Ndërlidhjet

BISEDIMET NUK JANË PËR STATUSIN E KOSOVËS - JANË PËR STATUSIN E SERBËVE NË KOSOVË


Economist

Në prapaskenën e diplomacisë ndërkombëtare, negociatat intensive mbi të ardhmen e Kosovës tashmë kanë filluar pa pjesëmarrjen e shqiptarëve dhe serbëve. Fuqitë perëndimore, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia, tashmë janë marrë vesh rreth pavarësisë së kushtëzuar dhe duke u nisur nga dallimet në politikat e jashtme në mes të këtyre vendeve, konsensusi i arritur për Kosovën është për t’u befasuar. Madje edhe diplomatët rusë, të cilët publikisht insistojnë se do t’i mbështesin serbët, privatisht thonë të kundërtën. Në fakt, të gjithë janë duke aktruar se e ardhmja e Kosovës do të zgjidhet në bisedimet që do t’i udhëheqë i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisaari. Por, privatisht, fuqitë perëndimore e kanë pranuar faktin se pala shqiptare dhe ajo serbe nuk do të pajtohen kurrë dhe se vendimet duhet të merren në emrin e tyre. Diplomatët britanikë argumentojnë se shqiptarët e Kosovës do të mund të ishin të gatshëm për koncesione në raport me komunitetin serb në Kosovë, nëse u jepet një garanci e prerë se pavarësia do të jetë rezultati i bisedimeve. Francezët ndërkaq, janë më të përmbajtur, nga frika se publikimi i këtij rezultati do të mund ta shtynte Serbinë që të refuzojë pjesëmarrjen në bisedime.
Dhe nëse rezultati tashmë është arritur, atëherë cili është qëllimi i procesit negociator të zotit Ahtisari? Një diplomat ka thënë se negociatat nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e serbëve në Kosovë. Presidenti i dëshpëruar i Serbisë, Boris Tadiç, tash është duke përgatitur një strategji për t’u tërhequr nga pozicioni i mëparshëm, duke shqyrtuar mundësinë që të pengojë krijimin e një ushtrie vendore në Kosovë dhe të parandalojë përfaqësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kërcënimet që më së shumti dëgjohen në raport me pavarësinë e Kosovës kanë të bëjnë me mundësinë e ardhjes në pushtet të nacionalistëve radikalë në Serbi, por, ky kërcënim nuk është më edhe aq shqetësues. Çfarë në fakt mund të ndodhë nëse radikalët vijnë në pushtet? Një diplomat thotë se Serbia mund të zgjedhë, Bjellorusinë apo Brukselin, izolimin apo Evropën.
XS
SM
MD
LG