Ndërlidhjet

Economist & FT: Zgjedhjet në Serbi


"Economist", "Financial Times"

Në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të cilat mbahen këtë të diele, më 20 janar, garojnë dy kandidatë seriozë, presidenti aktual Boris Tadiq, i cili njihet si më pro-evropian dhe Tomislav Nikoliq, udhëheqës i radikalëve ultranacionalistë. Edhe pse në krahasim më presidentin, pushtetin formal më shumë e ushtron kryeministri, në këtë rast Vojisllav Koshtunica, rezultatet e zgjedhjeve kanë një rëndësi të madhe, shkruan në numrin e sotëm e përjavshmja "Economist". Gazeta shkruan se zgjedhjet vijnë në një moment të ndjeshëm me faktin se brenda pak javësh Kosova synon ta shpallë pavarësinë, e cila do të njihet nga shumë vende botërore. Mënyra se si Serbia do të përgjigjet në këtë rast do ta definojë të ardhmen e saj, shkruan "Economist".
Partia e zotit Tadiq është pro-perëndimore, e kundërshton pavarësinë e Kosovës, por thotë se pavarësisht nga ajo se çfarë do të ndodhë em Kosovës, Serbia nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Zoti Nikoliq nga ana tjetër, shkruan "Economist", pohon se nëse shumica e vendeve anëtare të bllokut evropian njohin pavarësinë e Kosovës, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për t'iu bashkuar këtij blloku. Sondazhet flasin për rezultate të ngushta në rrethin e parë të votimeve më 20 janar, që do të thotë se rrethi i dytë do të mbahej midis dy kandidatëve më 3 shkurt, shkruan gazeta. Partia e kryeministrit aktual Vojisllav Koshtunica nuk ka ofruar kandidat për këto zgjedhje dhe kjo nënkupton se përkrahësit e tij mund të votojnë për zotin Nikoliq në rrethin e dytë. Zoti Tadiq ndërkaq nuk mund të llogarisë në entuziazmin e përkrahësve të mëparshëm, të cilët mendojnë se ka qenë një president i dobët, veprimet e të cilit i ka diktuar zoti Koshtunica, shkruan në fund "Economist".
E përditshmja "Financial Times" ndërkaq shkruan se sondazhet megjithatë tregojnë se Tomislav Nikoliq do të fitojë mbase në të dyja raundet e votimeve. Gara zgjedhore, e cila aktualisht po zhvillohet në kohën kur Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur si të organizojë misionin mbikëqyrës në Kosovë, do të përcaktojë edhe tonin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Brukselit në vitet e ardhshme. Në këtë kuadër, gazeta shkruan se Brukseli do të mund të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë më 28 janar për të ngritur kësisoj gjasat e zotit Tadiq në raundin e dytë, pavarësisht nga kushtet që Serbia nuk i ka përmbushur për të arrestuar dhe dorëzuar të dyshuarit për krime lufte. Sidoqoftë, të dy kandidatët kryesorë presidencialë pohojnë se do ta ruajnë sovranitetin e Serbisë në raport me Kosovën, duke llogaritur në mbështetjen e Rusisë dhe simpatinë e disa vendeve evropiane, por megjithatë duke mos hyrë në luftë për humbjen e Kosovës, shkruan në fund "Financial Times".
XS
SM
MD
LG