Ndërlidhjet

DI CARLO: SHBA - E PËRKUSHTUAR QË STATUSI TË ZGJIDHET SA MË SHPEJT


Albana Isufi

Zëvendësja e ndihmëssekretarit të shtetit, Rosemary Di Carlo, ka shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për një zgjidhje të shpejtë për statusin e Kosovës. “Dua ta qartësoj pozicionin e SHBA-ve për këtë çështje. Ne kemi thënë vazhdimisht se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes dy palëve, atëherë plani i Ahtisaarit është rruga më e mirë përpara dhe statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Sekretarja Rice e ka bërë të qartë në Berlin, në fillim të kësaj jave, se ajo vazhdon të diskutojë këtë çështje me aleatët tonë evropianë dhe ne besojmë se kjo çështje duhet të zgjidhet në atë mënyrë që promovon stabilitet afatgjatë në rajon”, tha zonja Di Carlo, mëngjesin e sotëm, pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu. Vizita e zonjës Di Carlo bëhet në kohën kur liderët e Kosovës janë duke thënë se shpallja e pavarësisë tashmë është çështje ditësh. E pyetur nëse ka pengesa tjera për shpalljen e pavarësisë përveç zgjedhjeve serbe, diplomatja amerikane ka përsëritur se çështja e statusit është duke u diskutuar me evropianët. “Do të them atë që sapo thashë, që sekretarja Rice është duke vazhduar që të diskutojë këtë çështje me aleatët evropianë, me liderët kosovarë. Ne, në të vërtetë, besojmë se çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet dhe ne duam ta zgjidhim në atë mënyrë që promovon stabilitet në rajon”, tha zonja Di Carlo. Ndërkaq, presidenti Sejdiu ka falënderuar shtetin amerikan për mbështetjen, që po i jep pavarësimit të vendit. Ai është zotuar se Kosova do të vazhdojë t’i përmbahet premtimeve për krijimin e një shteti për të gjithë qytetarët. “Kemi një përkushtim të veçantë në zotimin tonë se i mbesim besnikë asaj që kemi thënë edhe për projektin Ahtisaari, edhe për të gjitha qasjet tona që kanë të bëjnë me komunitete në Kosovë. Kosova do të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve, që do të gravitojë shumë shpjet në integrimet euroatlantike, një vizon i yni i qartë për zhvillimet e mëtejme dhe një Kosovë që do të jetë faktor i rëndësishëm i prodhimit të stabilitetit, bashkë me vendet tjera të rajonit”, u shpreh presidenti Sejdiu. Diplomatja e lartë amerikane ka përgëzuar institucionet për zgjedhjet e fundit, sikurse edhe për përfshirjen e komuniteteve pakicë në qeverisje. “Jam e kënaqur të shoh se qeveria e re, liderët e Kosovës kanë arritur që t’i përfshijnë në qeveri komunitetet joshqiptare të Kosovës. Jam e kënaqur që liderët kanë ripërsëritur përkushtimin e tyre për planin e Ahtisaarit dhe zbatimit të dispozitave të tij”, tha zonja Di Carlo, e cila sot ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Nesër, ndërkaq, është paraparë që Di Carlo të takojë kryeministrin Hashim Thaçi, si dhe liderët serbë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG