Ndërlidhjet

SERBËT THONË SE DO TA KUNDËRSHTOJNË DHE BOJKOTOJNË MISIONIN E BE-SË NË KOSOVË


Zijadin Gashi

Strukturat politike të serbëve të Kosovës në pjesën veriore, kanë kumtuar sot se do të bojkotojnë në tërësi misionin e ardhshëm civil të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kanë paralajmëruar organizime në nivele tjera në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një organ përfaqësues i serbëve të Kosovës, i quajtur Bashkësia e Komunave Serbe, është mbledhur sot në veri dhe i ka bërë thirrje Kuvendit të Serbisë që të marrë masa për të ruajtur Kosovën në kuadër të kufijve të këtij vendi. Çdo vonesë në thirrjen e një seance urgjente të Kuvendit të Serbisë, sipas përfaqësuesve serb, do të nënkuptonte një shteg të hapur për shqiptarët që të shpallin pavarësinë. Kryetari i Bashkësisë së Komunave Serbe të Kosovës, Marko Jakshiq tha se ardhja e misionit të Bashkimit Evropian cenon drejtpërdrejtë mbetjen e Kosovës në Serbi, kështu që serbët, sipas tij, nuk do ta pranojnë këtë mision.
“Vendimi i Bashkimit Evropian për të vendosur mision në Kosovë, me qëllim të zbatimit të planit të Ahtisaarit, me të cilin inaugurohet edhe një shtet shqiptar në Ballkan, për serbët e Kosovës është absolutisht i papranueshëm”, tha Jakshiq. Në rast se ky mision dërgohet në Kosovë, shtoi Jakshiq, serbët do ta bojkotojnë dhe do t’i bëjnë obstruksione të vazhdueshme këtij misioni. Përfaqësuesit serbë në fund vendosën që më 15 shkurt të formojnë Parlamentin serb të Kosovës, si institucion tjetër paralel që parashihet të funksionoj në Kosovë. Ndërkohë, edhe te partitë serbe që marrin pjesë në institucione po rriten dilemat lidhur me sjelljen e tyre në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Slavisha Petkoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, parti kjo që përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, tha sot se nuk do ta pranojë faktin që Kosova mund të jetë e pavarur. Në kohën e shpalljes së pavarësisë, Petkoviq tha se partia e tij do ta lëshojë Kuvendin, ngase pavarësia, shtoi Petkoviq, është e papranueshme për serbët dhe bie ndesh me Rezolutën 1244.
“Kushdo që vendosi në atë mënyrë që në formë të njëanshme të deklarohet pavarësia, ai duhet të përgjigjet dhe të ballafaqohet me të gjitha pasojat dhe me të gjitha të këqijat që do të vijnë pas këtij vendimi”, tha Petkoviq.
Ndërsa lidershipi kosovar vazhdon të deklarohet se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një çështje ditësh, ky lidership deri më tash nuk ka dhënë shumë shenja shqetësuese për reagimet e komunitetit serb dhe strukturave paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë, qoftë në veri të Kosovës apo në pjesë të tjera.
XS
SM
MD
LG