Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

BUKOSHI: PALA KOSOVARE HYN NË BISEDIMET PËR STATUSIN ME POZICION MË TË PAVOLITSHËM SE BEOGRADI


Bujar Bukoshi, kryetar i Partisë së Re të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bukoshi, është vlerësuar se muaji janar do të jetë muaji i fillimit të vërtetë të negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit lidhur me statusin e Kosovës. Cilat janë pritjet tuaja dhe sa e shihni delegacionin e Kosovës të përgatitur për këto negociata?

BUJAR BUKOSHI
Unë për vete nuk kam iluzione se këto punë prej janarit do të jenë të lehta. Ne të gjithë jemi dëshmitarë për gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Kosovë. Siç dihet muhabeti për këto negociata ka filluar dhe po paralajmërohet se do të intensifikohet. Unë nuk po shoh për momentin ndonjë trend më intensiv. Mirëpo sido që të jetë, pala shqiptare po them gjithmonë gjendet në një pozicion më të pavolitshëm. Pastaj për përgatitjet, për të cilat zyrtarët dhe udhëheqja e Kosovës deklarojnë se janë shumë në rregull, kam rezerva dhe e treta në të gjithë këtë punë mendoj se një moment që në mënyrë shtesë e komplikon dhe e rëndon situatën, është sëmundja e presidentit Rugova.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se pala kosovare sikur hyn në një pozicion jo të barabartë. Çfarë kuptoni me këtë?

BUJAR BUKOSHI
Në rradhë të parë mendoj se pala kosovare që pas ndërhyrjes së NATO-s, gradualisht dhe pandërprerë ka vazhduar të defaktorizohet pasi nuk ka qenë në gjendje më së pari ta konsolidojë vetveten dhe nuk arriti që gjatë kësaj faze t'i imponohet bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar një sistem, qoftë ai dhe i përkohshëm funksional, ekonomik dhe pastaj edhe gjatë formimit të institucioneve në ndarjen e punës etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë disa herë se decentralizimi nuk do të jetë pjesë e negociatave. Mirëpo është duke u përgatitur një takim në Vjenë, ku Prishtina dhe Beogradi do të diskutonin lidhur me decentralizimin. Nëse një takim i tillë do të mbahet a e shihni këtë takim atëherë si pjesë e bisedimeve për statusin?

BUJAR BUKOSHI
Doja të theksoja dhe po ashtu të konfirmoja përgjigjen time të parë lidhur me defaktorizimin e faktorit shqiptar që është një rast fare i qartë rasti i decentralizimit. Edhe gjyshet tona e dinë këtë punë se decentralizimi është praktikisht themeli i kërkesave ekstreme të Beogradit që me politikën e tyre obstriktive ta minojnë procesin në Kosovë dhe të shtrojnë kërkesa absurde. Edhe unë e shoh rrezikun këtu se me çështjen e decentralizimit, nëse këto koncesione pranohen apo nëse bëhen, atëhere ne do të kemi situata të ngjashme me 3-4-5 mini republika Srbska në Kosovë dhe unë mendoj që bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme të mendojë në këto pasoja të parashikueshme. Poenta ime është që edhe ashtu është humbur kohë e gjatë, po bëhen gati 7 vite që Kosova nuk arriti thjesht të stabilizohet në sensin më të gjerë të fjalës dhe tani kemi të bëjmë me një zhagitje të procesit, humbje të kohës, e cila pastaj nëse vazhdon kështu, në mënyrë absolute nuk mund ta përjashtojë radikalizimin e palës shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Është kjo situatë atëhere pasojë e mungesës së ofertës së një pale kosovare ose të institucioneve të Kosovës, për zgjidhjen e problemit serb në Kosovë?

BUJAR BUKOSHI
Pikërisht kjo. Unë personalisht jam për atë që me të vërtetë serbët e Kosovës dhe kërkesat e tyre të dëgjohen me seriozitet dhe të shikohet dhe nga pala shqiptare në një formë të një iniciative, të shikohen ato kërkesa në mënyrë më serioze, jo kërkesa absurde natyrisht. Por nga ana tjetër edhe këto institucione të Kosovës edhe pala shqiptare duhet të përpiqet që jetën për serbët e Kosovës ta bëjë të tërheqshme në ato norma në të cilat Kosova mundet t'i përballojë. Po them jo në atë ekstremizmin e Beogradit se kemi të bëjmë me dy gjëra: me serbët e Kosovës dhe me politikën obstruktive të Beogradit në frymën e politikave të kaluara. Nuk është e tepër të përkujtohemi ne, por duhet t'i përkujtojmë të gjithë se kemi të bëjmë me një mendësi të njëjtë në politikën e Beogradit. Politika serbe ende nuk është denazifikuar. Politika e ka atë detyrë qështë denazifikuar. Politika e ka atë detyrë që si ta menaxhojë problemin, si ta menaxhojë këtë krizë në shoqërinë kosovare. Ne jemi në një krizë si shoqëri. Unë nuk kam iluzione dhe nuk shoh ëndrra që do të vijë një ditë e bukur, por do të vihen nënshkrimet se kryeministri jonë do të pranojë apo s'do të pranojë atë nënshkrim. Këto janë të gjitha një konsumim naiv i brendshëm i lirë. Është një mimikëri politike dhe një folklor. Edhe nga ana tjetër unë nuk pres që zyrtarët e Beogradit ta nënshkruajnë, ta venë nënshkrimin "humbje" e Kosovës dhe e këtij vendi të shenjtë për Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përmendur disa herë në qarqet evropiane se zgjidhja do të kërkohet edhe tek kompromisi. Duke i patur parasysh pozicionet e të dyja palëve ku mund të gjendet kompromisi në këtë situatë?

BUJAR BUKOSHI
Natyrisht kompromisi është i rëndësisë thelbësore politike dhe unë e di se Kosova dhe ne të gjithë do të jemi dëshmitarë, që Kosova do të jetë e detyruar të pranojë një kompromis. Mirëpo ne duhet ta përcaktojmë atë kompromis. Çfarë quajmë ne kompromis. Ne bisedojmë me Beogradin, por para se të bisedosh me Beogradin, ti duhet të dish për çfarë do të bisedosh për Beogradin dhe jo të krijosh konfuzion. Unë që po pretendoj se merrem me politikë, e kam sot e kësaj dite të paqartë se cila është ajo agjendë dhe për çfarë do të bisedohet me Beogradin. Duke i ngatërruar këto gjëra, në vend që të sqarohen punët, ne bisedojmë për politikë, për statusin e Kosovës, për pavarësinë e Kosovës dhe të tjera janë aspektet teknike, që janë të dorës së dytë. Jo sepse i nënçmoj ato, por për ato pastaj le të bëhen grupet, komisionet etj. Është fjala për politikë puro, për një punë e cila ka mbetur e pakryer dhe për një punë, të cilën pala shqiptare duhet të jetë e vetëdishme se vetë si e tillë nuk mund t'ia dalë. Kemi nevojë për asistencën dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG