Ndërlidhjet

EKSPERTË TË SIGURISË KUNDËRSHTOJNË PROPOZIMET E BEOGRADIT LIDHUR ME AUTONOMINË E POLICISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përderisa grupi politik strategjik i Kosovës ka vazhduar sot diskutimin me dyer të mbyllura lidhur me projektin e decentralizimit që i është prezantuar grupit të hënën nga Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, ekspertë të çështjeve të sigurisë kanë vlerësuar se janë të papranueshme qëndrimet e shprehura në platformën e delegacionit të Beogradit lidhur me decentralizimin, ku kërkohet autonomi e policisë në komunat e reja që do të formohen sipas reformës së pushtetit lokal në Kosovë.
Ramadan Qehaja, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi, tha se çështja e kompetencave dhe organizimit të policisë në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat e reja janë të rregulluara sipas rregullores së UNMIK-ut:
"Me rregulloren për policinë, e cila është marrë më 20 dhjetor, përkatësisht sipas ligjit mbi policinë, përveç të tjerash thuhet se komisari i policisë i themelon nënstacionet policore aty ku sipas mendimit të tij është me interes për kryerjen e efektshme të detyrave të policisë dhe marrëdhënieve të mira me të gjitha bashkësitë".
Për këtë arsye thotë zoti Qehaja, struktura e Shërbimit Policor të Kosovës duhet të respektojë zinxhirin komandues dhe hierarkinë:
"Policët e SHPK-së të caktuar në çdo nënstacion, i raportojnë komandantit të stacionit të atij rajoni, domethënë është fjala për hierarkinë zinxhirore të udhëheqjes dhe komandimit të policisë së Kosovës".
Platforma e delegacionit të Beogradit lidhur me decentralizimin mbron qëndrimin se në komunat me shumicë serbe, policia duhet të ketë autonominë e saj. Goran Bogdanoviq, anëtar i këtij grupi ka deklaruar ditë më parë për Evropën e Lirë se ndër kërkesat është që edhe shefi i policisë në stacionet lokale të emërohet nga kuvendi komunal. Zoti Qehaja tha se rregullorja e UNMIK-ut që ka vlerë ligjore e përcakton edhe çështjen e propozimit dhe të zgjedhjes së komandantit të policisë nëpër stacione dhe nënstacione. Në këtë kuadër, ai tha se për të siguruar që policët u përgjigjen interesave të popullatës lokale, pas konsultimit me zëvendëskomisarin e policisë që do të jetë vendor dhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, komisari ia paraqet kuvendit komunal përkatës listën me jo më pak se tre kandidatë për pozitën e komandantit të stacionit lokal të SHPK-së, ku së paku një kandidat i takon bashkësisë shumicë në atë komunë.
"Pas konsultimeve të nevojshme ndërmjet komisarit të policisë dhe Ministrit të brendshëm emërohet komandanti i stacionit lokal të SHPK-së, ndërmjet të tjerash duke i kushtuar vëmendje të posaçme preferencës së shprehur nga kuvendi komunal në rang liste dhe këto janë çështjet më të reja ku kemi pasur për bazë multietnicitetin e policisë së Kosovës", tha zoti Qehaja, ndërkohë që ende nuk janë bërë të ditura detajet lidhur me planin më të ri që ministri Haziri ia ka dorëzuar grupit politik, dokument, i cili pas konfirmimit nga ekipi negociues i Kosovës, do t’i dorëzohet edhe kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin, zotit Marti Ahtisari.

XS
SM
MD
LG