Ndërlidhjet

KOSOVA KA ENDE NË FUQI TË GJITHA MASAT PËR PARANDALIMIN E PËRHAPJES SË GRIPIT TË SHPEZËVE


Albana Isufi, Prishtinë

Vdekja e tre fëmijëve nga gripi i shpezëve në Turqi dhe infektimi i rreth 20 të tjerëve me virusin H5N1 ka bërë që institucionet e Kosovës të rishikojnë masat e ndërmarra për pengimin e depërtimit të këtij virusi në vend. Drejtori i Institutit për Shëndetësi Publike Jusuf Dedushaj, tërheq vërejtjen se tash duhet pasur më shumë kujdes, pasi Kosova me Turqinë ka lidhje të shumëfishta, pasojë e të cilave mund të jetë depërtimi në Kosovë i virusit H5N1.
“Është mjaft shqetësuese paraqitja e rasteve të gripit të shpendëve në Turqinë Lindore, duke pasur parasysh se Kosova ka marrëdhënie shumë të ngushta me Turqinë, qoftë ato lidhje gjaku, familjare apo tregtare”, thotë Dedushaj.
Por, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Ministrisë së Bujqësisë thanë sot se rezultatet e mbi 120 mostrave konfirmojnë se në Kosovë nuk është paraqitur virusi i gripit të shpezëve. Tomë Hajdaraj, zëvendësministër i Bujqësisë, tha se kosovarëve u duhet informimi i drejtë rreth masave që qeveria ka ndërmarrë për parandalimin e depërtimit të virusit H5N1 në Kosovë.
“Nuk ka nevojë që të krijohet panik. Duhet të jemi vigjilentë dhe në ballë të detyrës, por jo të krijojmë panik. Duhet të njoftojmë opinionin pa dridhje".
Këshilltari për shëndetësi i kryeministrit, Naser Rugova, thotë se Kosova nuk është e rrezikuar nga shpërthimi i epidemisë së gripit të shpezëve. Këtë ai e arsyeton me faktin se, që nga muaji tetor, kur edhe u paraqitën rastet e para të gripit të shpezëve në disa shtete të Evropës, Kosova ka filluar aplikimin e masave parandaluese, përkatësisht ndalimin e importimit të prodhimeve të shpendëve nga vendet e prekura me virusin H5N1.
“Të gjitha vendimet për urdhëndalesat, që i pat ndërmarrë qeveria e Kosovës më 8 tetor të vitti të kaluar janë ende në fuqi. Për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, për vendet e rajonit ku ka pasur raste të gripit të shpezëve dhe këto masa janë në fuqi edhe për shtetin e Turqisë”.
Këshilltari Rugova mendon se këto masa janë të mjaftueshme për të konstatuar se Kosova nuk është e rrezikuar nga gripi i shpezëve.
“Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për parandalimin ndaj një epidemie të mundshm,e si dhe Agjencia e Veterinare dhe e Ushqimit dhe Instituti i Shëndetësisë Publike dhe ne jemi optimistë se për Kosovën ka kaluar rreziku i përhapjes së avian inluencës, për arsye se edhe vendet fqinje të Kosovës si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia fatmirësisht nuk kanë qenë të prekura nga ky virus”, thotë Rugova.
Kosovarët nuk kanë marrë vaksinën tamiflu, me të cilën po vaksinohet kryesisht popullata e vendeve të prekura nga virusi H5N1. Megjithatë, kreu i Institutit të i Shëndetësisë Publike Jusuf Dedushaj, thotë se një pjesë më e ndjeshme e popullatës, ka marrë vaksinën kundër gripit human.
“Janë vaksinuar diku rreth 10 mijë persona në shkallë të Kosovës me vaksinën humane kundër gripit”.
Kina ka njoftuar për dy raste të reja të vdekjes nga virusi i gripit të shpendëve. Me viktimat e fundit, numri i të vdekurve nga gripi i shpendëve në mbarë botën ka arritur në 78. Shtete më të rrezikuara mbesin ato të Azisë Lindore.
Ndërkohë, qeveritë nga vende të ndryshme të botës po grumbullojnë rezerva të vaksinës Tamiflu, në rast të përhapjes së ndonjë pandemie të gripit të shpezëve. Këto vaksina janë të shtrenjta dhe me numër të kufizuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se me kapacitetin e fabrikave ekzistuese duhen 10 vite për të prodhuar sasi të mjaftueshme të vaksinës për të trajtuar vetëm 20 për qind të popullatës së botës.

XS
SM
MD
LG