Ndërlidhjet

FIGURA E RUGOVËS NË SHQIPËRI SIMBOLIZOHET ME KOSOVËN


LUTFI DERVISHI

Një nga deklarimet më të cituara të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova është kompromisi që ofron Kosova për statusin e vetë. Ky kompromis sipas Rugovës, ishte pavarësia. Zgjidhja e plotë nënkupton bashkimin me Shqipërinë.
Lajmin për ndarjen nga jeta të Rugovës, shqiptarët në Shqipëri e përjetuan me hidhërim. Njerëzit ndalën frymën para ekraneve televizive dhe media përmes komenteve foli gjatë për jetën dhe misionin e madh të Ibrahim Rugovës- Kosovën e pavarur. Përpos vendimeve të qeverisë, deklarimeve të liderëve të partive politike dhe medias, edhe të rinjtë e organizuar dhe qytetarët në një mënyrë apo tjetër dëshmuan hidhërimin për shuarjen e një prej figurave më të spikatura të shqiptarëve. Figura e Rugovës në Shqipëri simbolizohet me Kosovën. Koha përmes dokumentave do të dëshmojë se ndihma e Rugovës për Shqipërinë nuk ka munguar në gjithë aktivitetin e tij të dendur diplomatik, por ajo çfarë Rugova ka bërë për popullin e Kosovës ka qenë ndihmë edhe për Shqipërinë.
Për shqiptarët në Shqipëri, figura e Ibrahim Rugovës ka qenë frymëzim në fillim të viteve 90 dhe model gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike. Rugova ishte themeluesi dhe drejtuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë antikomuniste që kanë krijuar shqiptarët pas viteve 80. Në demonstratat e studentëve kundër regjimit komunist, emri i tij përmendej si model nga klasa e re politike që po lindte në Shqipëri. Në kohën kur në Shqipëri, nga regjimi në fuqi demonizohej pluralizmi politik si një e keqe që do të pllakoste vendin, inteligjenca dhe personalitetet që ju bashkëngjitën lëvizjes studentore tregonin si shembull Kosovën, ku krijimi i partive politike jo vetmë që nuk ishte tabu, por ishte mjeti dhe instrumenti i vetëm për të ruajtur ekzistencën e shqiptarëve si komb. Ishte kjo arsyeja që ithtarët që këmbëngulnin për pluralizmin politik në Tiranë e shikonin atë të lidhur ngushtë edhe me ndihmën që një Shqipëri demokratike do t'i jepte Kosovës.
Për gjatë gjithë tranzicionit në Shqipëri, Kosova nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, sillej si shembull si nga politikanë ashtu edhe nga kritikues të klasës politike në Shqipëri për aftësinë dhe seriozitetin, me të cilin administronte zgjedhje nën okupim dhe nën administrimin ndërkombëtar.
Rugova me personalitetin e tij trasoi marrëdhënie partneriteti mes Tiranës dhe Prishtinës. Në vitin 96 kur nga Tirana zyrtare kërkohej radikalizimi i qëndrimeve të udhëheqjes së Prishtinës, Rugova me qëndrimin e tij dëshmoi se qëndronte më lart se politika e ditës, se më shumë se politikan ai ishte misionar që mendjen dhe zemrën e ka tek qëllimi që i ka vënë vetes.
Në takimet që ka patur me drejtues të qeverisë dhe partive politike shqiptare, Rugova ishte optimist për të ardhmen e marrëdhënieve mes Tiranë dhe Prishtinës, ishte avokati më i mirë i aksioneve të vogla, i aksioneve të padukshme, që integrojnë dy shoqëritë shqiptare, por edhe këmbëngulës dhe frymëzues për fillimin dhe implementimin e projekteve të mëdha që lehtësojnë dhe afrojnë komunikimin mes dy anëve të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Thuhet se pak para se të ndahet nga kjo jetë, njeriu kërkon të vizitojë të afërmit dhe njerëzit e tij. Në këtë kontekst mbase duhet parë edhe vizita e fundit e Presidentit të Kosovës në Tiranë. Rugova u takua me gjithë spektrin politik, përsëriti mantrën e tij "Kosova e pavaruar e qetëson gjithë rajonin" dhe u largua duke marrë mbështetjen unanime sepse misioni i tij, ishte dhe emëruesi që i bashkonte të gjitha forcat politike në Shqipëri.
XS
SM
MD
LG