Ndërlidhjet

HAZIRI: JAM I GATSHËM TË SHKOJ NË VJENË ME AUTORIZIM TË EKIPIT NEGOCIATOR


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri tha sot se është i gatshëm të shkojë në Vjenë për t’u takuar me delegacionin e Serbisë lidhur me decentralizimin, nëse një gjë e tillë kërkohet prej tij nga delegacioni i Kosovës në bisedat për statusin. Kështu tha sot për Evropën e Lirë ministri Haziri, menjëherë pasi kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, e ka caktuar 25 janarin si datë për mbajtjen e takimit në Vjenë ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë lidhur me decentralizimin. Ministri Haziri tha se vendimi për të shkuar në Vjenë apo jo i takon delegacionit të Kosovës që kryesohet nga presidenti Rugova:
"Qëndrimi im është i njëjtë – unë shkoj vetëm me autoritet të ekipit negociator dhe me kërkesë të tyre. Jam i gatshëm që të përfaqësoj interesat e institucioneve të Kosovës në këtë takim, por duhet vendimmarrja të jetë e qartë- ajo i takon vetëm delegacionit të Kosovës dhe çfarëdo vendimi që sjellin unë jam i gatshëm për të shkuar ose për të mos shkuar", tha ministri Haziri, ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të mblidhet ekipi negociues i Kosovës për statusin, i cili për herë të fundit është takuar kah mesi i dhjetorit të shkuar. Ministri Lutfi Haziri, i cili nga delegacioni i Kosovës është mandatuar që të merret me çështjen e decentralizimit, tha se shumë shpejt mund të pritet vendimi lidhur me shkuarjen apo mosshkuarjen në Vjenë, siç u shpreh ai:
"Shpresoj se këto ditë do të vendoset. Ne jemi duke punuar me grupin politik në dokumentin kryesor të procesit të decentralizimit dhe besoj se do të arrijmë ta bëjmë koordinimin e aktiviteteve për delegacionin e Kosovës, në mënyrë që ai të vendosë me kohë".
Sidoqoftë, ministri Haziri tha se nuk ka ndonjë vërejtje lidhur me datën që është caktuar, pasi sipas tij delegacioni i Kosovës është i përgatitur që të diskutojë për decentralizimin:
"Ne jemi të përgatitur në çdo kohë që të marrim pjesë në kuadër të përgjegjësive që na takojnë. Në atë kontekst nuk duhet të frikësohemi se jemi të papërgatitur".
Ministri Haziri i ka dorëzuar të premten e shkuar grupit politik versionin përfundimtar të dokumentit pëër decentralizimin, i cili pas konfirmimit nga delegacioni i Kosovës do t’i dorëzohet zotit Marti Ahtisari, i cili pritet të vijë në Kosovë në gjysmën e dytë të këtij muaji.

XS
SM
MD
LG