Ndërlidhjet

GRUPI POLITIK MIRATOI PARIMET BAZË TË DECENTRALIZIMIT NË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupi Politik që vepron në kuadër të Delegacionit të Kosovës për bisedimet për statusin, ka miratuar sot Dokumentin mbi parimet bazë të reformës së pushtetit lokal në Kosovë. Parimet e miratuara, sipas Ministrit të Pushtetit Lokal, Lutfi Hazirit, janë të vlefshme dhe mund të zbatohen në tërësi vetëm në Kosovën e pavarur dhe sovrane. Parimet e miratuara përcaktojnë qartë pozicionin e Prishtinës se procesi i reformave në pushtetin lokal, apo decentralizimi, nuk duhet të ndërtohet mbi baza etnike apo të ndarjeve në vija e korridore etnike. Ministri Haziri tha se puna një javore e filluar në Grupin Politik, ku ishin të pranishëm dhe ekspertë ndërkombëtarë, përfundoi sot dhe tani i mbetet Delegacionit të Kosovës që të miratojë këtë dokument:
“Mendoj që sot kemi arritur t'i finalizojmë të gjitha parimet e dokumentit që ne tash e tutje do t'i quajmë parimet për reformën e administratës lokale në Kosovë si pjesë e statusit dhe që do t'i shërbejë Delegacionit të Kosovës në parimet e efikasitetit, funksionalitetit dhe subsidialitetit për të organizuar shërbime më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Haziri.
Në vazhdim ministri Haziri tha po ashtu se i mbetet Delegacionit të Kosovës që të vendosë dhe në lidhje me takimin e Vjenës, ku është paraparë që Prishtina dhe Beogradi të diskutojnë për decentralizimin. Në këtë takim, përfaqësuesit kosovarë do të prezantoheshin me dokumentin e miratuar sot:
“Po ashtu është biseduar edhe për takimin e Vjenës dhe pritet vendimi i Delegacionit të Kosovës për nivelin e përfaqësimit dhe për emrat që do të jenë pjesë e takimit të ardhshëm, si dhe vendimi se a duhet të merret pjesë dhe arsyeshmërinë që duhet ta ketë në këtë kontekst”, theksoi ministri Haziri.
Parimet bazë të reformës në pushtetin lokal, thuhet se mbështeten në standardet evropiane për qeverisjen lokale që garantojnë sundimin e ligjit dhe një administratë më efikase dhe sa më afër qytetarit. Dokumenti i miratuar sot, sipas një komunikate të lëshuar pas takimit të Grupit Politik, siguron vendim-marrjen më afër qytetarit dhe garanton integrimin e të gjitha komuniteteve në strukturat demokratike të Kosovës. Të gjitha institucionet paralele ekzistuese në Kosovë, sipas këtij dokumenti, duhet të shuhen dhe në të ardhmen asnjë formë e re e institucioneve paralele nuk do të tolerohet. Integriteti territorial i Kosovës dhe karakteri i saj unitar është i pacenueshëm, thuhet në parimet e miratuara duke bërë me dije se për Prishtinën do të jenë krejtësisht të papranueshme kërkesat për ndarje apo krijimin e korridoreve etnike në Kosovë. Në fund, Grupi Politik, përmes deklaratës së miratuar, pret që reforma e pushtetit lokal të kontribuojë pozitivisht në marrëdhëniet ndëretnike dhe do të mundësojë një zhvillim të qetë e harmonik të shoqërisë kosovare.


XS
SM
MD
LG