Ndërlidhjet

NË PRISHTINË U MBAJT NJË MBLEDHJE PËRKUJTIMORE PËR NDER TË IMZOT MARK SOPIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Imzot Mark Sopi do të mbetet një ndër shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës, është thënë në mbledhjen përkujtimore mbajtur për të nderuar figurën e Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Mark Sopi, i cili ndërroi jetë të mërkurën më 11 janar, si pasojë e një sulmi në zemër.
Në mbledhjen përkujtimore, ku morën pjesë drejtues të institucioneve të Kosovës, të UNMIK-ut, të Kishës Katolike dhe përfaqësues të zyrave diplomatike perëndimore në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, e çmoi lart përkrahjen që imzot Sopi u dha institucioneve të Kosovës, ndërsa vdekjen e tij e quajti një humbje të madhe:
"Kosova në çështjet e finales së saj, të asaj për të cilën tërë jetën dha dijen dhe djersën imzot Mark Sopi, mbeti pa protagonistin dhe kontribuesin shumë të rëndësishëm të të gjitha zhvillimeve në Kosovë," tha zoti Daci, sipas të cilit prania intelektuale në institucionet e Kosovës ishte ndihmesë për marrjen e vendimeve të urta.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, e cilësoi imzot Mark Sopin, një ndër shtyllat e shtetësisë së Kosovës, siç u shpreh ai.
"Imzot Mark Sopi qe një prej burrave më të mëdhenj të Kosovës, për Kishën Katolike shqiptare, por njëkohësisht edhe për atdheun, për Kosovën, për lirinë e Kosovës dhe pa dyshim ai ka qenë dhe do të mbetet një prej shtyllave kryesore të shtetit të ardhshëm të Kosovës".
Veprën e imzot Mark Sopit e çmoi lart edhe zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin, duke veçuar angazhimet e tij për ndërtimin e frymës së tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë:
"Në bashkëpunim me drejtuesit e komuniteteve të tjera në Kosovë, ipeshkvi Sopi e ka dënuar fuqishëm dhunën kur ka ndodhur ajo, duke bërë thirrje për jetë paqësore ndërmjet komuniteteve dhe për ndërtimin e institucioneve të fuqishme të Kosovës të orientuara kah mbrojtja e të drejtave të njeriut," tha Rossin, duke u shprehur ngushëllime familjes Sopi, Kishës Katolike dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Kishës Katolike në Kosovë, dom Lush Gjergji, tha se kontributi i imzot Mark Sopit bëhet edhe më madhështor, duke pasur parasysh se ai mori drejtimin e Ipeshkvisë së Kosovës në një kohë tepër të vështirë:
"Me shumë pasiguri dhe paqartësi dhe sidomos me shumë rreziqe dhe dhunë, guximisht na udhëhoqi gjatë këtyre viteve drejt paqes, lirisë dhe pavarësisë. Pra, para, gjatë dhe pas luftës, ishte bariu i mirë i grigjës së besuar, i Kishës Katolike po se po, por edhe i të gjithë njerëzve vullnetmirë, sidomos angazhimi i tij i madh në krijimin e urave dhe marrëdhënieve sa më të mira miqësore dhe vëllazërore ndërfetare dhe ndëretnike".
Mesha e përndritur për nder të imzot Mark Sopit mbahet nesër në mesditë në Prizren, që është qendra e Ipeshkvisë së Kosovës, ndërsa varrimi bëhet pasdite në vendlindjen e tij në Binçë të Vitisë.

XS
SM
MD
LG