Ndërlidhjet

TADIQ: PERSONALISHT, KURRË S’DO TA PRANOJ KOSOVËN E PAVARUR


Zijadin Gashi

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në kuadër të fushatës së tij zgjedhore, u ka premtuar sot serbëve të Kosovës se ai nuk do ta pranojë kurrë Kosovën e pavarur. Tadiq ka shtrirë fushatën e tij në pjesën lindore të Kosovës, gjatë një vizite që i bëri sot fshatit Cërnicë të Komunës së Gjilanit. Banorëve lokalë serbë, presidenti Tadiq u ka premtuar angazhimin e tij që statusi i Kosovës të zgjidhet vetëm përmes negociatave dhe jo përmes aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Unë angazhohem që Serbia të mos heqë dorë kurrë nga Kosova”, theksoi Tadiq, duke premtuar se nëse ai rizgjidhet president, do t’i bëjë të gjitha që serbët dhe Serbia të ekzistojnë në Kosovë. “Kur është në pyetje e ardhmja e Kosovës, unë kurrë, absolutisht kurrë, nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Tadiq. Ai premtoi se për qëllime politike, megjithatë, kurrë nuk do ta shtynte më Serbinë në luftë. “Do të kërkoj zgjidhje paqësore përmes bisedimeve”, tha Tadiq. Në fshatin Cërnicë jetojnë rreth 190 serbë. Tadiq po shoqërohej tërë kohën edhe nga një e re serbe, letrën e së cilës, ai, ditë më parë, e pati lexuar para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Presidenti aktual serb u premtoi banorëve të këtij fshati se nuk do t’i tradhtojë kurrë. Por, gjatë gjithë kohës, Tadiq ka folur vetëm në vetën e parë, duke prezantuar vetëm qëndrimet e tij personale. “Sa më përket mua, ju e dini se unë do ta mbroj gjithmonë Kosovën tonë, por gjithmonë do të bëj çmos që t’i shmangem dhunës”, theksoi Tadiq. Për sigurinë e tij, gjatë qëndrimit në Kosovë është përkujdesur policia e Kombeve të Bashkuara. Në garën për presidentin e Serbisë, Tadiq ka për kundër-kandidat radikalin Tomisllav Nikoliq, i cili në raundin e parë mori 5 për qind të totalit të votave më shumë sesa Tadiq. Ndërsa liderët kosovarë thonë se rezultati i zgjedhjeve në Serbi nuk do të ketë ndikim për sa i përket statusit të Kosovës, analistët në vazhdimësi e ndërlidhin afatin kohor të marrjes së vendimit me mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi. Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Serbi mbahet të dielën, më 3 shkurt. Gjatë raundit të parë, tubim parazgjedhor në Kosovë, përkatësisht në pjesën veriore të Mitrovicës, pati mbajtur radikali Tomisllav Nikoliq. Të dielën, si edhe para dy javëve, pritet që serbët lokalë t’i hapin vendvotimet edhe në Kosovë, për të votuar për kandidatin e tyre të preferuar, në konkurrencën ndërmjet Tadiqit dhe Nikoliqit.
XS
SM
MD
LG