Ndërlidhjet

"Pavarësia hap perspektiva të reja"


KOSOVA SOT
Në hyrje të qytetit, në pjesën veriore të Mitrovicës, qëndron një pankartë e madhe, ku shkruan “Urime dita e pavarsisë”, mirëpo në momentin kur futesh në rrugën qarkore, në drejtim të Leposaviqit, gjendja ndryshon. Nuk ka më vetura me flamuj, lokalet nuk janë të stolisura dhe telefoni nuk ka valë. Rrugës shohim fshatarë serbë, për të cilët dita e sotme është një ditë e zakonshme.

BOTA SOT
Dhjetëra shqiptaro-amerikanë dhe disa nga Belgjika kanë përgëzuar presidentin Sejdiu për ditën e madhe të njohjes së pavarsisë në prag të shpalljes, siç thanë ata, të shtetit më të ri në botë. Ndërsa, qindra të tjerë kanë ardhur nga SHBA-të dhe mijëra të tjerë nga Evropa dhe vendet e tjera, që të jenë të pranishëm në ngritjen e flamurit të pavarsisë.

EXPRESS
Lajmin për shpalljen e pavarsisë së Kosovës, Richard Holbrook, e vlerëson si ngjarje shumë të madhe. “Është lindja e një shteti të ri. Ky është gjithmonë një rrëfim i rëndësishëm. Dhe, për shkak të një gjykimi të gjatë e të vështirë, një rrugë e gjatë e e vështirë nëpër të cilën Kosova ka udhëtuar për t’u bërë e pavarur, është e një rëndësie të posaçme. Gjithashtu e ardhmja e Kosovës do të ndërlidhet shumë me stabilitetin e Evropës jug-lindore. Kështu që kjo është një ngjarje shumë e madhe”, ka thënë Holbrook.

KOHA DITORE
Jo zyrtarisht, flamuri i Kosovës përshkruhet të jetë sipas modelit: harta e bardhë e Kosovës e vendosur në mes të fushës së kaltër dhe e rrethuar me gjashtë yje të verdha. Ngjashëm me flamurin do të jetë edhe stema. Dallimi i vetëm do të jetë ndërrimi i ngjyrave në hartë dhe në yje. Në stemë, harta e Kosovës do të jetë e verdhë, ndërsa yjet do të jenë të bardha.

EPOKA E RE
Jakup Krasniqi, kryeparlamentar i Kosovës: “Shpallja e pavarsisë do të hapë një perspektivë të re për qytetarët e Kosovës, por ne e dimë se një pjesë e qytetarëve (serbët), të instrumentalizuar nga Beogradi, mund të jenë të pakënaqur. Por, me ofertën që u është bërë nga institucionet e Kosovës, mendoj se do ta humbin arsyen që serbët ta kundërshtojnë njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ne jemi të bindur se me shpalljen e pavarsisë së Kosovës, po hapet një epokë e re”.

INFOPRESS
Paralajmërimet se, të dielën, nëpër enklavat serbe do të qëndrojnë delegacione nga Qeveria e Serbisë, nën arsyetimin për t’i dhënë mbështetje pjesëtarëve të minoritetit serb që jeton në Kosovë, kryeministri Thaçi u është përgjigjur duke thënë se ardhja e cilitdo autoritet të Beogradit, nuk do të ketë kurrfarë ndikimi dhe institucionet e vendit do të pyunojnë sipas agjendës së paraparë.

LAJM
Shefi i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e institucioneve fetare të Kosovës, myftiu Naim Tërrnava dhe ipeshkvi Dodë Gjergji, u bënë thirrje qytetarëve që në mënyrë dinjitoze dhe me kulturë të lartë demokratike ta shënojnë festën e pavarsisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG