Ndërlidhjet

DEBATOHET PËR GJENDJEN E FEMRAVE TË PËRKATËSISË ROME, ASHKALI DHE EGJIPTASE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Pozita e gruas e komunitetit rom ashkali dhe egjiptas në Kosovë është diskriminuese, për shkak të kushteve të rënda socio-ekonomike. Kështu u tha sot në një debat të organizuar nga qeveria e Kosovës dhe rrjeti i organizatave joqeveritare Qeliza nga Gjakova.
Emisale Mërxhollari, përfaqësuese e grave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, tha se pozita e këtyre grave mbase do të mund të cilësohej si më e rënda në shoqërinë kosovare. Niveli i ulët i arsimimit dhe kushtet e rënda ekonomike, janë dy faktorët kryesorë, që sipas zonjës Mërxhollari, kanë vështirësuar integrimin e grave të këtij komuniteti në shoqërinë kosovare.
"Gratë jorome janë të arsimuara dhe kanë vende të punës si dhe janë në vende pune publike. Janë të vetëdijshme për të drejtat e tyre dhe janë përkrahur nga familjet e tyre. Ndërsa gratë rome ende rrnojnë me botëkuptimet e familjeve të tyre, ku si femra nuk dinë të dinë për të drejtat e tyre dhe janë amvisa të thjeshta."
Zonja Mërxhollari thotë se në Kosovë jetojnë përafërsisht 50 mijë romë, 50 përqind e tyre janë femra, të cilat janë kryesisht analfabete apo kanë përfunduar vetëm nivelin e parë të shkollimit. Ajo është e mendimit se rrugëdalja më e mirë nga kjo pozitë është tek shkollimi i këtyre femrave në gjuhën e tyre amëtare.
"Ngritja e standardit të komunitetit rom në Kosovë, duke ua mundësuar shkollimin dhe edukimin në gjuhën amëtare të tyre. Do të synojmë që përmes organeve të pushtetit të ndikojmë në punësimin e komunitetit rom duke mos u diskriminuar asnjë komunitet që jeton në Kosovë."
Habit Hajredini nga zyra për qeverisje të mirë në kuadër të qeverisë së Kosovës tha se kjo zyrë ka punuar vazhdimisht në përmirësimin e të drejtave të grave, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
"Ja vlen të merren parasysh këta faktorë dhe disa të tjerë, që janë të domosdoshëm që të ketë një bashkëpunim më të gjerë në mes të qeverisë dhe gjithë akterëve të tjerë, që të merren më seriozisht me një periudhë sa më të shkurtër, me qëllim të ndërmarrjes së aktiviteteve, politikave, apo programeve në drejtim të krijimit të parakushteve themelore në drejtim të përmirësimit të pozitës së femrave rome në shoqëri. Një obligim i tillë është i bazuar edhe në dokumente të shumta, duke u nisur nga Korniza Kushtetuese".
Vjollca Kuqi nga rrjeti Qeliza, tha se për përmirësimin e pozitës së grave rome, ashkali dhe egjiptase, duhet të formohet një grup i përbashkët punues, i cili do të shqyrtojë pozitën e këtyre grave dhe do të japë rekomandime për përmirësimin e kësaj pozite.
"Arritja e barazisë gjinore shpresoj se do të bëhet shpresëdhënëse akoma më shumë, në një moment mjaft historik për të cilin aderon Kosova aktualisht, për një pavarësi të vendit ku mbizotëron liria, paqja, zhvillimi i mendjes dhe lumturia e të gjithë njerëzve të cilët pasurojnë mozaikun e shumëllojshëm kombëtar të Kosovës."



XS
SM
MD
LG