Ndërlidhjet

New York: KS diskuton për Kosovën


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot diskuton për çështjen e Kosovës. Mbledhja urgjente e këshillit është kërkuar nga Serbia. Kryesuesi i këshillit, ambasadori i Panamasë Ricardo Alberto Arias, tha se këshilli u dakordua të mbajë mbledhje të mbyllur pas letrave që kishte marrë nga Serbia dhe aleati i saj Rusia. Arias tha se në mbledhje do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq.
Para takimit, shefi i diplomacisë serbe deklaroi se në mbledhjen e këshillit, do t'u bëjë thirrje të gjitha vendeve që të bashkohen në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë dhe të mos lejojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës.
"Serbia angazhohet për zgjidhje kompromisi. Ne jemi shtet paqedashës dhe sovran, dhe dëshirojmë zgjidhje që do të mundësojë stabilizimin e rajonit dhe integrimet evropiane", tha ai. Jeremiq tha se anëtarëve të Këshillit të Sigurimit do t'ia përcjell qëndrimin e vendosur të Serbisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës do të ishte vendim i pavlefshëm dhe do të prishte stabilitetin në Ballkanin perëndimor.
XS
SM
MD
LG