundër këtij koalicioni?

MELIHATE TËRMKOLLI
Mendoj që anëtarësia e gjerë, në radhë të parë, ka një pakënaqësi të madhe në krejt këto që po zhvillohen në LDK. Në fakt, kjo mënyrë e koalicionit është vetëm një nga ato pasojat e politikës që po zhvillohet aktualisht nga lidershipi i LDK-së dhe kjo pakënaqësi vjen duke u rritur me gjitha këto veprime që po zhvillohen. Unë po flas për një pjesë të madhe të anëtarësisë që është shumë e pakënaqur. Mund të them se edhe nga anëtarët e Kryesisë ka pasur mendime tjera, qëndrime tjera, por, siç është bërë zakon në këto dy vjetët e fundit, pas presidentit Rugova, vendimet nuk merren në Kryesinë e LDK-së, merren diku tjetër; kështu që edhe kjo ka ardhur si pasojë e kësaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku merren këto vendime?

MELIHATE TËRMKOLLI
Vendimet i merr një grup shumë i ngushtë dhe kujtoj se kjo nënkupton atë që ka një nevojë jashtëzakonisht të madhe për një demokratizim të thellë në punën e LDK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tërmkolli, në deklaratat tuaja keni thënë se demokracia në Kosovë, me këtë mënyrë të koalicionit, është në rrezik. A mund të na shpjegoni më shumë rreth kësaj?

MELIHATE TËRMKOLLI
Po, e kam thënë këtë. Vërtet shpreh edhe njëherë shqetësimin tim për këto zhvillime rreth demokracisë apo promovimit të demokracisë dhe vlerave demokratike në vend; mënyra se si është bërë ky koalicion, kam një mendim të thellë që e vë në rrezik funksionimin e demokracisë në vend, së pari me ndryshimet e Kornizës Kushtetuese, që konsideroj se do t’i bëjnë një dëm të madh zhvillimeve të mëtutjeshme. Janë një veprim i paprecedentë, që nuk ka guxuar të lejohet. Po të kërkohej nga lidershipi i Kosovës një ndryshim i kornizës që është në funksion dhe në interes të Kosovës, do të ishte shumë e pranueshme, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Të bëhet një kërkesë e tillë për interesa krejt personale dhe të karrigeve, kujtoj se është shumë e dëmshme. Andaj, keni parë edhe në deklaratën e vetë koalicionit, çështja e emocioneve etj. që mendoj se është shumë anti-demokratike, sepse edhe njëherë po e përsëris, se po të kërkohej një ndryshim i tillë në këtë kornizë për interesa të Kosovës, sigurisht se do të ishte i pranueshëm. Por, këta liderë asnjëherë nuk e kanë bërë këtë për interes të Kosovës. Kur erdhi në pyetje interesi personal, e bënë këtë, natyrisht edhe me pranimin nga përfaqësuesi special dhe kjo mendoj se është një dëm i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se duhet të shpallet pavarësia e Kosovës? Për deklaratën e pavarësisë thuhet se është çështje javësh...

MELIHATE TËRMKOLLI
Mendoj se po bëhet njëfarë loje me qytetarët e Kosovës. Po bëhet një lojë e pamoralshme ndaj qytetarëve të Kosovës, kur liderët ngritën çdo ditë dhe thonë se e dinë datën, e mandej e ndryshojnë e thonë se datën e di Kosova. Kosova nuk e di datën. Unë nuk e kam të qartë se çka nënkuptojnë këta liderë me nocionin Kosovë. Prandaj, nëse dikush krekoset se e di datën, unë kujtoj se është një lojë e pamoralshme me qytetarët. Pavarësia e Kosovës do të vijë. Shpallja do të bëhet dhe natyrisht si një rezultat i sakrificave të mëdha, i angazhimeve të mëdha të qytetarëve të Kosovës dhe natyrisht edhe i politikës që është zhvilluar në mënyrën më të mirë për 20 vjet, prirë nga presidenti Rugova dhe me një mbështetje të fuqishme nga faktori ndërkombëtar, në radhë të parë nga SHBA-të dhe BE-ja. Natyrisht, mendoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt, por është edhe një veprim i yni natyrisht, që nënkupton në radhë të parë një sinqeritet ndaj qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku e shihni veten tash pas krijimit të institucioneve të reja?

MELIHATE TËRMKOLLI
Unë jam pjesë e këtyre institucioneve. Jam deputete e Parlamentit të Kosovës. Natyrisht që do të jem aty, sa është ky mandat. Do ta jap kontributin tim, sikur edhe mijëra qytetarë të Kosovës, si edhe gjithë qytetarët e Kosovës, për realizimin e plotë të pavarësisë së Kosovës. Natyrisht që do të jem pjesë e angazhimeve për zhvillimin e vendit dhe besoj që do të kemi një të ardhme më të mirë. Unë besoj që do të ketë një kthjellje pak më të madhe të udhëheqjes. Punë do të ketë shumë. Nuk përfundojnë angazhimet dhe kontributi me shpalljen dhe njohjen e pavarësisë. Ne do të kemi sfida tepër të mëdha edhe në të ardhmen, prandaj unë do të jem pjesë e kontributit për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Do ta kem një përpjekje të fuqishme për rimëkëmbjen e LDK-së. LDK-ja ka nevojë për rimëkëmbje, sepse LDK-në unë e mendoj ashtu siç ka qenë gjithmonë, jo si qëllim i vetvetes, por si interes shumë i fuqishëm i vendit. Në këtë drejtim, mendoj se duhet të bëhen ndryshime të mëdha, radikale, në LDK. Është e pamoralshme që kreu ta hedhë fajin tek pjesë të caktuara të LDK-së. Mendoj se kreu duhet të merret në radhë të parë me vetveten dhe nëse fajet kryesore për një devalvim dhe një degradim qëndrojnë pikërisht tek këta liderë.

RADIO EVROPA E LIRË
E keni fjalën për kryetarin e LDK-së?

MELIHATE TËRMKOLLI
E kam fjalën edhe për kryetarin e LDK-së, edhe për liderët tjerë.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG