Ndërlidhjet

SIGURIA NJË DITË PAS SHPALLJES SË PAVARËSISË


Arton Konushevci

Siguria në Kosovë, pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, mund të jetë shumë e brishtë dhe me reagime të ndryshme pas shpalljes së pavarësisë. Naim Maloku, ekspert për çështje sigurie dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, mendon se pas pavarësisë, pritet të ketë reagime, siç thotë, nga segmentet radikale serbe brenda Kosovës.
“Unë mendoj se siguria do të jetë mjaftë e brishtë dhe realisht është për të pritur reagimet e segmenteve radikale qoftë brenda Kosovës, apo të nxitura edhe nga Serbia, jo për ndonjë qëllim tjetër, përveç për ta vështirësuar rrugën e Kosovës drejt njohjes së pavarësisë nga shumë shtete”, tha Maloku. Zoti Maloku ka shtuar se për çfarëdo reagimi që mendohet të nxitet nga kushdo qoftë, organet e sigurisë në Kosovë dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë janë të gatshme për të parandaluar çdo incident. “Politikisht do të ketë nxitje dhe cytje nga ana e politikës oficiele të Serbisë, sepse nuk do ta pranojë lehtë . Unë mendoj se forcat e sigurisë, në veçanti KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut, pra forcat ndërkombëtare të sigurisë duhet më tepër të jenë të përqëndruara në veri të Kosovës dhe në enklavat serbe. Detyrë dhe obligim e politikës kosovare është që të mbajë atmosferën e qetë ne pjesën e popullatës shumicë që të mos ketë kundër reagime. Duhet të jetë një bashkë rendim i veprimeve dhe i mbajtjes se qetësisë nga segmentet e politikes vendore dhe ndërkombëtare”, tha Maloku. Nga ana tjetër, Oliver Ivanoviq, lider i serbëve të Kosovës, thotë se nuk pritet të ketë ndonjë përkeqësim të madh të situatës së sigurisë, veç disa reagimeve të vogla, që sipas Ivanoviqit, mund të vijnë nga shqiptarët. “Mendoj se ajo eufori do të zgjasë më shumë se një ditë, por nuk mendoj se do të manifestohet me konflikte ose incidente të përmasave të gjera. Mund të jenë incidente sporadike, por nuk pres që ato të jenë serioze. Mund të ndodhë që shqiptarët në euforinë e tyre gjatë kremtimit, thjeshtë të rrezikojnë sigurinë e serbëve dhe në një tension të tillë të lartë, janë të mundura konfliktet eventuale, por unë mendoj që këtë herë rreziku nga konfliktet e tilla nuk është i madh”, tha Ivanoviq.
Ivanoviq, ka shtuar se forcat e sigurise ndërkombëtare që kujdesen për ruajtjen e rendit në Kosovë, do ta pëcjellin vazhdimisht situatën e sigurisë. “Thënë thjeshtë, as shqiptarët nuk do të kenë guxim që ta teprojnë sepse janë të vetëdijshëm që secila lëvizje e tyre është duke u përcjellur dhe se forcat ndërkombëtare, KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut, janë duke e përcjellur me vëmendje situatën. Mendoj se ata tashmë kanë ngritur nivelin e e gatishmërisë së tyre. Prandaj, mendoj se rreziqet nga incidentet janë më të vogla se më parë”, ka thënë Ivanoviq. Nga ana tjetër, zëdhënësi i KFOR-it, në Kosovë, Bertrand Bonneaux thotë se paqeruajtësit kanë plane të veçanta për situata të ndryshme në rast të përkeqësimit të situatës. “Misioni i KFOR-it është që të sigurojë një ambient të sigurtë për të gjithë. Natyrisht se ne, jemi gati për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët. Ne, jemi duke bërë monitorimin e situatës në mënyrë të ngushtë bashkë me policin e UNMIK-ut dhe atë të Shërbimit Policor të Kosovës dhe do të jemi të gatshme per situata e ndryshme në të ardhmen. Kemi plane të ndryshme për situata të ndryshme”, ka thënë Bonneaux. Ai ka shtuar se nga monitorimi i situatës nuk parashohin ndonjë përkeqësim të situatës, pavarësisht zgjidhjes së statusit të Kosovës. Edhe Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë se shërbimet e sigurisë do të jenë të gatshme për t’u përgjigjur në çdo aktivitet që cenon sigurinë e secilit qytetar të Kosovës. Ai, ka shtuar se askush nuk ka nevojë të frikësohet nga pavarësia e Kosovës. “Të gjithë ne, bashkërisht jemi të brengosur për sigurinë në Kosovë, aq më tepër në jemi në fazën e finalizimit të statusit të Kosovës dhe çështja për të cilën në jemi shumë të angazhuar shumë të përkushtuar është që të kemi siguri të plotë për të gjithë qytetarët pa dallim. Shërbimet tona të sigurisë do të jenë të gatshme t’i përgjigjen çfarëdo aktiviteti që cenojnë sigurinë e cilido nga qytetaret e Kosovës. Askush po ju ftojë që të mos frikësohet nga shpallja e pavarësia e Kosovës. Po, punojmë vazhdimisht si qeveri që ta kuptoni të gjithë bashkërisht se pavarësia e Kosovës, do të jetë për të gjithë qytetarët pa dallim. Askush të nesërmen nuk duhet të frikësohet nga kjo të gjithë do të vazhdojmë punën tonë normalisht dhe do të jetojmë normalisht”, ka thënë Pajaziti. Sido që të jetë, në Kosovë aktualisht gjenden më shumë se 16 mijë ushtare të KFOR-it dhe sipas zëdhënësit Bertrand Bonneaux, nga monitorimet e deritashme, nuk duket se ka nevojë për shtim trupash.
XS
SM
MD
LG