Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

QYTETARËT NË MAQEDONI PRESIN NGA 2006 PËRMIRËSIM TË KUSHTEVE EKONOMIKE


Pjesa dërmuese e qytetarëve të Maqedonisë natën e ndërrimit të motmoteve e kanë pritur në ambientet familjare, ndërsa sipas të dhënave të agjencive të udhëtimit një numër shumë i vogël madje më pak se një përqind e popullsisë kishin vendosur që vitin e ri 2006 t'a presin në një nga shtetet fqinje të Maqedonisë.
Si zakonisht edhe mbrëmë një kategori e caktuar e qytetarëve, krysisht të rinjë ndërrimin e viteve e kanë pritur në sheshin kryesor të kryeqendrës së Maqedonisë ku janë argëtuar nga këngëtarë të ndryshëm.
Për dallim nga viti i kaluar, kur nga gjuajtjet e armëve të zjarrit humbi jetën një vajzë 16 vjecare të dhënat e para të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk bëjnë të ditur për ndonjë incident të përmasava të tilla.
Qytetarët e Maqedonisë në natën e fundit të vitit 2005 kanë dëshiruar që vitin e ri te jenë më të relaksuar, krysisht në planin ekonomik pasi sipas tyre gjendja tepër e vështirë në këtë sferë ka bërë që ata edhe natën e ndërrimit të motmoteve ta presin në shtëpitë e tyre.
Përkundër gjendjes së rëndë ata thonë se nuk duhen humbur shpresat për ditë më të mira tani kur edhe sipas tyre Maqedonia mori statusin e shtetit kandidat për anëtarsim në Bashkimin Evropian.
"Pres përmirësim të gjendjes, të gjithë shpresojmë për më mirë", thotë një qytetare maqedonse, ndërsa një tjetër shprehet:
"Tani si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian pres që të jetë më mirë, ndoshta do të hapen vende të reja të punës dhe do të ketë investime të jashtme."
Nga ana tjetër disa qytetarë shqiptarë shprehen:
"Si student këtë vit pres një rritje më të theksuar ekonomike dhe normalisht hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë."
"Pres hapje të perspektivave për ne të rinjtë që studiojmë, por që kemi një fat të keq pasi papunësi e madhe mbretëron në këtë shtet", shton Mentor Ramadani, ndërsa një qytetar tjetër më i moshuar thekson:
"Njerëzit duhet të jenë më optimist, ndoshta do të bëhet më mirë."
"Presim punësim, rinia të ketë punë" thotë një tjetër qytetar në mikrofonin e radios "Evropa e Lirë", kurse Naim Kamishi, student shprehet:
"Më shumë pres përmirësim në sferën ekonomike, do të dëshiroja sa më shpejtë të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian".

Isuf Kadriu, Shkup

XS
SM
MD
LG