Ndërlidhjet

MINISTRI HAZIRI DORËZON VERSIONIN PËRFUNDIMTAR PËR DECENTRALIZIMIN


Rrahman Pacarizi, Prishtinë

Grupi politik strategjik i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin e ka marrë sot versionin përfundimtar të dokumentit për reformimin e pushtetit lokal në Kosovë dhe pas diskutimeve në ditët e ardhshme, pritet që shumë shpejt ky dokument t’i dërgohet për miratim delegacionit të Kosovës. Kështu është thënë sonte pas një takimi të grupit politik strategjik që e udhëheq koordinatori i grupeve të ekspertëve, Blerim Shala. Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, konfirmoi se versioni i dorëzuar është një dokument i kompletuar:
"I cili përmban parimet themelore të reformimit të pushtetit lokal dhe garanton tërësinë territoriale si pjesë e parimeve mbi bazë të dokumentit kryesor që është miratuar nga delegacioni i Kosovës",tha ministri Haziri, sipas të cilit kjo është një ofertë serioze dhe mjaft e ngjeshur:
"Do të jetë ofertë serioze që delegacioni i Kosovës do t’i ofrojë grupit etnik, që në kuadër të këtij procesi të jetë i integruar dhe të udhëheqë në nivel të administratës lokale me problemet që kanë të bëjnë me organizimin e jetës dhe të shërbimeve në këtë kontekst."
Sidoqoftë, Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës Lutfi Haziri, i cili është mandatuar nga delegacioni i Kosovës për çështjen e decentralizimit, nuk ka dhënë shpjegime të tjera, por ka thënë se arsyeja e komunitetit serb për ta pranuar këtë ofertë është se ajo është institucionale dhe pjesë kushtetuese, e cila i referohet një të ardhmeje të afërt të Kosovës me status të zgjidhur.
Sidoqoftë, edhe ky dokument, i cili më pas do t’i dorëzohet kryenegociatorit Marti Ahtisari mund të jetë pjesë e takimit në nivel ministrash ndërmjet Kosovës e Serbisë që pritet të mbahet në Vjenë, për çka delegacioni i Kosovës ende nuk ka marrë vendim:
"Është diskutuar për takimin. Ne edhe gjatë ditëve të ardhshme do të koordinojmë aktivitetet. Mund të konfirmoj se delegacioni i Kosovës është autoriteti i vetëm që do të vendosë për përbërjen e delegacionit dhe për nevojën dhe arsyen që të shkohet atje, si dhe për udhëheqësin e delegacionit".
Sidoqoftë vetë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë thënë se nuk ka nevojë të jenë të përfshirë në grupet punuese të Kosovës për decentralizimin, sidomos tash kur do të ketë takim në Vjenë. Goran Bogdanoviq, anëtar i delegacionit të Serbisë në bisedimet për statusin e Kosovës, si dhe pjesë e grupit të Serbisë për bisedimet për decentralizimin, tha se procesi i decentralizimit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe komunat të fitojnë një varg kompetencash nga pushteti qëndror që tash nuk i kanë. Ai tha se mendon para të gjithash në autonomi të plotë kulturore, në shëndetësi, në çështje sociale dhe në mundësinë e ndihmës kadrovike të Beogradit në këto fusha, si dhe autorizime në çështje edhe më të ndjeshme:
"Këtu nënkuptohen natyrisht autorizimet edhe mbi policinë lokale dhe gjyqet, pra që policia multietnike të jetë pasqyrim i përbërjes etnike të popullatës lokale dhe që kuvendi komunal të zgjedhë shefin e policisë lokale dhe kryetarin e gjykatës komunale, që do të konfirmoheshin pastaj nga pushteti qëndror," tha Bogdanoviq.
Në anën tjetër grupi politik ka diskutuar sot edhe për disa çështje të tjera, tha koordinatori Blerim Shala:
"E kemi marrë versionin përfundimtar të grupit punues për decentralizimin, i cili do të diskutohet në ditët e ardhshme nga Grupi politik dhe pritet të miratohet së shpejti nga delegacioni i Kosovës. Po ashtu e kemi marrë edhe versionin e parë të dokumentit mbi trashëgiminë kulturore, që e ka përgatitur zoti Ylber Hysa dhe po ashtu kemi marrë versionin e parë të dokumentit për kthim, gjegjësisht për lidhjen ndërmjet pronës dhe kthimit, që e ka përgatitur ministri Ardian Gjini", tha zoti Shala, ndërkohë që burime brenda grupit politik thanë se mbledhja e ekipit negociues të Kosovës pritet të mbahet të mërkurën.






XS
SM
MD
LG