Ndërlidhjet

PRISHTINË


Kosova dhe Kisha Katolike kanë humbur njeriun e rëndësishëm të paqes, dashurisë dhe vizionit për të ardhmen kanë thënë udhëheqësit më të lartë të institucioneve në telegramet e tyre të ngushëllimit, me rastin e njoftimit për vdekjen e Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Mark Sopit.
Prijësi i Ipeshkvisë Mark Sopi vdiq sot pas orës 15.00, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas një sulmi në zemër.
Ai ka lindur më 26 shkurt të vitit 1938 në fshatin Binçë të Vitisë, ku edhe e ka mbaruar shkollimin fillor. Shkollën e mesme e ka vijuar në Kroaci, ku gjithashtu i ka vazhduar studimet për Filozofi dhe Teologji, të cilat i ka përfunduar në Romë.
Në vitin 1968 ka filluar të shërbejë si prift i ri në Ferizaj, ndërsa nga viti 1974 ka filluar të shërbejë si famullitar në Kishën e Zllakuqanit të Klinës. Nga viti 1991 deri në vitin 1995 ai ka shërbyer si prift në Durrës, dhe në këtë vit, Selia e Shenjtë e ka emëruar ipeshkv të Kosovës, detyrë në të cilën e ka trashëguar imzot Mark Prelën.
Mark Sopi do të kujtohet si njeri i devotshëm, që me zell e përkushtim dha kontributin e tij të lartë intelektual e profesional në ngritjen dhe zhvillimin e tolerancës fetare në Kosovë, thuhet mes tjerash në telegramet e udhëheqësve të institucioneve, partive politike e subjekteve tjera fetare e kulturore.
XS
SM
MD
LG