Ndërlidhjet

ÇËSHTJA E MBIKALIMIT TË ZOGUT TË ZI ËSHTË SHNDËRRUAR NË ÇËSHTJE POLITIKE, VLERËSOJNË EKSPERTËT DHE ANALISTËT


Alma Çupi, Tiranë

Çështja e bllokimit të punimeve në mbikalimin e Zogut të Zi, sipas analistëve dhe ekspertëve, është kthyer tashmë në një çështje politike. Mbrëmë vonë një person humbi jetën në një nga gropat e lëna hapur, për shkak të pezullimit të punimeve në ndërtimin e këtij mbikalimi, që lidh veriun e Shqipërisë me kryeqytetin. Ish kryetari i bashkisë së Tiranës për vitet 1996- 2000, Albert Brojka, sugjeron që për të zgjidhur këtë problem, i cili ka shkaktuar kaos në trafik, duhet që të mblidhet një grup ekspertësh të pavarur politikisht dhe të japin alternativa zgjidhjeje. Zoti Brojka pranon se pezullimi është bërë konform ligjit.
"Unë do të gjykoja që të dy palët, pushteti qëndror dhe pushteti lokal të gjejnë pikërisht një zgjidhje të tillë sa më të shpejtë dhe sa më racionale, gjë që është e pamundur të bëhet, pasi është politizuar aq shumë problemi sa zor që dy palët të ulen së bashku dhe të zgjidhin problemin së bashku. Për mendimin tim do duhej një grup ekspertësh të pavarur dhe vendimi i këtyre ekspertëve të pavarur, ku mund të jenë dhe ekspertë të komunitetit ndërkombëtar, vendimi i tyre të ishte vendimi më i drejtë. Qoftë si kompozim i asaj mënyre, qoftë si një vendim për ta prishur apo për ta ristrukturuar dhe një herë në një frymë më të re ose më të pranueshme për të dy palët."
Ndërsa kryeredaktori i gazetës Tirana Observer Roland Qafoku, pezullimin e punimeve në mbikalimin në hyrje të kryeqytetit e shikon si një luftë politike mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të bashkisë të Tiranës dhe të Partisë Socialiste Edi Rama.
"Ky tashmë është kthyer në një casus që duam s'duam ne ka devijacione dhe nuanca të lidhura me politikën dhe si një casus teknik i ndërthyer me politikën, çështja është që tani nuk do ta kenë më fjalën teknicienët, por do ta kenë politikanët."
Shefi i kabinetit të bashkësisë së Tiranës Eduard Shalci, thotë se bllokimi i punimeve është politik dhe me pasoja për taksapaguesit e kryeqytetit.
"I bëj thirrje qeverisë shqiptare që të zhbllokojë me njëherë këto punime të bllokuara pa asnjë bazë ligjore dhe të ndërtojë një rrugë të re komunikimi dhe bashkëpunimi me qeverinë vendore të kryeqytetit. Gjithmonë në funksion të interesave të mëdha të komunitetit të kryeqytetasve".
Lëvizja Socialiste për Integrim në lidhje me pezullimin e punimeve në mbikalimin e Zogut të Zi, kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e kësaj çështjeje. Zëdhënësi i kësaj partie Dritan Ylli, thotë për radion Evropa e Lirë se në kushtet e politizimit ekstrem të kësaj çështjeje, sheh si rrugëzgjidhje ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.
"Ne mendojmë se ai tashmë ka marrë trajtat e një problemi politik, i një përplasjeje politike, ku më i dëmtuar është qytetari i Tiranës, qytetarët e Shqipërisë që u duhet të kalojnë çdo ditë në këtë mbikalim. Si rrugëzgjidhje Lëvizja Socialiste për Integrim, ka kërkuar gjithnjë që të mos kalohet në veprime, apo të mos ndërmerren veprime të nxituara, arbitrare dhe të pallogjikshme, por të respektohen të gjitha vendimet e institucioneve. Pra një herë duhen pritur të gjitha vendimet e institucioneve gjyqësore në të gjitha shkallët e tyre".
Punimet në mbikalimin e Zogut të Zi janë bllokuar para dy muajsh nga policia ndërtimore për shkak të parregullsive në dokumenta. Drejtori i policisë ndërtimore takoi zyrtarë të Komisionit Evropian në Tiranë dhe i informoi për problematikën e mbikalimit. Gjithashtu pritej që një delegacion i kongresit të autonomive lokale të Këshillit të Evropës të vijë në Tiranë për t'u njohur më konkretisht me konfliktin e bashkisë së Tiranës dhe të policisë ndërtimore për mbikalimin e Zogut të Zi.



XS
SM
MD
LG