Ndërlidhjet

DEMAÇI:”RUSIA KËRCËNON TË NDEZË BALLKANIN”


Adem DEMAÇI

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, liderët kosovarë janë duke deklaruar se çështja e shpalljes së pavarësisë është çështje ditësh. A besoni ju se vërtet brenda disa ditësh do të shpallet pavarësia e Kosovës?

ADEM DEMAÇI
Po, një ditë do të shpallet. Edhe unë besoj se mund të mos shkojë shumë larg. Por, unë e kam fjalën se çfarë pavarësie do të jetë ajo. Nëse do të ishte pavarësi e vërtetë, nuk do të ishte shumë po të prisnim edhe me muaj. Mirëpo, ne do ta kemi një pavarësi të varur në të vërtetë, një pavarësi me mbikëqyrje, një pavarësi që do të jetë shumë problematike; do të quhet pavarësi, por do të kemi këtu kontrolle të mëdha. Dhe, këta që janë instaluar me këto votimet që u bënë, nuk do ta kenë asnjëherë fjalën e fundit për gjëra që janë esenciale, që janë thelbësore për Kosovën dhe për shqiptarët. Kjo më brengos mua, që liderët tanë harrojnë gjithmonë ta shtojnë atë shtojcën që thotë pavarësi e mbikëqyrur; Evropa asnjëherë nuk thotë pavarësi, vazhdimisht thotë pavarësi e mbikëqyrur. Dhe, populli, ashtu siç e ka falë Zoti, që është pa djallëzi, nuk pyet më shumë, veç thotë: ‘a po na e japin pavarësinë, a po na e japin pavarësinë’ dhe kjo më frikëson, sepse pas kësaj do të vijë një zhgënjim te njerëzit, kur të shohin se kjo që po e presin, nuk do të jetë aq e këndshme dhe aq e butë sa mendojnë qytetarët tanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të reflektojë kjo që po e quani pavarësi e mbikëqyrur te popullata e Kosovës? Si e shihni ju Kosovën në një pavarësi të mbikëqyrur?

ADEM DEMAÇI
Strumbullari i kësaj pavarësie do të jetë projekti i Ahtisaarit. Dhe, në projektin e Ahtisaarit ka gjëra aq shumë që prekin në sovranitetin tonë, në pavarësinë tonë, në mundësinë që ne të mund ta qeverisim vetveten ashtu si duam, sepse për pakicën serbe janë bërë lëshime aq të mëdha, saqë unë nuk besoj se ka diku në botë, se në Evropë jo që jo, shembull të njëjtë, që pakica të ketë aq të drejta, sa të mund të bllokojë madje edhe nxjerrjen e ligjeve, se për shembull nga 10-15 deputetë serbë, nëse nuk do të pajtohen dy të tretat me atë ligj, ai ligj nuk do të mund kalojë. Unë nuk besoj se ka një shembull të tillë; plus, këto enklavat e shumta, të ashtuquajtura serbe, që u krijuan me dhunë, sepse u bënë shkelje të mëdha të të gjitha ligjeve, kushtetutave, praktikës, që nuk është e vogël kjo Kosovë kështu siç ishte, me një autonomi që kishte. Nuk ka ndodhur asnjëherë që të jetë kaq e shtrënguar dhe të ndodhë që ne do të shkëputemi disi nga Serbia, mirëpo do ta kemi Serbinë brenda, me ato të drejtat e shumta për t’u përzier në punët tona të brendshme, gjoja duke u kujdesur për pakicën serbe; do të kemi telashe shumë të mëdha. Dhe, prapë, duhet ta ceki edhe atë që bëhet fjalë për kthimin e serbëve në Kosovë, të cilët në të vërtetë kanë bërë krime ose kanë qenë të lidhur me krimet që ka bërë ushtria, policia dhe paramilitarët serbë. Kurse, nuk përmendet askund kthimi i shqiptarëve të shumtë, që me dhunën policore janë përzënë nga Kosova, siç është fjala për shembull në Mitrovicën veriore. Askush nuk i përmend ato. Askush nuk i përmend të drejtat e shqiptarëve që gjenden sot nën administrimin e Serbisë; ata në Preshevë, në Bujanovc, janë në gjendje shumë të keqe dhe nuk i përfillin fare. Askush nuk i përmend ata, as këta tanët, as bashkësia ndërkombëtare, e cila do të duhej të kujdesej edhe për ta.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mendoni se do të ishte zgjidhja e duhur për popullin e Kosovës?

ADEM DEMAÇI
Ekziston zgjidhja universale dhe zgjidhja e vetme kur është fjala për popujt e robëruar. Ajo është vetëm vetëvendosja; vetëm referendumi është ai që i bie vulë vullnetit dhe dëshirës politike të çdo populli që është i robëruar. Evitimi, ikja nga kjo zgjidhje, e cila është e sanksionuar edhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me 100 rezoluta të ndryshme që janë praktikuar deri më sot, tregon se dikush do të na bëjë dallavere, dikush mundohet t’ua bëjë qefin atyre që kallen, shkrumbuan, vranë, dhunuan e i bënë njëqind të zeza jo vetëm Kosovës, por edhe boshnjakëve, edhe kroatëve. Me fjalë të tjera, bashkësia ndërkombëtare, në këtë mënyrë, shpërblen dhe në këtë mënyrë sikur edhe mbështet vazhdimin e krimeve, vazhdimin e ekzistencës së regjimeve militariste, regjimeve mafioze, regjimeve kriminale, regjimeve që bënë dhe po vazhdojnë të bëjnë krime të ndryshme. Bota është duke u munduar të luftojë kundër tyre, kurse këtu, ku janë argumentet shumë të dukshme, shumë të prekshme, këtu bëhet përpjekje të evitohen, për disa interesa që Serbia nuk do të dëgjojë për atë punë. Ka interesa që ta tërheqin Serbinë në BE, në paktin NATO etj. Mirëpo, Serbia këmbëngul se ajo punë nuk i intereson. Dhe, për çudinë e madhe, bota demokratike, në të cilën ne mbështetemi dhe nga e cila ne kemi pritur shumë dhe presim shumë, sikur bëhet një lypëse, sikur mundohet ta lusë, sikur të ishte Serbia ndonjë faktor i patejkalueshëm. I bëjnë lëshime edhe sa i takon zënies, burgosjes, dorëzimit të Mlladiqit e të Karaxhiqit e shumë kriminelëve tjerë, edhe për shumë obligime të tjera që do të duhej t’i plotësonte Serbia. Evropa e harron këtë punë, bashkë me Amerikën, me miken tonë, për disa hesape, për disa llogari, që fatkeqësisht popullin tonë po e përcjellin që nga Lidhja e Prizrenit, më 1878, e deri në ditët e sotme; gjithmonë në kurriz të shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Dihet se janë bërë disa muaj negociata para se të përmbyllen me planin e Ahtisaarit. Meqë thatë se referendumi për vetëvendosje është zgjidhja më e mirë, a ka qenë e mundur që kjo çështje të përfshihet në dokumentin e Ahtisaarit?

ADEM DEMAÇI
Këta miqtë tanë, së pari, e kanë studiuar Kosovën mirë. Kanë qenë këtu me ne 10-15 vjet, kanë seleksionuar mirë dhe i kanë zgjedhur për bashkëbisedues të vet njerëzit që kanë dhënë prova se nuk u kërcet fort për interesin e Kosovës, të cilët kanë dhënë prova se janë, të mos themi pa përgjegjësi, por që janë dorëlirë dhe që mund të bisedojnë me ta dhe të gjejnë zgjidhje që u përshtatën atyre, të cilët i kanë ftuar në bisedime. Dihet se si janë formuar këto delegacione. Nuk i ka dërguar askush këto delegacione. Gjithmonë i kanë zgjedhur të huajt. Kurse, të tjerët, mua, Albinin (Kurti) e të tjerët, që kemi qenë për interesin e përgjithshëm në radhë të parë, e pastaj për interesin tonë, na kanë lënë jashtë, sepse u kemi penguar. Edhe sot përpiqen të na mbyllin gojën, në mënyrë që fjala jonë të mos shkojë atje ku duhet, të mos dëgjohet shumë, të mos u pengojë atyre në këto pazarllëqe, të cilat bëhen në kurriz të popullit shqiptar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të intervistës shfaqët skepticizmin tuaj rreth misionit të ardhshëm të BE-së në Kosovë. Si në të vërtetë e shihni këtë mision? A mendoni se do të jetë i ngjashëm me UNMIK-un, apo do të ketë rol tjetër?

ADEM DEMAÇI
Po, në diçka që është thelbësore do ta ketë. Domethënë, misioni i Evropës do të ketë të drejtë të vendosë, do ta ketë fjalën e fundit për të gjitha gjërat që janë esenciale. Ndoshta do të ketë ndryshime në stil, ndoshta do të ketë ndryshime sa i përket përgatitjes së Kosovës ashtu si i përshtatet Evropës. Me fjalë të tjera, mund të ketë disa korrigjime që i kanë bërë Kombet e Bashkuara. Pres të paktën kështu, kështu presin edhe qytetarët tanë, që të ketë sa i përket çështjes së kriminalitetit, çështjes së dosjeve që janë të ngarkuara e të stërngarkuara e që nuk u hapen asnjëherë dhe të cilat dihen shumë mirë nga UNMIK-u, e do të dihen edhe nga Evropa. Unë besoj se do të bëjnë diçka, që të paktën kapitali i shqiptarëve që është investuar dhe që është rezervuar nëpër bankat evropiane, të gjejë rrugë që të vijë e të investohet në Kosovë. Besoj se do të bëjnë diçka edhe sa i përket ekspertëve të vërtetë, e jo të na çojnë neve gjithfarë ekspertësh, që vijnë të mësohen këtu në kurrizin tonë, se si bëhet shteti, si bëhet ekonomia. Unë besoj se Evropa do të sillet pak më seriozisht me këtë punë. Gjithashtu i kanë rezolutat, i kanë projektet. Projekti i Ahtisaarit është një projekt që do t’i detyrojë edhe ata që do të jenë eventualisht të ndërgjegjshëm, edhe ata që do të duan të vendosin një demokraci të mirë për interesin e paqes edhe në këtë rajon, edhe në Evropë, do t’i kenë duart e lidhura. Aq më keq, shqiptarët, Kuvendi i Kosovës këtu e pranoi atë farë projekti me sy jokritikë dhe ua la barrë qytetarëve tanë që të palaviten me të gjitha problemet që do të mund të na i nxjerrë Serbia. Qysh tash ajo na thotë neve se ka plane të shumta për qeverisjen e Kosovës dhe ato plane duhet t’i marrim shumë seriozisht, sepse Serbia do të mund të na nxjerrë probleme, se ajo nuk është në rrezik. Serbia nuk rrezikon asgjë që dikush do ta sulmojë ose do të marrë masa kundër saj. Serbia e ka mbështetjen e Rusisë sa i takon ekonomisë e tjerë. Serbia ka gjithashtu edhe një zgjerim të madh të shkëmbimit tregtar me të gjitha këto vendet e Evropës, kështu që ajo nuk rrezikon asgjë. Prandaj, Serbia është shumë më e rrezikshme, sesa që mendojnë shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se kërcënimet serbe po merren me një dozë lehtësie. Po, çfarë në të vërtetë mund të bëjë Kosova përballë këtyre kërcënimeve?

ADEM DEMAÇI
Nuk e ka lehtë Kosova, sepse Kosova në të vërtetë nuk po qeveris me vetveten. Krejt ajo çka është vendimtare për sigurinë e Kosovës, është në duar të tjerëve, është në duar të KFOR-it, është në duar të policisë, e cila gjithashtu drejtohet nga KFOR-i, e nesër do të drejtohet nga Evropa. Dhe, ata (serbët) i bëjnë zgjedhjet edhe në Kosovë, ata i organizojnë dhe ata thonë se ‘as nuk i ndihmojmë, as nuk i pengojmë’. Vjen Nikoliqi në mes të Mitrovicës, i mbledh në miting me mijëra njerëz, mban fjalim e flet çka do, e këta thonë se ka qenë në vizitë private. Me fjalë të tjera, këso lojërash pa kripë dhe këso lojërash pafytyrë na i bën ne Evropa demokratike, të cilën ne e duam dhe presim nga Evropa që të korrigjohet jo vetëm për ne, por duhet të korrigjohet, sepse çështja e Kosovës nuk është vetëm çështje e Kosovës. Çështja e Kosovës është se a do të jetë Evropa ende ajo që do të vazhdojë të merret me zjarr-fikje politike e ekonomike, apo do të jetë Evropa ajo që do t’i parandalojë të gjitha zjarret, nga të cilat u kërcënuam, nga të cilat u dogjëm dhe të cilat prapë po na kërcënohen nga Rusia, nga Serbia, që të ndizet përsëri kjo pjesë e Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, ju, për shumë vite me radhë, keni qenë i përfshirë në politikë. Ku është sot Adem Demaçi?

ADEM DEMAÇI
Unë, aktualisht, jam prapë i përzier në politikë, por në një mënyrë tjetër. Tash shkruaj romane, por shkruaj romane politike. Mundohem që ta mësoj popullin tim që të dijë të mendojë politikisht, të veprojë politikisht dhe ta kuptojë se pa ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe pa një syçelëti të madhe, nuk mund të merresh me politikë. Nuk është politika diçka ‘hajde të japim votën atëherë që e kërkojnë’ dhe pastaj të shikojmë se çka po bëhet. Domethënë, nuk është politika bixhoz, politika është një shkencë shumë e lartë dhe shumë precize, që shqiptarët duhet ta njohin, nëse nuk duan të vazhdojnë që bota të na mashtrojë, që me ne bota të sillet si me do farë kalamajsh, si me do farë qytetarësh të rendit të dytë e të tretë etj.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI

XS
SM
MD
LG