Ndërlidhjet

THAÇI VIZITON SERBËT-U GARANTON SIGURI PAS PAVARËSISË


Albana Isufi

Familja Slavkoviq, nga Rubovci, fshat ky i përzier etnikisht, ka pasur rastin sot, që të dëgjojë në shtëpinë e saj garantimin e kryeministrit Hashim Thaçi, se serbëve nuk do t’u ndodhë asgjë e keqe pas pavarësimit të Kosovës. Ai u ka bërë thirrje serbëve që të mos mbeten peng i së kaluarës. "Kosova është vendi i të gjithëve, në të cilin do të punojmë të gjithë bashkërisht dhe duhet të fokusohemi për të ardhmen dhe assesi të mos mbetemi peng i së kaluarës sonë të hidhur. Kosova po ndërton rendin demokratik, tolerancën ndëretnike me synime të qarta dhe për zhvillim ekonomik”, ka thënë kryeministri Thaçi, gjatë vizitës në Rubovc të Komunës së Lipjanit. Kjo vizitë, edhe pse nuk e ka bindur në mbetjen e tij në Kosovë pas statusit, të paktën i ka ofruar një siguri të përkohshme kryefamiljarit Slavisha Slavkoviq. “Unë ju falënderoj që keni gjetur kohë për të na vizituar dhe të shihni se si jetojmë bashkë me shqiptarët dhe serbët këtu në Rubovc, në këto kohë të rënda, kur sapo kemi humbur një fëmijë”, ka thënë Slavkoviq, i cili ka marrë ngushëllimet e kryeministrit për humbjen e të birit 13 vjeçar. Kryeministri Thaçi, i shoqëruar nga tre ministra, i ka premtuar familjes Slavkoviq, por edhe të gjithë serbëve të Kosovës, se do të qëndrojnë pranë tyre, jo vetëm me fjalë. “Përkushtimi im dhe i Qeverisë është që të punojmë për të ardhmen. Ne do të kemi status të ri, teknologji të re, jetë të re, më të mirë, më të sigurt, më të prosperuar. Unë ju siguroj se do të jem pranë jush në çdo kohë dhe me ju”, tha kryeministri Thaçi në Rubovc të Lipjanit. Ai ka garantuar se nuk do të lejojë të ndodhë asnjë incident gjatë dhe pas periudhës së përcaktimit të statusit.
“Ne nuk do të mbesim vetëm me fjalë të thata, por do të veprojmë konkretisht për të mirën e komunitetit serb”, tha Thaçi. Kreu i Qeverisë u ka bërë thirrje serbëve të zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre. "Unë do të punoj për të siguruar që të gjithë të kthyerit të kenë kushte për të jetuar, të sigurt dhe me prosperitet në pasuritë e tyre dhe shtëpitë. Njëherësh, i ftoj të gjithë personat e zhvendosur të kthehen në shtëpitë dhe pasuritë e tyre", tha Thaçi. Ivan Slavkoviq, i zhvendosur nga Rubovci në Leskovc të Serbisë, ka kërkuar ndihmën e kryeministrit për t’u kthyer në Kosovë. “Do të kërkoja ndihmë nga kreu i Qeverisë, që përmes Ministrisë për Kthim, të krijohen kushtet për kthim së bashku me familjen, pasi që iniciativat e deritashme kanë shkuar disi ngadalë”, ka thënë Ivan Slavkoviq. Ndryshe, Rubovci, që gjendet afër qytetit të Lipjanit, është i banuar me shqiptarë dhe serbë dhe banorët thonë se nuk kanë probleme mes vete. Nexhmedin Budakova pohon se në këtë fshat bashkëjetesa nuk është më problem. “Tash nëntë vjet pas lufte, mendoj se bashkëjetesa është shumë e mirë, serbët dalin lirë, çdo gjë është në rregull, siç ka qenë para luftës. Nuk na pengon asgjë, mund të pimë kafe, mund të luajmë bilardo, mund të tregtojmë, krejt është në rregull”, thotë Budakova. Qeveria e Kosovë premton se do t’u qëndrojë pranë të gjitha komuniteteve, veçanërisht atij serb, pas shpalljes së pavarësisë, megjithatë deri tani nuk është bërë publik ndonjë plan i veçantë se si do të akomodoheshin serbët, të cilët janë shprehur se do ta lëshojnë Kosovën në rast të pavarësisë. Analistët politikë mendojnë se të gjitha institucionet, përfshirë ato ndërkombëtare, duhet të punojnë për të siguruar se asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë komunitetit serb pas shpalljes së pavarësisë.

XS
SM
MD
LG